
Muzeu Arkeologjik i Durrësit u kthye në një skenë artistike. Koncerti “Tinguj dhe vargje” ofroi një mbrëmje ndryshe, e cila la mbresa te të pranishmit, jo vetëm për magjinë që të fal muzika e poezia, por edhe për mënyrën se si ato u transmetuan në publik. Një skenografi që zbriste në ditët tona qysh nga antikiteti, me kolona të Dyrrahut të lashtë, ku edhe statujat e gurta dukeshin sikur frymonin nën magjinë e fjalës dhe tingujve. Protagonistë të kësaj shfaqjeje ishin kryesisht artistët durrsakë; D.Dervishi, R.Tafaj, K.Gjezi, I.Çullhaj, O. Juba, nën shoqërimin e prezencën e aktorëve të mirënjohur të teatrit “Aleksandër Moisiu”; M.Marjanaku e M.Tafaj dhe me pjesëmarrjen e violinistes A.Leka. Gjithçka nën drejtimin e regjisores Driada Dervishi, e cila konceptoi një performancë me një frymë të re. Flautistia Daorsa Dervishi i takon atij brezi artistësh që tashmë e zhvillojnë karrierën jashtë vendit, por kthehen gjithnjë për publikun shqiptar. Ajo zhvillon aktivitetin e saj në Itali qysh prej vitit 2000. Pasi ka mbaruar studimet për flaut pranë konservatorit “G.Verdi” në Milano, me notën maksimale 10, ka kryer kurse perfeksionimi me profesorët më në zë të flautit. Ka marrë pjesë në sa e sa koncerte e festivale të rëndësishme, ku edhe është nderuar me medalje, pa harruar asnjëherë vendin e saj. Dervishi këtë mbrëmje, veç pjesëve solo nga Playel e Bach, interpretoi një trio Telemann dhe Beethoven përkrah violinistes durrsake Romina Tafaj dhe pianistes Klea Gjezi. Violinistja Tafaj është dalluar për një aktivitet të gjerë në vend, duke qenë pjesëmarrëse në një sërë koncertesh dhe festivalesh brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë që pianistja Klea Gjezi ka një përvojë të gjatë 20-vjeçare si instrumentiste dhe pedagoge pianoje në vend dhe në Athinë, pasi me ndërrimin e sistemeve në vend ka ushtruar aktivitetin e saj në Greqi. Aktualisht është koncertmaester pranë TOB, Tiranë. Përpos këtyre instrumentisteve sharmin këtij aktiviteti ia shtuan edhe dy këngëtaret lirike: I. Çullhaj-soprano e O. Juba që interpretuan secila nga një arie nga kolosët e muzikës operistike Verdi e Puccini. Artisteve durrsake iu shtua edhe pjesëmarrja e veçantë e një violinisteje nga Elbasani, Albana Leka. “Tinguj dhe vargje” solli një mbrëmje të këndshme për publikun durrsak, mes të cilëve ishin edhe personalitete të artit, si dhe familja Durrazo, një nga familjet më fisnike në Gjenovën e shekujve XVI-XVIII. Mbrëmja u mbështet nga banka “Societe Generale Albania”.











