Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka informuar Uashingtonin edhe mbi aktivitetin e gjykatave shqiptare.Në mënyrë të veçantë ai merret me dy vendime të Gjykatës së Lartë të drejtuar nga Thimio Kondi në fund të vitit 2007. Sipas ish- ambasadorit, Kondi nuk u dha të drejtë Gjykatës së Apelit për konfiskimin e pasurive të disa trafikantëve, duke përdorur si argument procedura dhe një gjë e tillë, sipas Withers, ndodhi pak muaj se Thimio Kondi të linte mandatin në maj të vitit 2008. Sipas kabllogramit, vendimi i parë ka të bëjë me pezullimin e vendimeve të Gjykatës së Krimeve të Rënda në çështjen kundër Fatmir Tahirajt dhe Arjan Kanes, të akuzuar për prostitucion dhe trafikim. Withers thotë se pasuritë e tyre të jashtëligjshme ishin përdorur për të ngritur biznese në Fier dhe kryeqytet. Pas kërkesës së Tahirajt, Kondi pezulloi vendimin e Gjykatës së Apelit për konfiskimin e aseteve të tij. Sipas ish-ambasadorit, përdori një dispozitë të Kodit të Procedurës Kriminale, që i jep të drejtën Gjykatës së Lartë të ngrijë vendimet e Apelit deri në një seancë përfundimtare nga gjykata. “E ndërsa kjo praktikë është normale për çështjet civile, kjo është hera e parë që një vendim i tillë në një rast kriminal, tërheq vëmendjen tonë. Metoda e trafikut të tyre ishte martesa me gra, që më pas me forcë detyroheshin të prostituonin. Kane ishte në mbikëqyrje, ndërsa Tahiraj ende një i arratisur”, thotë Withers në kabllogramin e tij. Ai përmend edhe vendimin tjetër shqetësues të asaj kohe, të Thimio Kondit, të datës 31 dhjetor 2007, lidhur me trafikun e cigareve në Portin e Durrësit, pas dënimit me 5 vjet të Ndoc Gjergjit. “Gjergji ishte pjesë e një grupi të dhunshëm trafikues që përdorte portin e Durrësit për të trafikuar sasi të mëdha cigaresh dhe substanca të tjera në Shqipëri. Individë të tjerë të dënuar në këtë hetim janë Leonard Koka, vëllai i ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe një prej ortakëve të ish- kryeministrit Fatos Nano. Ndoc Gjergji është në arrati që nga viti 2005. Në vendimin vezullues të Kondit në dhjetor të 2007-s, ai pretendoi se vendimi i Gjykatës së Apelit mund të krijojë probleme për familjen e Gjergjit. Sipas këtij vendimi të Kondit, emri i Ndoc Gjergjit u hoq nga lista e policisë për kërkimin e njerëzve dhe tani ai mund të cilësohet si një njeri i lirë deri në vendimin final të Gjykatës së Lartë”, shprehet Withers.
Rastet
Ish-ambasadori thekson se këto vendime të Gjykatës së Lartë janë serioze dhe kanë ndikuar negativisht në sistemin gjyqësor shqiptar. “E ndërsa këto dy raste nuk tregojnë një tendencë, ato janë shqetësuese në dritën e marrëdhënieve të tyre me dy çështje serioze kriminale. Ato dërgojnë qartësisht një sinjal të gabuar, në një kohë kur Shqipëria është e fokusuar në reformën në sistemin gjyqësor dhe çrrënjosjen e krimit te organizuar”, përfundon komentet e tij, ish-ambasadori amerikan Withers.
Vendimet u ndryshuan në dhjetor 2008
Ish-ambasadori Withers dërgoi dhe një informacion për Departamentin e Shtetit, duke thënë se vendimet e para të dhëna nga Thimio Kondi ndryshuan, duke konfiskuar pasurinë disa miliona euro të dy trafikantëve të shpallur nga Gjykata e Apelit. Gjithsesi, ai shton se si do të shkojë më tej kjo çështje dhe se si do të trajtohen viktimat apo dhe dëshmitë e tyre. Prokuroria më pas bëri konfiskimin e aseteve të të dyshuarve për trafikim të qenieve njerëzore.
Këshilltarët
“Presidenti nuk ka një këshilltar sigurie kombëtare dhe as këshilltar ushtarak. Këto role i kryen këshilltari politik i Presidentit, Arben Cici, i cili e pranon se ka mungesë ekspertize dhe burimesh në këto fusha. Berisha ka një këshilltar sigurie (Avenir Peka), i cili në profesion është avokat dhe fokusohet vetëm në aspektet ligjore të sigurisë. Këshilltari politik i Berishës, Glori Husi, mbulon edhe çështjet ushtarake, por nuk ka background ushtarak dhe as diplomë në këtë fushë. As Husi, as Peka nuk kanë staf tjetër”, shprehet Withers.
Ditëlindja
“Këtë javë, mediat raportuan se deputetët i çuan dhurata ditëlindjeje një zyrtari, i cili festoi 42-vjetorin në paraburgim. Ai u arrestua bashkë me 4 të implikuar të tjerë në një skemë për falsifikimin e titujve të pronësisë, lidhur me një vend ndërtimi në Tiranë me vlerë disa miliona dollarë. Por, perceptimi i publikut është se këto arrestime nuk janë veçse maja e ajsbergut. E ndërsa arrestimet shënojnë një sukses në luftën kundër korrupsionit, vizita e dy deputetëve tregon se zyrtarët e arrestuar kanë pasur lidhje të ngushta me qarqet e PD. Ky rast vë në dukje edhe vazhdimin e praktikave të shpërblimit të militantëve partiakë me poste fitimprurëse”,- përfundon komentet e tij Withers.
Dokumenti sekret, që e lexoi gjithë qyteti
Sipas ish-ambasadorit, zyrat e prokurorëve në Shqipëri kanë mungesa të theksuara të pajisjeve. Ai merr si shembull një histori nga media se si një prokuror kishte harruar dokumentin në internet kafe, duke bërë që gjysma e qytetit të merrte vesh sekrete hetimore. ”Është e njohur që zyrat e Prokurorisë kanë mungesë të theksuar të pajisjeve. Një ditë, një prokuror i Pogradecit shkoi në një internet kafe për të bërë printime, pasi në zyrën e tij nuk i kishte këto dy mundësi. Kishte dy dokumente me vete dhe njëri konsiderohej si konfidencial. Në nxitim e sipër, ai printoi dokumentet dhe harroi atë konfidencialin në internet kafe. Fatkeqësisht, harroi të fshijë nga kompjuteri dokumentin sekret, por tani ishte vonë, pasi nga internet kafeja e mori vesh gjysma e qytetit të Pogradecit se për çfarë bëhej fjalë”, thotë Withers.
“Shqipëria, pa politikë sigurie”
Shqipërisë i duhet një Këshill Kombëtar për Sigurinë. Kështu ana-lizon në një kabllogram të gjatë ish-ambasadori amerikan, John Withers, i cili shprehet se nevoja për një koordinim mes institucioneve pas anëtarësimit në NATO është akute.Sipas tij, si Kryeministri ashtu edhe Presidenti drejtojnë këshilla sigurie, por që kanë një mungesë koordinimi. “Menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit në mars të vitit 2008, Kryeministri Sali Berisha njoftoi synimin e tij për të krijuar një Këshilli të Sigurimit Kombëtar (KSK) për të “koordinuar punën e të gjitha agjencive të përfshira në çështjet e sigurisë”. Megjithatë, gjatë një viti e gjysmë që pasoi, asnjë veprim nuk është ndërmarrë për të kryer këtë qëllim. Në javët e fundit, disa ekspertë jashtë qeverisë kanë shprehur keqardhje nga mungesa e ekspertizës të sigurisë dhe koordinimi brenda qeverisë, si dhe kanë ringjallur diskutimin e një nevojë për një KSK”, analizohet në kabllogram. Më tej, thuhet se organet duket sikur konkurrojnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që mungon ekspertiza e duhur për t’u përballur më çështje serioze në të ardhmen. Duke u ndalur në këtë pikë, ish-ambasadori shprehet se duhet një strategji e re për institucionet e sigurisë dhe ekspertët e këshillojnë një gjë të tillë. Më tej, ish-ambasadori shprehet se Këshilli i Sigurisë është mbledhur vetëm dy herë nga Presidenti dhe duket se është vetëm një organ që funksionon vetëm me kohë të pjesshme. “Edhe pse organet e ndryshme ekzekutive që konkurrojnë me përgjegjësi për koordinimin e çështjeve të sigurisë kanë ekzistuar që nga rënia e komunizmit, ato nuk kanë një staf me ekspertizën e nevojshme dhe as nuk i përmbushin bazat e qëndrueshme. Me anëtarësimin në NATO, kandidaturën në BE, shqetësimet e ngritura mbi luftën kundër terrorizmit, nevoja për një strategji të koordinuar të sigurisë të zhvilluar nga ekspertët e sigurisë do të ndihet edhe më akute. Që nga zgjedhja e Bamir Topit si President në vitin 2007, KSK është mbledhur vetëm dy herë: një herë në shtator 2007 për të diskutuar mbi Kosovën dhe një herë në mars 2008, si reagim për tragjedinë e Gërdecit. Që atëherë nuk është mbledhur më. Ngjashëm, kryeministri Berisha e mbledh rrallë Këshillin e tij të Sigurisë, duke preferuar t’ia besojë Këshillit të Ministrave vendimmarrjen e çështjeve të sigurisë kombëtare. Në fakt, as këshilli i Presidentit dhe as i kryeministrit nuk funksionojnë dhe çështjet e koordinimit të sigurisë janë ad hoc, pjesa më e madhe e motivuar nga presioni nga jashtë. Nuk pritet që Berisha ta mbajë premtimin e tij dyvjeçar për një këshill sigurie kombëtare, pasi është në interesin e tij personal që ministritë përkatëse të mbështeten tek ai personalisht për koordinim”, thuhet në kabllogram.
Withers: Konspiracionet në politikën shqiptare
Ish-ambasadori amerikan Withers flet edhe në lidhje me temat politike në Shqipëri, duke përfshirë këtu teoritë e konspiracionit. Në një kabllogram që ai e quan “Mitet, gënjeshtrat dhe teoritë e konspiracionit në politikën shqiptare”, Withers flet gjerë për paktet mes politikanëve, por edhe për thashethemet që qarkullojnë në Tiranë për ndarje të zonave të influencës. “Figura të famshme të përfshira janë edhe George Soro sikur ka një “Axhendë të fshehtë” për Shqipërinë, e kaluara plot ngjyra e Edi Ramës në Paris, si dhe aleancat financiare mes aktorëve të mëdhenj politikë. I fundit kishte të bënte me një pakt mes rivalëve Berisha dhe Nano për Presidencën. Më aktuali është një pakt mes Ramës dhe Berishës për të ndarë dhe ruajtur sferat e ndikimit të tyre, në këmbim të një armëpushimi publik. Shpesh në media, aktorët politikë me bindjet e tyre ndikojnë tek publiku dhe komploti këtu është që të shmangin vëmendjen e publikut nga çështje të ngutshme”, shkruan Withers në një kabllogram të fundvitit 2007.
Të dhëna nga Wikileaks
Të dhënat personale të politikanëve
Një tjetër kabllogram i dërguar në Uashington përmban edhe disa nga të dhënat e krerëve të shtetit. Ish-ambasadori ka dërguar në Departamentin e Shtetit numrat e telefonit të Kryeministrit, Presidentit, ministrit të Jashtëm, si dhe disa funksionarëve të tjerë. Ai bën një përshkrim të shkurtër, duke theksuar se Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, flasim mirë anglisht dhe po kështu edhe sekretaret e tyre.
Kabllogram për Blushin: PS si autobus i vjetër
Ish-ambasadori ka dërguar në Uashington edhe intervistën me Ben Blushin, ku ai përshkruan situatën në Partinë Socialiste, jo shumë kohë pasi ai ishte larguar nga drejtimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. “Nëse hyn sot në Partinë Socialiste, është si në autobusët e vjetër, ku shumica e njerëzve të thoshin: Mos i fol shoferit! Por kur i pyet ata për drejtimin se ku po shkojmë, ata drejtojnë gishtin tek shoferi dhe duken sikur duan të thonë: Vetëm ai e di. Kur ti je gati të pyesësh shoferin se ku po shkojmë, njerëzit të tregojnë udhëzimet e shkruara ku thuhet: Mos i fol shoferit! Kjo që po them mund të duket si shaka e hidhur dhe shumë prej miqve të mi do të thoshin: nuk është shumë e rëndësishme se ku po shkojmë, e rëndësishme është që autobusi është në lëvizje. Kjo është e vërteta. Autobusi po lëviz, por rruga është e gjatë dhe unë s’mund të rri pa folur”, përfundon kabllogrami për intervistën e Blushit.
Tuaregu i ish-ministrit Pango
Në një nga kabllogramet e ish-ambasadorit trajtohet edhe lajmi, sipas të cilit djali i ish-ministrit Pango përdor makinën e Ministrisë për të shkuar çdo mëngjes në shkollë. “Kjo është pa kuptim. Unë jam në Greqi dhe po kthej një statujë që i është vjedhur Shqipërisë. Kjo është ajo që duhet t’ju shqetësojë. Kjo është për t’u bërë lajm. Kështu iu përgjigj ministri i Kulturës, Ylli Pango, interesit të një gazetari që pse djali i tij përdor makinën shtetërore të babait të tij për të shkuar në shkollë çdo mëngjes.
Problemi i kthimit të pronës
Sipas një kabllogrami të bërë për çështjen e pronës në Shqipëri, Withers shprehet se “Kompensimi fizik nuk ka nisur ende, me gjithë pretendimet e qeverisë shqiptare se ajo tashmë ka identifikuar pasuritë publike që mund të përdoren për një gjë të tillë”. Gjatë periudhës së postkomunizmit, shpronësimet janë kufizuar vetëm në ato raste, kur një pronë ka qenë e domosdoshme të shtetëzohej në interes të ndërtimit të infrastrukturës publike, të tilla si projekte të rrugëve apo aeroporteve. Megjithatë, Withers ka vënë në dukje se kompensimi i pronarëve në përgjithësi ka qenë i nënvleftësuar, po qe se krahasohet me vlerën reale të pronave në treg.
© Panorama.al











