“The voice”, surprizat e finales dhe çmime për të 4 finalistët

Feb 4, 2012 | 14:18

Autori i “The voice” Rezarta Aga

Flet autori Rezart Aga: “The voice” ka kontribuar për të sofistikuar shijet muzikore të publikut shqiptar”

Shkojnë në finale Rina. Marsela, Enrika dhe Lundrimi. Çmimi i parë do të zgjidhet vetëm me votat e publikut.

Jemi vetëm një javë para finales së madhe të talent show “The voice” dhe emocionet e katër finalistëve e trajnerëve të tyre duket se janë shkrirë me emocionet dhe padurimin e publikut për të mësuar se kush do ta fitojë çmimin e zërit më të mirë të këtij kompeticioni prestigjioz, i cili filloi me përzgjedhjen e zërave më të mirë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët dhe rrugëtoi suksesshëm për të ardhur në natën e madhe. Një natë që, krahas përzgjedhjes së më të mirit, do të ofrojë një spaktakël të garantuar. Autori i programit Rezart Aga pranoi të na rrëfejë disa detaje.
Një kompeticion shumë i fortë, zëra shumë të mirë, ju si autor me çfarë impresionesh e mbyllni këtë edicion të parë të “The voice”?
Jam më shumë se i kënaqur. Natyrisht si herë e parë kisha edhe unë ato dilemat e mia, të cilat u transformuan në kënaqësi të jashtëzakonshme dhe në siguri absolute se ky program eci në rrugën e duhur.
Çfarë mund të thoni për konkurrentët, diçka që ju keni parë si të veçantë meqë i keni përzgjedhur mes mijëra të rinjve?
Ne bëmë përzgjedhjen tonë dhe prisnim se sa impresionues do të ishin zërat e tyre për trajnerët. Entuziazmi i tyre teksa dëgjonin këta të rinj ishte i madh dhe, duke qenë talente që premtonin një rritje artistike, edhe ata vetë punuan me shumë dëshirë.
Kishim vite pa parë në ekranet tona një kompeticion zërash të rinj; mbasi keni dëgjuar kaq shumë të rinj teksa këndojnë, çfarë mendoni, a jemi ne një popull me talent në këtë fushë?
Kur nisëm përzgjedhjen, nuk e mendonim që do zbulonim kaq shumë talente dhe as mund ta imagjinonim që seleksionimi që trajnerët do bënin javë pas jave, të kthehej gati-gati në një mision të pamundur, sepse ata janë aq të talentuar, sa të detyrohesh t’i shohësh gabime mikroskopike për të bërë diferencën. Dhe, përveç talentit, ne kemi parë se ata janë edhe individë shumë të mirë, me edukatë pune të jashtëzakonshme e mbi të gjitha të vendosur për t’u rritur profesionalisht.
Çfarë do presim nga nata finale? Jemi kuriozë të mësojmë diçka më shumë.
Bëhuni gati për të ndjekur një natë të gjatë, shumë emcionuese dhe me shumë spektakël. Finalistët do të këndojnë nga dy këngë, më pas ata do të këndojnë me trajnerët përkatës dhe, meqë jemi te trajnerët, edhe ata kanë surpriza për ju, sepse secili prej tyre do të këndojë këngë ose performanca të reja. Një moment tjetër kulminant do të jetë ai kur në skenë do të vërshojnë të gjithë konkurrentët e këtij edicioni dhe së bashku do të këndojnë këngën “1000 zëra”, një këngë që do të jetë himni i “The voice” jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku transmetohet ky format. Gjithashtu, fituesi do të zgjidhet vetëm me votat e publikut.
Është thënë qysh herët që fituesi do të ketë një kontratë me “Universal Music”. Po të tjera çmime do të ketë?
Për të katër finalistët, produksioni ka menduar shumë çmime surprizë, të cilat do të jepen natën finale.
Sa i shihni të përfshirë në botën e showbizit shqiptar këta zëra që ju zbuluat te “The voice”?
I shoh shumë të përfshirë që tani, sepse kompozitorët i kanë parë dhe i kanë kërkuar, kanë pikasur zërat e tyre, specifikat që kanë, në çfarë zhanri muzikor spikasin, kështu që pritini në skenat e festivaleve tona shumë shpejt, gjithashtu dhe me klipe shumë profesionale. Mendoj gjithashtu se ky program do të sjellë një emancipim më të madh artistik për shqiptarët dhe natyrisht këta zëra të mrekullueshëm do të ndikojnë edhe në shijet muzikore të publikut, i cili këto kohë është jo pak konfuz.
Në mbarim të “The voice”, ju keni një tjetër format gjigant, që ju pret në cilësinë e autorit, “Big Brother”. Dimë që në audicione ka pasur një dyndje të madhe. Keni diçka për të thënë?
Mbas dy javësh fillon “Big Brother”, ne kemi qenë të angazhuar me audicione, duke përzgjedhur ata që mendojnë se e meritojnë të jenë pjesë e këtij programi. Për dy javë do t’ju tregoj detaje.

ERMIRA SHPETIMI

© Panorama.al

Te lidhura