“Testi i duhur para duelit me Francën”

Aug 9, 2011 | 12:12
Arian Beqaj, portieri i Kombëtares shqiptare

Arjan Beqaj nuk është xheloz për Samir Ujkanin, përkundrazi, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të portierit që luan te Novara. Portieri i Kombëtares shqiptare i ka kaluar tashmë të gjitha problemet fizike dhe është rikthyer për të qenë sërish protagonist në fushën e blertë. Beqaj i bën një analizë edhe shortit të Botërorit, por i bën apel skuadrës që të jetë e fokusuar vetëm tek dy ndeshjet e radhës. “Objektivi i Kombëtares është të përgatitemi për çdo situatë, që Shqipëria të fillojë një epokë të re për portierët. Prania ime në ekipin Kombëtar ka qenë një ndihmëse për Ujkanin, por dhe për ekipin kur ai ka nevojë. Unë e shoh kështu këtë situatë. Unë kam folur shpesh me trajnerin dhe ai e ka parë të domosdoshëm praninë time. Kur ka qenë e nevojshme që unë të luaj në ekipin kombëtar, unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë gati. Nuk mund të flasim për rivalitet. Unë jam thjesht për ta ndihmuar ekipin”, ka thënë ai. Ndërsa porsa i përket faktit se Kuzhe nuk grumbulloi lojtarë të rinj, Beqaj gjykon se do ketë kohë edhe për këtë lojtarë ndaj nuk ka nevojë për presion. “Sigurisht, që në një moment të caktuar çdo lojtari i vjen dhe koha për t’u larguar nga ekipi kombëtar. Kjo ndodh edhe te ekipet më të mira dhe për futbollistët më të mirë në botë. Koha është një gjë e pakthyeshme. Nuk ka të bëjë të vjen keq apo jo. Megjithatë, në Shqipëri ka një problem: kur futen lojtarë të rinj, me një ndeshje të keqe, thuhet se Shqipëria s’ka të ardhme dhe me një ndeshje të keqe të veteranëve, deklarohet se këta të fundit duhet të ikin. Duhet të ketë një ekuilibër në këto vlerësime. Gjërat rrugës ndryshojnë. Futbolli nuk ka asgjë spontane. Nuk mund të pretendosh, kur sot je një ekip i vogël mesatar dhe nesër të bëhesh menjëherë një ekip i madh”, ka theksuar Beqaj.

© Panorama.al

Te lidhura