“Te Spanja do merrja vetëm Kasanon”

Aug 10, 2011 | 14:11

Ndërsa në Itali diskutohet e ardhmja e Kasanos te Milani, Iker Kasijas, kapiteni i Spanjës, ka zgjedhur sulmuesin barez si lojtarin italian që kërkon ta kishte shok te Kampionët e Botës. “Kë do të doja të kisha shok skuadre te Spanja? Antonio Kasanon”, – deklaroi numri 1 i “Furias së Kuqe” me të zbritur në Bari, ku sot përfaqësuesja e tij do luajë miqësoren e luksit në “San Nikola” kundër Italisë. “Është pak i luajtur nga mendtë, por ka një talent të jashtëzakonshëm. E ka shfaqur në kohën kur vishte fanellën e Realit. Është një lojtar me aftësi të pafundme. Dhe mbi të gjitha, më ka ardhur shumë keq që u largua nga Madridi. Baloteli? Murinjo më ka treguar një anekdotë për të, por mbetet mes nesh”. Portieri shtoi se fitorja ndaj Italisë në çerekfinalet e “Euro 2008”-s ishte kthesa e Spanjës, e cila fitoi Europianin në finale kundër Gjermanisë falë golit të Fernando Torresit. Por suksesi i Aragonesit u pasua nga ai i Del Boskes dy vjet më pas, kur iberikët ngritën për herë të parë në historinë e tyre trofeun e Kupës së Botës. Në ndeshjen me Italinë, e cila përfundoi 0-0 dhe, pas kohës shtesë, Kasijas priti dy penallti kundër italianëve. “Ka qenë një prej ndeshjeve më të pashlyeshme në memorien tonë. Hoqëm të gjithë presionin. Pas fitores me “azzurrët” shkuam në gjysmëfinale kundër Rusisë. Futbolli spanjoll ndryshoi radikalisht, për mirë. Prej atëherë fati ka qenë gjithnjë me ne. Nga ai moment ndryshoi gjithçka”. Ndeshja e sotme vjen 4 ditë përpara “El Clasico”-s së Superkupës. Sfida e parë Real-Barça do të luhet këtë të diel. Pavarësisht se mbrojtësi i Realit, Serxho Ramos dhe mesfushori i Barçës, Ksavi, janë tërhequr nga kombëtarja për shkak të dëmtimeve, 11 prej lojtarëve që Spanja do të ketë në dispozicion vijnë nga dy klubet më të mëdha. “Për momentin ne jemi të përqendruar vetëm te Italia. Kur Spanja humbi 4-0 me Portugalinë dhe 4-1 me Argjentinën një vit më parë, të gjithë na kritikuan se nuk ishim në gjendje të mbronim ashtu siç duhej Kupën e Botës. Duhet të tregojmë se Spanja është Kampione Bote për një arsye dhe të punojmë 200%, sepse rivalët tanë japin gjithçka kundër nesh”, – përfundoi Kasijas.

Del Boske

Trajneri i Spanjës nuk mendon aspak se Kombëtarja e Italisë është në buzë të greminës. “Prandeli? Më pëlqen. Italia e tij po luan shumë mirë, praktikisht është e kualifikuar në Europian. Kemi parë videot. Ka ndryshuar pak stilin e lojës. Avantazhi i vetëm i Spanjës sime? Është thjesht një skuadër më e besueshme”, – tha tekniku 60-vjeçar, i cili tha se do bëjë 6 ndryshime, prandaj 5 lojtarë sot do të luajnë 90 minuta.

Debutuesi

Tiago Alkantara sot mund të ishte një kundërshtar i Spanjës dhe të mbante veshur fanellën “azzurre”. Por, jeta e talentit të Barcelonës, i cili ka lindur në Pulia, mori një tjetër drejtim. “Nuk kam menduar kurrë se mund të luaja me Italinë, sepse unë jam formuar si lojtar në Spanjë”, – thotë talenti 20-vjeçar i Guardiolës, i cili edhe nëse do të kishte dashur të vishte fanellën e kaltër, do të kishte vështirësi për shkak të procedurave.

Itali-Spanjë

Formacionet e mundshme
Italia 4-3-1-2: Bufon, Krishito, Kielini, Ranokia, Maxhio, Akuilani, Pirlo, De Rosi, Montolivo, Rosi, Kasano.
Trajner: Çezare Prandeli
Spanja (4-3-3): Kasijas, Arbeloa, Albiol, Pike, Iraola, Iniesta, Buskets, Ksabi Alonso, Tiago Alkantara, Vila, Torres. Trajner: Visente del Boske

© Panorama.al

Te lidhura