“Të paregjistruara 369 subjekte tregtare”

Aug 18, 2011 | 11:22

Evidentohen 369 subjekte tregtare të paregjistruara dhe 247 të tjera lirojnë hapësirat publike që përdorin në kundërshtim me ligjin. Të dhënat vijnë nga Drejtoria e Tatim–Taksave në Bashkinë e Tiranës. Në deklaratën për mediat bëhet me dije se prej dy javësh inspektorët kanë nisur kontrollet në terren, duke evidentuar dhe marrë masa në rastet e mosrespektimit të ligjit. Ndërkaq, kjo drejtori raporton se niveli i mbledhjes së taksave deri në fund të muajit korrik nga Bashkia e Tiranës ishte 55 për qind, krahasuar me muajin korrik të vitit të shkuar. Aktualisht niveli i mbledhjes së taksave është rritur me 13 për qind, pra 68 për qind krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar. “Janë evidentuar 369 subjekte tregtare të paregjistruara dhe janë marrë masat për futjen e tyre në skemën e pagesës së taksave. Gjithashtu, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, janë marrë masa për lirimin e hapësirave publike në 247 raste dhe rikthimin e tyre për qytetarët”, thuhet në deklaratën për mediat. Drejtoria e Tatim-Taksave vazhdon punën për nxjerrjen e borxheve, si dhe ka njoftuar subjektet, rreth 377 të biznesit të madh dhe 244 të biznesit VIP, duke u bërë të ditur detyrimet që ata kanë. “Bëjmë thirrje për respektim të afateve për shlyerjen e borxheve, duke u kujtuar subjekteve se në rast të kundërt nuk do të përfitojnë dot nga ligji i faljes së gjobave dhe, si pasojë, do të mbetet në fuqi edhe detyrimi, edhe penaliteti”, thuhet në deklaratën për mediat të Bashkisë së Tiranbës. Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës në çdo rast komunikon me subjektet dhe lë afate për shlyerje, kur konstatohen paligjshmëri. Pas kalimit të afatit ndërmerr masa ligjore. Drejtoria e Tatim-Taksave vlerëson se komunikimi i mirë me bizneset është i rëndësishëm. Gjithashtu, Drejtoria e Tatim-Taksave është e vendosur për respektimin dhe zbatimin e ligjit në mënyrë rigoroze.

© Panorama.al

Te lidhura