
TIRANE – Gjyqtari Artan Zeneli u betua dje për detyrën e tij si anëtar i trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e kësaj gjykate ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Gjyqtari Zeneli iu përgjigj me “betohem” formulës së betimit, sipas së cilës ai gjatë kryerjes së detyrës do të zbatojë me përpikëri Kushtetutën, ligjet në fuqi, si edhe kryerje me ndershmëri dhe përkushtim të detyrës së gjykatësit të lartë. Në fjalën e saj kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, u bëri thirrje forcave politike të arrijnë mirëkuptim në lidhje me amendimet për ligjin e Gjykatës së Lartë. “Duke marrë shkas nga diskutimi aktual i amendamenteve në ligjin organik të Gjykatës së Lartë, gjej rastin t’u b¸j thirrje të gjitha forcave politike me përfaqësim në Kuvendin e Shqipërisë, të çojnë përpara këtë angazhim nëpërmjet një procesi serioz dhe gjithëpërfshirës, përtej dhe mbi çdo interes politik”, u shpreh Beçaj. Arritja e konsensusit u theksua edhe nga Presidenti i Republikës në fjalën e tij në ceremoni. “Është e një rëndësie të veçantë arritja e një konsensusi mbi ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Presidentit Nishani. Presidenti tha dje se anëtari i Gjykatës së Lartë meriton vlerësim dhe garanci institucionale edhe pas mbarimit të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë. “Kësaj trupe i takon fjala e fundit ndaj duhet të përçojë te çdo individ, qoftë ai qytetar i thjeshtë, politikan, gjyqtar, prokuror apo avokat, garancitë dhe besimin te pushteti gjyqësor. Gjykata e Lartë duhet të jetë në të gjithë kuptimin tempulli i drejtësisë dhe i besimit te drejtësia”, u shpreh Presidenti në fjalën e tij. ar.ba











