“Të dashurit” hapin Festivalin Ndërkombëtar të Durrësit

Aug 27, 2012 | 12:44

Për të pestin vit me radhë, Durrësi është bërë kryeqendra e kinemasë në këtë verë të nxehtë. Në teatrin “Aleksandër Moisiu” u hap mbrëmë edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit në Durrës, aktivitetit më të rëndësishëm të kinematografisë në Shqipëri, i cili sërish do vendosë në garë emra të njohur regjisorësh dhe do të ketë si të ftuar nderi ikona të kinematografisë botërore. Ceremonia e mbrëmshme u çel nga aktori Mirush Kabashi, i cili këtë vit është edhe kryetari i jurisë ndërkombëtare, ndërsa mbrëmja është moderuar nga aktori Timo Flloko. Pas ceremonisë së hapjes u shfaq filmi i regjisorit të famshëm francez Christophe Honoré, “Të dashurit”, ku interpretojnë një kast i zgjedhur aktorësh, si Catherine Deneuve, Milos Forman, Ludivine Sagnier, Louis Garrel, Chiara Mastroianni, Michel Delpech, Paul Schneider.  Por gara e vërtetë nis sot. Konkurrimi zyrtar konsiston në vlerësimin e 8 filmave të metrazhit të gjatë, në seksionin “Vizione Bashkëkohore”, të përzgjedhur në mes të produksioneve më të reja europiane, si dhe 6 filmave në seksionin “Botë Ballkanike”, prodhimet më të reja të vendeve të rajonit. Juria ndërkombëtare e Vizioneve Bashkëkohore do të japë çmimin më të rëndësishëm të festivalit, “Gladiatorin e Artë” për filmin më të mirë, bashkë me çmimet e tjera për regjisorin, aktorin dhe aktoren më të mirë. Në bashkëpunim me Akademinë e filmit dhe multimedias “Marubi”, Universitetin e Arteve dhe akademitë e Kosovës e Maqedonisë, Festivali sjell seksionin konkurrues për filmin e shkurtër të studentëve shqiptarë. Surpriza e këtij festivali do të jenë të ftuarit. Një ndër ta është regjisori i madh, fitues e çmimit “Oscar”, Milos Forman. Forman është i njohur për publikun shqiptar me filmat “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes”, “Hair”, “Amadeus” etj. Në mbrëmjen e çmimeve, Forman do të nderohet nga organizatorët me “Gladiatorin e artë” për karrierën.

© Panorama.al

Te lidhura