Taksa e re e makinave do të varfërojë të gjithë ata që kanë një automjet në përdorim. Në një intervistë për gazetën, anëtari i grupit për hartimin e programit të ri ekonomik dhe i Asamblesë së PS, Ilir Beqja, tregon me shifra dhe shembuj se me sa më shumë rritet pagesa nga taksa e re e qarkullimit
dhe e makinave të përdorura. Ai sqaron se nuk është dakord me heshtjen
e PS për problemet fiskale, edhe pse e sheh si të “pamundur” luftën në kuvend përballë “shurdhërisë” së pushtetit. Sidoqoftë, Beqja pranon: Ne si opozitë, edhe pse kemi kapacitete shumë të mira, nuk kemi bërë sa duhet.
Qeveria ka ndryshuar edhe një herë taksën e importit të makinave të përdorura. Çfarë ndikimi pritet të japë kjo taksë në xhepat e familjeve shqiptare?
Ndryshimet e fundit të ligjeve tatimore do të varfërojnë edhe më shumë
shqiptarët. Pretendimet se po nxitet importi i makinave të reja dhe se do të mbrojmë mjedisin janë justifikime në përpjekje për të fshehur të
vërtetën e rëndimit të buxheteve familjare. Deri më tani, për çdo automjet janë paguar dy taksa: taksa vjetore e regjistrimit dhe taksa vjetore e mjeteve të përdorura. Në bazë të të dhënave të tregut të sigurimeve të
detyrueshme, në Shqipëri qarkullojnë rreth 235 mijë automjete. Rreth 77 % janë me naftë, ndërsa të tjerat me benzinë, gaz apo hibride. Mosha
mesatare e automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri është rreth 14 vjet, ndërsa fuqia motorike është rreth 2000 kubikë. Për të bërë më të qarta arsyetimet, në vijim duhet të raportojmë (mbështetur në të dhënat e importeve), gjithashtu, se në Shqipëri konsumohen rreth 520 mijë tonë karburante në vit ose rreth 700 milionë litra. Pra, mesatarisht
një automjet konsumon rreth 3 mijë litra karburant në vit. Deri më sot, automjetet kanë paguar rreth 16,600 lekë taksë vjetore qarkullimi dhe rreth 2,900 lekë taksë vjetore regjistrimi, ndërsa në total është rreth 19,500
lekë në vit. Në total, të hyrat në buxhetin e shtetit nga këto taksa janë rreth 4,6 miliardë lekë në vit. Ndryshimet e reja të këtyre taksave bazohen
në metodologji të reja. Taksa e re e mjeteve të përdorura bazohet në fuqinë motorike të automjetit (me fuqi më të madhe duhet të paguash taksë më të madhe), në moshën e tij (sa më i vjetër automjeti, aq më shumë taksë duhet të paguash) dhe në llojin e karburantit (nafta ka një koeficient taksimi 25 % më të lartë se benzina). Bazuar në treguesit kryesorë të parkut të automjeteve në Shqipëri, taksa mesatare e re e mjeteve të përdorura do të jetë rreth 17,500
lekë. Pra, rreth 5 % më e lartë se taksa ekzistuese. Ky është konkluzioni i parë: taksa e mjeteve të përdorura rritet 5 %. Por, përgjithësisht, pas mesatareve fshihen realitete më të hidhura. Për disa arsye objektive, në fshat mbajnë
automjete më fuqi të lartë motorike. Është e njohur për të gjithë ne se autovetura Benz 240 është “traktori” i ri i familjes fshatare të ekonomisë së tregut. Fshatari e përdor autoveturën për të shkuar tek mjeku apo qendra
shëndetësore që e ka larg, për të mbaruar punë në zyrat e shtetit që janë në qytete apo edhe për të shkuar tek vendi i punës, që nuk është në oborr të shtëpisë. Pra, e përdor për hall, për të jetuar. Një autoveturë me fuqi
motorike 2400 kubikë, me naftë, e vitit 1993, do të paguajë vitin e ardhshëm një taksë vjetore qarkullimi rreth 28,800 lekë. Kjo taksë është 65 % më shumë se taksa mesatare. Pra, jo vetëm që taksa e re e qarkullimit është 5 %
më e lartë se taksa e mëparshme, por rishpërndarja e saj është në favor të atyre që ua mban xhepi të blejnë një makinë të re dhe që nuk kanë nevojë të kenë një makinë të madhe, sepse jetojnë e punojnë në qytet dhe e
përdorin jo për qëllime pune. Në Europë ka pasur herë pas here rëndesa
fiskale për automjetet e vjetra apo nxitje për automjetet e reja, por, së pari, kjo ka ndodhur në ato vende që kanë industri vendëse të prodhimit të automobilave. Shqipëria nuk është dhe do të jetë as në të ardhmen ky rast. Edhe një herë, përmbledhtazi, kemi rritje të taksës dhe rishpërndarje në
kurriz të atyre që janë më shumë në nevojë.
Po ashtu është vendosur edhe një taksë e re e regjistrimit. Kjo në bazë të karburantit që shpenzohet…
Taksa e regjistrimit zëvendësohet me një taksë të re qarkullimi. Kjo taksë është, duke filluar nga 1 janari 2012, 7 lekë për litër karburanti.
Meqenëse kjo taksë bëhet pjesë e çmimit të shitjes me pakicë të karburantit,
ky i fundit do të rritet edhe me 1,4 lekë të tjerë, si pasojë e aplikimit të TVSH. Pra, çdo litër karburant vetëm nga kjo taksë e re do të kushtojë edhe 8,4 lekë më shumë. Bazuar në çmimin aktual, kemi një rritje rreth 5 %. Pra,
kjo taksë do të rrisë çmimin me pakicë të karburanteve me rreth 5 %. Efekti vjetor shtesë në buxhetin e shtetit është 5,9 miliardë lekë apo rreth 60 milionë dollarë. Por, ky efekt shtesë në buxhetin e shtetin është transfertë nga buxhetet familjare në buxhetin e shtetit. Më lart thamë se çdo automjet konsumon mesatarisht rreth 3000 litra karburant në vit (në këtë mesatare është përfshirë edhe sasia e karburantit që shpenzohet nga gjeneratorë
apo kaldaja, por që sidoqoftë janë pjesë e kostove të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme që konsumojmë). Këto 3000 litra do të kushtojnë rreth 25 mijë lekë më shumë. Pra, një zotërues automjeti nuk do të
paguajë më rreth 2,900 lekë në vit taksë regjistrimi, por do të blejë karburant 25 mijë lekë më shtrenjtë. Me fjalë të tjera, efekti në buxhetin vjetor të zotëruesit të mjetit do të jetë 8,6 herë më i lartë. Kjo është pra taksa e re e qarkullimit. Edhe këtë taksë në fakt do ta paguajë më shumë ai
që lëviz më shumë, sepse është pjesë e karburantit. Por, më shumë nuk lëvizin vetëm ata që ua mban xhepi të kalojnë fundjavat jashtë shtëpie. Shpjeguam më lart se më shumë janë të detyruar të lëvizin fshatarët për të shkuar në arë, për në punë, për në tregje, për në qendra shëndetësore, për në
zyra shteti. Të gjitha këto distanca përshkohen vetëm me automjet. Pra, përsëri, jo vetëm që taksa rritet me 8,6 herë mesatarisht, por rritet më shumë për atë që karburantin e ka mall ekzistence.
Ky shpenzim shtesë do të pasqyrohet edhe në çmimet e produkteve, pasi rrit koston e transportit?
Po. Më tej, rritje do të kenë edhe mallrat e shërbimet, sepse transporti është pjesë e çmimit me pakicë të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme. Kështu, secila nga 100 mijë familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, deri më sot nuk paguanin taksë për automjet (po të kesh automjet nuk kualifikohesh
për të përfituar ndihmë ekonomike), por do të duhet të blejnë mallra e shërbime më të shtrenjta. Të dyja taksat bashkë do të kushtojnë për shqiptarët rreth 10 miliardë lekë. Deri më sot kushtonin rreth 4,6 miliardë lekë. Pra, qartazi, shqiptarët do të paguajnë vitin e ardhshëm rreth 2,2 herë më shumë taksa për të njëjtën gjë. Do të shtrenjtohet transporti për një shërbim funeral, për autoambulancën që të çon në spital, për autobusët
qytetës e ndërqytetës, për minibusin që çon e merr fëmijët nga shkolla, por edhe për korteun e dasmorëve që do të marrin nuse apo për ata që do të shkojnë me pushime. Për ta bërë më të kuptueshëm për lexuesin efektin
e rritjes së taksave, mund të themi se rritja e taksave është rreth 5 herë më e lartë se fondi i rritjes së fundit të pensioneve ose rreth 3 herë më e lartë se fondi i rritjes së fundit të pagave. Vetëm nga ndryshimi i taksimit të automjeteve dhe transportit, çdo familje shqiptare do të shpenzojë rreth 7,200 lekë më vit më shumë. Ky ndryshim taksash do të “hajë” një pjesë të mirë të rritjes së fundit të pensioneve.
Pse nuk i bën prezent opozita qëndrimet e saj lidhur më çështjet e tatimeve?
E vështirë dhe e lehtë për t’u përgjigjur(!) Sa lidhet me ndryshimet e fundit të ligjeve tatimore, ato kanë ndodhur në një kohë kur angazhimi politik kryesor i PS-së ishte zbardhja e të vërtetës së vjedhjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Qëllimi nuk ishte karrigia e Edi Ramës, por respektimi i rregullave të demokracisë. Po them zbardhja, sepse edhe pse të gjithë panë me sy dhe dëgjuan me veshë se si u vodh mandati opozitar në Tiranë, vetëm para pak ditësh patëm deklarimin nga nivele maksimale
europiane se “zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira”. Duke u kthyer tek thelbi i pyetjes, unë mendoj se ne, në mënyrë të përsëritur, jemi përpjekur të sjellim në vëmendje të opinionit publik të vërtetën e taksave të konsumit
dhe të rritjes së tyre, të taksës së sheshtë dhe spostimit të barrës tatimore nga sipërmarrjet e mëdha tek individët, të sistemit të referencave të pagave dhe çmimeve etj. Edhe komunikimi i sotëm me publikun nëpërmjet gazetës suaj është pjesë e angazhimit të opozitës. Këto konstatime i kemi bërë në analiza
të plota të forumet tona më të larta, në komisione kuvendare e seanca plenare të Kuvendit, në takime publike dhe komunikime të ndryshme nëpërmjet botës së medias. Ka zëra që thonë se, sa më sipër, duhet të
diskutohen, në radhë të parë, në Kuvend. Nuk jam kundër sa më sipër, por në eksperiencën vetjake dyvjeçare, kam konstatuar se, edhe nëse do të ishin ngritur këto çështje në Kuvend, në media televizive do të ishte pasqyruar
jo më shumë se 2-3 minuta në kronikë emisionesh informative. Në Kuvendin e sotëm nuk ka hapësirë për debat e, aq më pak për propozime alternativash. Kur e si ia do qejfi, Kryeministri vjen në seancë, flet në një mënyrë që në Shkodër quhet edhe “korr e mos lidh”, ndërsa spikerja e Kuvendit nuk lejon hapësira për opozitën. Jo më kot, para një jave, nga Europa, ku prej 20 vjetësh duam të shkojmë, erdhi mesazhi i qartë e i prerë: “Filloni reformën parlamentare!” Së fundi, të gjithë jemi dëshmitarë se edhe në Kuvend
nëpërkëmbet parimi “një votues, një votë” dhe deputetë të maxhorancës votojnë jo vetëm për veten e tyre. Ndërkohë, unë konstatoj se me gjithë përpjekjet tona, Sali Berisha ia ka dalë deri më sot të mbajë në këmbë “mitin” e suksesit në administrimin fiskal. Edhe pse shumica e shqiptarëve e ndiejnë në buxhetet mujore se blejnë më pak mallra e shërbime se në vitin 2005 dhe se nuk ka asnjë përmirësim në arsim, shëndetësi e shërbime publike, shumë
prej tyre besojnë se qeveria ka mbledhur më shumë para nga miradministrimi. Kaq mjafton për të pranuar se ne si opozitë, edhe pse
kemi kapacitete shumë të mira, nuk kemi bërë sa duhet. Disa prej nesh mendojnë se këto janë tema të koklavitura dhe se qytetarët nuk i kuptojnë, të tjerë mendojnë se më këto duhet të merren specialistë dhe jo politikanë të
rreshtit të parë, disa të tjerë kërkojnë tema të “mëdha” teorike.
Unë vetë mendoj se cilido që i ka njohuritë e mjaftueshme dhe e ndien veten në opozitë me qeverinë e Sali Berishës, duhet të shfrytëzojë çdo mënyrë komunikimi dhe çdo mjedis që të përcjellë tek shqiptarët të vërtetën
e politikës së taksave dhe të realitetit të administrimit fiskal. Nuk është mision i pamundur, por edhe krejt e lehtë nuk është. Sidomos, në kushtet e mungesës së plotë të informacionit të saktë e transparent. Duhet vullnet,
duhet punë sistematike, duhet këmbëngulje, duhet durim dhe, mbi të gjitha duhet përsëritje, përsëritje dhe përsëri përsëritje. Miqtë e kolegët e mi socialistë dhe opozitarë duhet të “zhvishen” nga çdo lloj kompleksi e mëdyshje dhe ta kthejnë debatin për rishpërndarjen e të mirave që krijohen në vend, në debatin kryesor në rrafshin ideologjik, politik dhe praktik.
REDI GJUZI











