“Takimi me babanë që tentova ta vrisja”

Jun 5, 2011 | 10:19
Arben Avllazi në paraburgimin e Vlorës

Kangjellat e ndryshkura të një shtrati gjysmë të shkatërruar dhe zhurma e ujit që rrjedh në çezmën e prishur të lavamanit të pistë duken sikur bëjnë kontrast me fytyrën e zbehtë të 20-vjeçarit.Zhurma e lehtë e shapkave plastike ngjyrë blu që përplasen mbi dysheme është i vetmi sinjal se dikush po lëviz aty. Kokëposhtë, me sytë e përhumbur, që duket sikur kanë frikë të të shikojnë, Arben Avllazi kafshon me dhëmbë thonjtë në qelinë numër 97 të paraburgimit të Vlorës. I vetëm në qelinë e tij të boshatisur, i riu ka dëshirë që pas 15 muajsh në burg të rrëfejë historinë e tij me një të folur të lirshme, pa frikë se gjykatësi do të llogarisë në dënim çdo fjalë të thënë për rrjedhën e ngjarjeve. “Aman, kam mall për të fol me njerëz të lirë. Gjykatësi për çdo fjalë ka 3 pyetje mbrapa… Dhe te psikologu po shkove, të përqeshin çunat…”. Pavarësisht dëshirës për t’u shprehur, “lajthitjet” dhe ironitë e fatit ia bëjnë të vështirë fillimin e tregimit të historisë.
Fëmijëria

Avllazi me një nga zyrtarët e burgut

Arben Avllazi kujton vetëm një ditë të mjegullt, që edhe sot, mbas 17 vitesh, i shkëput nga sytë lot të pamëshirshëm. “Më kujtohet që erdhi tezja një ditë. Ajo u tha diçka prindërve tanë kur, papritur, motra dhe vëllai, që ishin pak më të mëdhenj se unë, filluan të qanin. Më erdhi keq për ta, ndaj fillova të qaja edhe unë”. Atë kohë, vetëm 3 vjeç, ai nuk do t’ua dinte kuptimin lotëve të vëllait dhe motrës, as trishtimit të nënës që i shtrëngoi të tre në krahë dhe pastaj u bëri gati qeset me ato pak rroba trupi që kishin. “Ikëm të tre së bashku. Tezja na shoqëroi në një ndërtesë, ku, sipas saj, ne do të argëtoheshim derisa prindërit tanë të bëheshin mirë. Ajo ndërtesë ishte Shtëpia e Foshnjës në qytetin e Vlorës”. “Osman Myderizi” do të ishte strehëza e gjysmës së familjes Avllazi për 3 vjet, derisa më i vogli i tyre, Arbeni, të mbushte moshën për të shkuar në klasën e parë. Nuk ishte vetëm varfëria ajo që e ndau në dy pjesë këtë familje e që më pas do të sillte tragjedi të mëdha në atë vatër. “Babi dhe mami grindeshin shpesh. Më kujtohet që kur binim për gjumë, shumë herë dëgjoja babin që bërtiste dhe mamin që çohej duke qarë dhe  vinte e futej në krevatin ku unë dhe motra flinim së bashku. Na përqafonte e na vendoste kokat në kraharor, ndërsa lotët e nxehtë binin mbi ne”. Dhuna që i ati ushtronte i dehur mbi nënën e tyre, skamja dhe varfëria e detyruan tezen e Arbenit që të ndërhynte në familje, duke i dërguar larg fëmijët e mitur. “Te Shtëpia e Foshnjës prindërit vinin e na takonin veç e veç. Kurrë nuk i kam parë një herë të bashkuar, por nuk e kuptoja se pse ata të dy rrinin larg”. Kur mbushën 6 vjeç, fëmijët e familjes Avllazi u dërguan njëri pas tjetrit në Tiranë. Ata do të vazhdonin shkollën fillore dhe do të strehoheshin në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”. Aty u rritën së bashku, por pa kujdesin prindëror, duke shkuar rregullisht në shkollë. “Festa e Vitit të Ri ’97 ka qenë një natë që gjithmonë e sjell në mendje si dy botë të ndryshme. Në pjesën e parë të gjithë së bashku festuam duke kërcyer, kënduar e luajtur në grup. Në pjesën e dytë edukatoret na kërkuan që t’i drejtonim një dëshirë Babagjyshit dhe unë u mendova shumë pak. Kërkova që e gjithë familja ime dhe unë të festonim së bashku. Atë moment, një fëmijë pak më i madh se unë tha: ‘Po prindërit e tu vetëm të rrihen me njëri-tjetrin dinë?’. Aty kuptova që kriza e familjes sime nuk vinte vetëm nga mungesa e parave”.
Pasi mbaroi arsimin tetëvjeçar, Arbenin e dërguan në Liceun Artistik, ku studioi për trombë. Në vitin 2009 ai përfundoi Liceun dhe u regjistrua si student i vitit të parë në Akademinë së Arteve.
Një ëndërr e keqe
Si të gjithë fëmijët e tjerë, edhe Arbeni, gjatë pushimeve semestrale vizitonte familjen e tij. Fundjava e 12 janarit do të prishte ëndrrat e të gjithëve dhe do të ndryshonte ritmin e jetës së familjes Avllazi. “Kishte kaluar mesnata. Nga të ftohtit kisha mbuluar kokën me dy batanije kur ndjeva diçka të çuditshme që lëvizte afër meje. U çova i tmerruar. Pranë meje qëndronte im atë me një shikim të tmerrshëm dhe dyshues. Menjëherë doli jashtë, pa thënë asnjë fjalë. I trembur u mbulova përsëri për të fjetur”, kujton Arbeni momentet e një nate të gjatë. Ulërimat e së ëmës dhe zërat e egër të disa meshkujve i shkundën gjumin dhe Arbeni doli menjëherë për të parë. “Kur hyra në dhomën tjetër pashë time ëmë që përpëlitej në krevatin e saj dhe dy meshkuj, të cilët nuk i njihja, po ushtronin forcë për ta shtrirë. Im atë ishte aty. I shihte dhe thithte me kënaqësi cigaren e dredhur… Mami vazhdonte të ulërinte…”. Fjalët e të riut duket sikur mbarojnë…. I ati nuk e kishte kuptuar që ai ishte zgjuar dhe kishte zbuluar gjithçka, ndaj vazhdonte të shijonte skenën makabre të prostituimit të gruas së tij. I traumatizuar, 20-vjeçari doli jashtë me nxitim dhe u kthye, siç thotë, “për të vendosur në vend dinjitetin e familjes”. “Kur babi u rrëzua në tokë, mendova se e kisha vrarë. I ktheva shpinën trupit të tij, lëshova limën e hekurit në tokë dhe po rrija si i ngrirë… Dy meshkujt e huaj u larguan menjëherë”, rrëfen gjakftohtë Arben Avllazi. Ndërkohë që dhunuesit u larguan nga shtëpia për të shpëtuar veten, gruaja e familjes që prostituohej nga i shoqi filloi të ulërinte, kësaj here jo për t’u mbrojtur nga “klientët”, por nga kufoma e “burrit-tutor” që shtrihej përpara saj. Zhurma zgjoi komshinjtë, të cilët njoftuan policinë dhe u turrën të lidhnin “vrasësin”.
Ditëlindja pa festë
Ai qëndron prej 15 muajsh në paraburgimin e Vlorës, pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie. Thotë se i shtyn ditët më të bukura të jetës duke luajtur kalçeto në orën e ajrimit, ose duke shfletuar ndonjë libër në bibliotekën e burgut. Shefi i Edukimit, Dritan Rama, i sjell thuajse përditë gazetën. “E lexoj me qejf… Jo për të marrë vesh lajmet, por për t’u argëtuar me ndonjë histori, që në 90% të rasteve është e trilluar”, thumbon me ironi Arbeni. Ditëlindjen e tij të 20-të e ka festuar në mendjen dhe në fantazinë e tij. “Askush nuk e mori vesh dhe nuk u kujtua për mua atë ditë. As mami nuk erdhi të më vizitonte. Me shokët e Akademisë kishim planifikuar të shkonim të pub, por ja që ata shkuan atje pa mua”, tregon pa e fshehur dëshpërimin i riu që tentoi të vriste të atin.
Vizitori i “padëshiruar”
Në hyrje të burgut ndalon një taksi. Prej saj zbret një grua e veshur keq, e cila mban në duar dy qese të tejmbushura, aq sa duket sikur do të pëlcasin. Pas saj zbresin edhe dy djem të rinj të veshur mirë, të kollarisur, që nxitojnë menjëherë të paguajnë taksinë. Është e ëma e Arbenit, Stolia. Si çdo të hënë, ajo ka lënë punën si shitëse ambulante lulesh në Sheshin e Flamurit, për t’i sjellë në qeli teshat e lara, ndonjë gjellë “shtëpie”, apo thjesht për ta përqafuar. Dy djemtë e rinj janë predikues të Korpusit të Paqes, që dëshirojnë të takojnë Arbenin “për ta kthyer në rrugën e Zotit”. Arbitrariteti i rojës së portës ua lë misionin përgjysmë. “Kështu bëjnë gjithnjë këta. Të lënë të piqesh në diell nja dy orë të mira dhe pastaj hyn”, flet e irrituar mamaja e Arbenit. Kontrollorët i hapin qeset për të verifikuar përmbajtjen e tyre. Ndërhyrja është krejt pa kujdes. Ndërsa polici “gërmon” brenda qeseve, në dysheme shpërndahen kokrra domatesh, qepë të njoma, një revistë me kopertinë të grisur dhe një kostum sporti “Adidas”, i djegur në disa vende me cigare. “Benin e kam ndjekur që 3 vjeç nga shtëpia, jemi shpërndarë të tërë cep më cep. Nuk e shijova rritjen e asnjë nga fëmijëve të mi. Unë nuk i vë faj për atë që ka bërë, por as dua ta mbroj. Sido që të jetë, ishte i ati, dhe ai duhet të ish menduar përpara se ta qëllonte…”, tregon ajo.
* * *
Njeriu që prostituonte gruan e vet në të njëjtën shtëpi ku flinin edhe fëmijët nuk vdiq natën e 12 janarit. Pas 4 ditësh në gjendje kome, Aranit Avllazi u kthye në shtëpi, ku tashmë e priste vetëm e shoqja. “Babi ka ardhur dy herë të më takojë në burg. Të dyja herët po ajo fytyrë e pështirë dhe e frikshme. Ishte i acaruar. Nuk me shikonte në sy, vetëm më fliste për gjëra të përgjithshme dhe pa lidhje me ne”, tregon Arbeni. Takimi me personin që e qëlloi për ta vrarë, për 20-vjeçarin e dënuar për “vrasje të mbetur në tentativë”, është përballja më e vështirë e jetës. “E urreja si atë natë kur e qëllova. Nuk më shqitet asnjë moment nga mendja fytyra e tij që qeshte nën buzë duke thithur cigaren te dera kur mami ulërinte për t’i shpëtuar përdhunimit nga dy të huaj”. Sipas Arbenit, nuk ka asnjë mundësi që të dy t’i kthehen një marrëdhënieje normale familjare.
Në pritje të lirisë
Ajo që e tremb më shumë 20-vjeçarin është dita e parë pasi të dalë nga burgu. Vëllai punon diku në Sarandë, motra ka ikur në Amerikë te një prej të afërmve të mamasë, kurse prindërit janë bashkë vetëm në darkë, sa për të futur kokën nën të njëjtën çati. “Ne fëmijët u shpërndamë, kurse prindërit nuk u ndanë kurrë, pavarësisht se mami gjithë jetën ka duruar çdo gjëmë të ushtruar mbi të”, thotë i dëshpëruar i burgosuri 20-vjeçar.
Shkolla për të është një alternativë e pamundur, pasi arti dhe muzika duan frymëzim. Ai thotë se pasioni i vdes çdo orë e më shumë në qelinë 97 të paraburgimit të Vlorës. “Kam frikë se babi mund të hakmerret pasi unë të dal jashtë. Një mendje më thotë të mos shkoj fare në shtëpi…. Duhet të gjej një zgjidhje tjetër”, shprehet 20-vjeçari teksa drejton sytë nga qielli, ku duket sikur pret një përgjigje për dilemën e tij.
Ora është 13:00. Një zile njofton se është koha e hapjes së dusheve dhe Arbeni duhet të shkojë…

 

Esiona Konomi

© Panorama.al

Te lidhura