
Regjisorja kosovare flet për çmimin me filmin “Kthimi”
Blerta Zeqiri u vlerësua për filmin e shkurtër më të mirë në një nga festivalet më të rëndësishme
Blerta Zeqiri ruan ende të freskët shijen e fitores në Sundance Film Festival. Prej kthimit nga Amerika (të bujshëm falë “Kthimit”) më 30 janar, po konsumon një axhendë plot takime në Prishtinë e gjetkë. 33-vjeçarja që futi kombësinë shqiptare në listën e Sundance, është një artiste e re e plot aspirata dhe, siç mund të kuptohet nga intervista (ndonëse e realizuar në distancë), e sinqertë, e mbushur me frymëzim, dhe mbi të gjitha me ide, koncepte dhe qëllime të qarta në mendje. Kush nuk i ka parë filmat e saj, do t’i mjaftojë t’u hedhë një sy trajlerave të tyre në youtube dhe do të rrokë në ato pak sekonda frymën e regjisores nga Suhareka. Për më tepër do të kuptojë se Jury Prize in Short Film, International Fiction që iu atribuua filmit të saj “Kthimi”, nuk është një “deux ex machina”. Është rrjedhojë e një pune artistike, që ka njohur rritje film pas filmi dhe nga e cila mund të pritet shumë në të ardhmen.
Çmimi në Sundance Film Festival ishte një surprizë për të gjithë, aq më shumë për ju. E prisnit një vlerësim të tillë?
Festivali i Sundance për mua është festivali më i mirë i filmit. As që kam guxuar të ëndërroj se një ditë filmi im do të paraqitej në këtë festival. Nuk kam dashur të konkurroj në këtë festival, sepse mendoja se është kafshatë e madhe, e cila nuk më takon mua. Është festival i “të tjerëve”, i filmave me buxhet më të lartë. Fatmirësisht producenti i filmit, pa potencial te filmi, vendosi t’ia bëjë “hyzmetin” si duhet, duke e dërguar filmin për konkurrim në festivale të mëdha. Kështu, një ditë në telefon producenti më thotë se filmi është pranuar në Sundance në konkurrimin ndërkombëtar. Ky ishte realizimi i një ëndrre që nuk kam guxuar as ta ëndërroj. Në shfaqjet që kishte filmi në festival, dukej qartë që filmi pëlqehej nga publiku. Por prapëseprapë nuk guxoja të shpresoja në çmim, sepse juria do të mund të kishte mendim të ndarë me publikun. Dëshiroja të ruaja me çdo kusht gëzimin e seleksionimit të filmit dhe të mos më prishej me dëshpërimin e humbjes së garës. Për këtë arsye nuk kam dashur në asnjë moment të shpresoja se mund të fitonim çmim, e aq më pak çmimin kryesor në kategorinë ku garonim.
Në çastin e fitores çfarë të shkoi në mendje?
U nisa shumë ngadalë, duke e bindur veten se kjo që ndodhi nuk është kushedi çka, në mënyrë që të mund të përmbahesha pak më mirë. I thosha vetes: “Je 33 vjeç dhe po fiton me film të shkurtër, nuk është edhe kushedi se çka, mos u çmend! Tash duhesh të tregosh profesionalizëm, në mënyrë që të lësh përshtypje se di të punosh filma dhe se kjo është gjë e natyrshme për ty; Trego se hapi i ardhshëm është të bësh film të metrazhit të gjatë dhe se kjo është vetëm nisma….” Dhe pastaj dola në skenë dhe thashë: WOW! Mbajta frymën pak çaste, thashë disa fjalë falënderimi dhe tregova se hapi i ardhshëm imi do të jetë një film i metrazhit të gjatë.
Të flasim për “Kthimin”. Si lindi ideja për këtë film?
Në Kosovë ekziston një festival, që quhet “Nine Eleven Dedication Film Festival”, i cili prodhon filma. Drejtor i festivalit është Blerim Gjoci. Ai është edhe producent i filmit “Kthimi”, si dhe i të gjithë filmave të tjerë që prodhohen në kuadër të këtij festivali. Çdo vit festivali hap një konkurs për skenarë të filmit të metrazhit të shkurtër dhe deri 10 skenarë përzgjidhen për t’u realizuar. Edhe “Kthimi” ishte njëri prej skenarëve fitues. Kështu, një ditë, producenti i filmit më telefonoi dhe më pyeti nëse isha e interesuar që të punoja me një skenar, për të cilin mendonte se do të më shkonte për shtat. Problemi ishte se duhej të punoja shumë shpejt. Kisha 30 ditë prej leximit të skenarit deri në përfundim të filmit. E lexova skenarin. Më pëlqeu shumë situata në të cilin ishin vendosur personazhet dhe e pranova punën.
Çfarë ju tërhoqi më shumë në historinë e “Kthimit”?
Unë jam nga Suhareka, një qytezë e vogël në Jug të Kosovës, në të cilën kanë ndodhur disa nga krimet më mizore gjatë luftës së fundit. Gjithnjë kam ndier nevojën që të bëj diçka për këtë çështje. Në të njëjtën kohë më intereson dashuria dhe të qenët çift. Më intrigoi shumë mendimi se si mund të bashkëjetojnë dy njerëz me përjetime individuale aq tragjike. Dëshiroja të eksploroja pyetjen: A thua është e mjaftueshme vetëm dashuria për lumturinë e një çifti? Çfarë i ndodh dashurisë pas tragjedive të mëdha? A thua e tërë dashuria mund të tretet në energjinë që njeriu duhet të harxhojë për të mbetur “njeri normal”.
Të zhdukurit e luftës janë një realitet i dhimbshëm në Kosovë. Cili është reagimi i publikut në Kosovë kundrejt filmit tuaj? Kishit menduar për ta gjatë xhirimeve?
Mund të them se kjo ka qenë frika ime më e madhe gjatë realizimit të filmit: si do ta shihnin filmin njerëzit që janë viktima të krimeve të tilla të luftës? Çdo vendim artistik që kam marrë, është i shtyrë nga ky mendim. Qëllimi im ka qenë që filmi të jetë sa më i sinqertë, sa më afër realitetit dhe jetës reale.
Thatë se e realizuat filmin në një periudhë shumë të shkurtër, ka gjëra që do të kishit dashur t’i bënit më mirë?
Teksa punoja e kam ndier pa masë mungesën e kohës. Është me rëndësi të përmendet se prej ditës së parë të xhirimit, e deri te shfaqja e filmit, kemi pasur 10 ditë kohë. Kemi xhiruar për 3 ditë dhe 7 të tjera kemi kaluar në montazh, përpunim zëri, korrektim ngjyrash, grafika, përkthim e titrim. Kemi punuar pa ndërprerë, ditë e natë dhe nuk kishim mundësi që të distancoheshim pak nga projekti për të parë se çfarë duhet përmirësuar. Mirëpo, fatmirësisht kemi qenë të rrethuar me shokë shumë të mirë, të sinqertë, gjykimet artistike të të cilëve u besonim dhe na kanë ndihmuar që të mundim mungesën e kohës, me kritikat e tyre të sinqerta. Dhe kështu kemi pasur mundësi të vijmë deri te drafti final i montazhit me një shpejtësi të paparë. Asnjëherë pas përfundimit të filmit nuk kam ndier nevojën të ndryshoj diçka. Mendoj se çdo gjë ka shkuar mirë me gjithë vështirësitë kohore.
Përveç çmimit, çfarë përfituat tjetër në Sundance Film Festival?
Shumë kontakte për bashkëpunime në të ardhmen. Mendoj se kjo është rëndësia e festivalit, hapja e mundësive të ardhshme për punë. Një mundësi tjetër që është hapur me fitimin e çmimit në Sundance, është edhe kualifikimi për Oscar 2013 në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, edhe pse kjo ka vlerë vetëm nëse filmi arrin të futet në listën e të nominuarve.
ROVENA RROZHANI
© Panorama.al











