Altin Lala shpresoi që në shortin e Botërorit të 2014-s në grup të na binte Italia, pasi vetëm për këtë shkak mund të shtynte “pensionin” nga Kombëtarja. Por, i pyetur për këtë gjë, tashmë që kundërshtarët dihen, kapiteni ka pohuar se e ka vendosur “lamtumirën” e tij pas këtyre kualifikimeve. “Edhe sikur të binte Italia, unë nuk do të vazhdoja më me Kombëtaren. Kam dhe një vit kontratë në Gjermani dhe them ta mbyll futbollin. Realisht, pikë së pari dua të jem mirë me shëndetin. Dua të arrij diçka me Kombëtaren, dua ta mbyll në mënyrën sa më të mirë dhe të jenë të kënaqur tifozët. Ika unë, do të vijnë lojtarë të rinj, të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë. Shpresoj të gjendet edhe zëvendësuesi im. Por, për këtë është më mirë të pyesni trajnerin. Futbolli shqiptar ka nevojë të nxjerrë talente e që ta meritojnë të veshin fanellën e ekipit Kombëtar”, ka pohuar fillimisht në konferencën e djeshme për shtyp Altin Lala. Ndërkaq, i pyetur për Rosin dhe Vajushin, dy talente shqiptarë që janë tashmë pjesë e Bundesligës (Vajushi ende jo zyrtarisht), Lala ka këshilluar që ata të punojnë fort për të kapur formacionin. “Secili lojtar ka karakterin e tij. E rëndësishme është që ata të punojnë fort. Të kërkojnë më tepër nga vetja dhe të jenë shumë të disiplinuar. Nëse do të ecësh përpara, atëherë duhet t’i kushtohesh 100 për qind futbollit. Të mos tolerosh. Duhet të jesh kërkues dhe të kesh kualitete. Ata janë djem të rinj. Nuk do të thotë se bërë kontratë direkt në Bundesligë dhe je i detyruar të vish në Kombëtare. Natyrisht, ata kanë perspektivë. Kombëtarja është thjesht krenari. Nëse jep me skuadrën ku luan, atëherë Kombëtarja këtu është. Është lehtë të vish në Kombëtare, por duhet të japësh maksimumin që ta ndihmosh dhe atë”, ka vazhduar Lala. Dhe, në fund, i pyetur nëse ai vetë në një të ardhme të afërt do të kishte dëshirë të ishte pjesë e Kombëtares shqiptare, Lala u përgjigj prerazi: “Kam dëshirë ta ndihmoj Kombëtaren, gjithsesi unë do të jetoj në Gjermani. Nëse do të më kërkojnë ndihmë, do ta jap për aq sa do te kem mundësi”, ka përfunduar Lala.











