Një triller fantashkencor, i gërshetuar me aksion, dramë, por edhe nuanca komiciteti ka nisur të shfaqet në kinema Millennium. Bëhet fjalë për filmin “Source Code” me regji të Duncan Jones dhe protagonist aktorët Jake Gyllenhaal, Michelle Monaghan, Vera Farmiga apo Jeffrey Wright. Filmi është pritur mjaft mirë nga kritika dhe publiku. Media e specializuar ka vënë theksin jo vetëm në lojën e arrirë aktoriale, por edhe në këndvështrimin regjisorial që e kanë shndërruar “Source Code” në një film për të mos u humbur. Kapiteni Colter Stevens, pilot helikopterësh dhe veteran i luftës në Afganistan, zgjohet në një tren pa pasur as më të voglën ide se ku gjendet. Përballë tij ndodhet Christina, një vajzë e bukur që e njeh shumë mirë, ndërsa ai nuk e njeh aspak. Në xhep (e në pasqyrë) ka identitetin e një mësuesi të ri me emrin Sean Fentress. Pastaj ndodh një shpërthim që shpartallon vagonin. Por Colter nuk ka vdekur. Nga një monitor një grua me uniformë zyrtare e informon se duhet të kthehet në tren për të identifikuar atentatorin dhe për të parandaluar një sulm katastrofik. Për çdo herë që kthehet ka vetëm tetë minuta kohë. Asgjë më shumë nuk i bëhet e ditur pasi është pjesë e një misioni top-secret, të quajtur “Source Code”. Por a është “Source Code” një film anti-ushtarak? Jones përgjigjet për mediat e huaja: “Jo, filmi nuk shpreh një gjykim kundrejt ushtarakëve. Përkundrazi, kam shumë respekt për ata që impenjohen për të ruajtur jetën e njerëzve. Nga ana tjetër e kam të pamundur të jem antiushtarak, pasi familja ime është e ndarë më dysh: gjysma janë artistë dhe gjysma ushtarakë”.











