“SOS” nga shtatzënat, bora nuk i lejon helikopterët

Feb 14, 2012 | 12:23

Qyteti i Bulqizës i pushtuar nga bora

KUKES-DIBER/ Dy në rrezik, një tjetër dështon në muajin e katërt.

Sinjale “SOS” vijnë nga të katër anët e Kukësit e Dibrës për emergjenca shëndetësore. Helikopterët nuk kanë mundur të transportojnë dy shtatzëna, të cilat prej dy ditësh ndodhen në gjendje të rënduar. Njëra prej tyre është Valentina Sinani, e cila jeton në fshatin Pistë, komuna Malzi, zona më e thellë e Kukësit. Gruaja është në muajin e nëntë të shtatzënisë, por ajo rrezikon të presë fëmijën e saj në kushte rrethanore, në mes të borës, pasi helikopteri nuk mund të ulet në këtë zonë për shkak të vështirësive të mëdha prej stuhisë së borës. Shtëpia e saj është larg shtëpive të tjera të fshatit, ndërsa në gjendje të rëndë janë dhe familjarët e saj, të mbetur pa ushqime. Si për ironi të fatit, në vendin ku duhet të ulet helikopteri, në vitin 1999, në krizën e Kosovës, një helikopter i NATO-s u dogj në flakë dhe ra në fshat. Në situatë të tillë të vështirë, në pritje për të lindur janë dhe dy gra të tjera, njëra nga fshati Lekbibaj i Tropojës dhe tjetra në Arrën të Kukësit, të cilat mund të evakuohen vetëm me helikopter. Gjatë gjithë ditës së djeshme, mjetet nga ajri e kanë pasur tejet të vështirë të ulen, edhe në ato momente kur dëbora pushoi për pak kohë së rëni. Pas disa tentativash u arrit që të merrej shtatzëna nga Lekbibaj, në orët e vona të mbrëmjes, e të bëhej transportimi i saj drejt kryeqytetit. Një tjetër alarm erdhi dje nga familjarët e një nëne në muajin e gjashtë të shtatzënisë, banore e fshatit Shullanë, në komunën e largët të Dibrës, Kala e Dodës. Në këtë rast bëhet e ditur se helikopteri ka provuar të ulet për të marrë të sëmurën, por pa asnjë mundësi. Po në këtë rreth, në fshatin Kalle të komunës së Sllovës, vetë banorët i kanë shpëtuar jetën një nëne të re, në muajin e 4-t të shtatzënisë. Më shumë se 70 burra të fshatit e kanë transportuar 22-vjeçaren të dielën nga zona e thellë malore deri në spitalin rajonal të Peshkopisë. Janë dashur të paktën 6 orë udhëtim mes dëborës, që arrinte deri në 2 metra trashësi. Prefekti i Qarkut Dibër, Genci Sharku, tha se gruaja shtatzënë ka paraqitur probleme serioze për shëndetin e saj. Pak orë pas shtrimit, mjekët konstatuan humbjen e fëmijës.

Risku për shtatzënat, Ministria evakuon gratë mbi 7 muajshe
Ministria e Shëndetësisë vendos evakuimin e grave shtatzëna mbi 7 muaj. Ato do të dërgohen për të qëndruar në maternitetet e rretheve më të afërta nga zonat e tyre të banimit. Urdhri i fundit është firmosur dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, kjo ndërhyrje u pa e nevojshme për të mos u rrezikuar asnjë jetë nëne dhe foshnje në zonat e izoluara nga bora. Vasili siguroi gjithashtu se në çdo qendër shëndetësore të zonave rurale do të qëndrojë një mami për çdo rast emergjence. “Kemi urdhëruar që dje evidentimin e të gjitha grave shtatzëna në një moshë barre 7 muaj dhe lart, u kemi sugjeruar drejtuesve tanë të Emergjencës dhe drejtuesve të pushtetit lokal transportimin e tyre në spitalet që janë qendra rrethi dhe maternitete, për të qëndruar dhe për të qenë në vëzhgim mjekësor të trajtuar atje deri në kalimin e kësaj situate. Të gjithë drejtorët e qendrave shëndetësore mund të marrin mami me kontratë shërbimi për qendrat shëndetësore, ku ato nuk janë”, tha Vasili. Urdhri i djeshëm përcakton edhe një sërë masash të reja. Sipas tij, do të ketë përforcim të shërbimeve shëndetësore, shërbim shëndetësor në banesë në ato zona ku është i mundur, si dhe verifikim të rezervave me medikamente. “Jemi në një situatë të vështirë, me një evoluim të kushteve klimaterike aspak të favorshëm. Sigurisht që një situatë e tillë kërkon qëndrime dhe evoluime të reja, që ndryshojnë ditë pas dite. Ndaj dhe kemi vendosur të marrim disa masa të tjera shtesë. Praktikisht, në të gjitha shërbimet tona është kërkuar që personeli shëndetësor dhe kujdesi parësor të jetë në shërbim 24 orë në zonat e prekura nga reshjet e dëborës”, tha Vasili. Ai u ka kërkuar autoriteteve shëndetësore të bashkëpunojnë ngushtë me pushtetin lokal për të vendosur shërbim shëndetësor në banesa, ku aksesi është më i lehtë.

Gripi, situata nën kontroll
“Situata epidemiologjike në zonat e izoluara është nën kontroll. Numri i të prekurve nga gripi është rritur, por qendrat shëndetësore janë të furnizuara me paketën bazë të medikamenteve”, deklaroi dje ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, nga verifikimet e kryera deri tani ka rezultuar se disponohet fondi i duhur në medikamete për përballimin e situatës. Të vetmit që nuk ishin mbuluar ishin të sëmurët kronikë, të cilëve medikamentet pritet t’u dërgohen sot. Ndërkohë, nga sa raportohet nga këto zona, fëmijët dhe të moshuarit janë kategoritë që shënojnë edhe numrin më të lartë të rasteve të prekura nga gripi apo ftohjet.

Shëndetësia, pako me ilaçe në zonat e bllokuara
Ministria e Shëndetësisë ka nisur dje përgatitjen dhe shpërndarjen e pakove me ilaçe në zonat e bllokuara nga dëbora. Punonjësit e Ministrisë, në bashkëpunim edhe me biznesin, kanë bërë gati medikamentet më të nevojshme për banorët e izoluar. Nga verifikimet e kryera nga Ministria e Shëndetësisë, deri tani ka rezultuar se janë fondet e duhura në medikamente. Megjithatë, Vasili theksoi se “falë mbështetjes së pakushtëzuar të ofruar nga biznesi farmaceutik, kemi mundur të realizojmë atë që quhet paketa bazë për çdo qendër shëndetësore dhe komune”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ISKSH-ja. Hana ka urdhëruar nisjen e një procedure të veçante për mbulimin e shërbimit për këta të sëmurë. “Marrja e këtyre medikamenteve nuk do të ndjekë rrugën e zakonshme të rimbursimit, por komisionet tona të posaçme do të mundësojnë përpilimin e pakove të sakta me medikamentet mujore të pacientëve kronikë, të cilët më pas do të dërgohen për çdo person nominalisht, nëpërmjet Shtabit të Emergjencës dhe mjeteve të ushtrisë”.

Vermosh, e sëmura me traktor në kufi
SHKODËR – Një grua, banore e lagjes “Velipojë” të fshatit Vermosh, ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore, duke u vënë në dijeni dhe Shtabi i Emergjencave në Malësi të Madhe. Në pamundësi për të ndërhyrë nga ajri, kryetari i komunës Kelmend ka biseduar me kryetarin e komunës së Plavës në Malin e Zi, për ta dërguar gruan matanë kufirit. Me anë të një traktori, ajo është transportuar deri në kufi e më pas me një autoambulancë është transportuar deri në Plavë për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Mirditë, 5 orë rrugë për të sëmurin
MIRDITE – Emergjenca shëndetësore janë paraqitur në disa fshatra të Mirditës, por më i rëndi ka qenë ai i një fshati të komunës Fan. Prej këtij fshati është bërë evakuimi i Ded Nikës, i cili kishte pësuar plasje stomaku. Nga Domgjoni deri në Qendër-Fan e kanë sjellë vetë banorët e fshatit pas 5 orësh rrugë më këmbë, duke e transportuar në mjetin rrethanor barelë. Më pas u bë transportimi i tij drejt spitalit të rrethit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes nga mjekët.

Gjirokastër, i dehuri gjendet i vdekur
GJIROKASTER – I dehur kalon natën në rrugë, gjendet i vdekur 56-vjeçari nga Gjirokastra. Andrea Toska nga lagjja “Pllakë” u gjet pa asnjë shenjë jete mëngjesin e djeshëm, në mes të shiut dhe në kushtet e temperaturave të ulëta gjatë natës. Askush nuk e kishte vënë re në kohë Toskën, i cili jetonte i vetëm pas divorcit. Vetëm në mëngjes herët, disa orë pas ngjarjes, ai u gjet nga kalimtarë të rastit, të cilët e transportuan me urgjencë për në spital, ku mjekët thanë se pas 2 orësh ai ndërroi jetë.

KUKES/DIBER

© Panorama.al

Te lidhura