
Vizitën zyrtare në Slloveni, kreu i qeverisë shqiptare e nisi me homologun e tij, Janez Jansa. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri slloven vuri theksin te bashkëpunimi ekonomik, i cili sipas tij nuk është i lartë. “Gjatë takimit identifikuam se ekzistojnë interesa të përbashkëta për shkëmbime ekonomike e tregtare. Këto shkëmbime midis dy vendeve tani për tani janë relativisht të ulëta. Ne kemi biseduar për bashkëpunimin në fushën e energjetikës, turizmit, ujit, si dhe për rrugët e forcimit të këtij bashkëpunimi. Qeveritë e të dyja vendeve do të bëjnë gjithçka që të krijojnë kushtet e favorshme të bashkëpunimit. Gjithashtu, ne bashkëpunojmë dhe jemi mbështetës në çdo hap që Shqipëria bën drejt rrugëtimit të saj në Bashkimin Europian”, tha Jansa. Nga ana e tij Berisha u shpreh se “Në të gjitha këto përpjekje, Sllovenia ka qenë një avokat i shkëlqyer i interesave tonë europiane. Ajo që në fillim të themelimit të saj ka luajtur një rol madhor në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, ndaj dhe unë shfrytëzoj rastin t’ju jap Ju, zoti Kryeministër, dhe kombit mik slloven, urimet më të përzemërta në këtë 20-vjetor, një histori e madhe dhe suksesi të shkëlqyer, sikundër ju ftoj ju të festojmë së bashku 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë më datë 28 Nëntor”. Më pas, kreu i qeverisë shqiptare u takua me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk. Në takim u diskutua mbi prioritetet e Kryesisë Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe kontributin që vendi ynë mund të ofrojë në këtë drejtim në shumë aspekte, një ndër të cilët është bashkëpunimi rajonal apo afrimi i pranverës arabe me Këshillin e Europës dhe ndihma që mund t’u jepet këtyre vendeve nga përvoja e këtij të fundit. Berisha pati një takim gjithashtu edhe me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Sllovenisë, Gregor Virant.











