Myftar Tare duke rrëfyer për “Panorama” (Foto Vlasov Sula)
Myftar Tare: Grekët vodhën fjalimin e Enverit
Përplasjet e Enverit me kryeministrin e Greqisë.
Grekët në Konferencë: Omer Nishani ka qenë fashist.
Në regjistrimin e vitit 1945 rezultoi se në Himarë nuk jetonte asnjë minoritar grek. Bashkë me faktin e panjohur, zbardhur nga rrëfimi i Myftar Tares, ish-funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, në numrin e kaluar publikuam faksimilet autentike me statistikat e regjistrimit të popullsisë në vitin 1921, 1930 dhe 1945. Për herë të parë, sipas zëvendësit të Koci Xoxes, dosja me të dhënat e tyre u bë prezent në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1946. Ideja për t’i paraqitur aty, lidhej me kundërargumentet e përfaqësuesve shqiptarë ndaj pretendimeve të palës greke për Shqipërinë e Jugut, shtjellon Tare duke kujtuar mënyrën si u procedua për censusin e 1945-s dhe produktin e përftuar prej tij lidhur me shifrat e popullsisë dhe minoritarëve që jetonin në atë kohë në Shqipëri. Në vijim, rrëfimi i njeriut që ka shoqëruar Enver Hoxhën në Konferencën e Paqes në Paris, sjell dëshmi të tjera nga ditë-netët e tensionuara te delegacionit shqiptar në tryezën në zemër të botës në Paris, ku ndaheshin fatet e shumë vendeve e njëherazi edhe të Shqipërisë të sulmuar aty egërsisht nga Greqia dhe ende të pa rreshtuar me vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore…
…vijon nga numri i kaluar
Konferenca e Paqes nisi punimet në korrik të vitit 1946.
Ftesa për praninë e Shqipërisë aty u vlerësua nga Tirana si një moment i rëndësishëm, nga ku mund të përfitonim shumë si një nga vendet fituese të luftës. Deri në atë kohë, grekët na akuzonin si shtet pushtues që kishim mbështetur Italinë fashiste, madje që bashkë me të kishim pushtuar Greqinë në vitin 1940. Të vetmit që kishim me vete në kuazën tonë ishin vendet e Bllokut Lindor… Zoti Myftar, në çfarë rrethanash jeni bërë pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris?
Zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris nuk isha pjesë e delegacionit, por ndihmës i Enver Hoxhës, sekretar personal i tij. Së paku ky ishte statusi me të cilin u paraqitëm para organizatorëve të Konferencës. Asokohe kryeja detyrën e shefit të Zbulimit të Jashtëm dhe, me sa duket, funksioni e kërkonte të isha i pranishëm në këtë veprimtari të rëndësishme… Kush jua komunikoi udhëtimin drejt Francës dhe detyrën që do të kryenit aty?
Urdhrin për t’iu bashkuar delegacionit shqiptar në Paris ma komunikoi Enver Hoxha në zyrën e tij në Tiranë. Aty mësova se me grupin tonë do të ishin edhe dy të tjerë, Vaskë Koleci, kryetar i Sigurimit të Brendshëm dhe Shefqet Musaraj, gazetar i “Zërit të Popullit”. Pavarësisht funksioneve që mbanim në Ministri të Brendshme, unë dhe Vaska do të paraqiteshim si shoqërues të Enverit, ndërsa Shefqeti do vazhdonte në profesionin e vet të gazetarit. Konferenca kishte gati dy javë që kishte filluar… Pra, Enveri nuk kishte shkuar në Paris, ndërkohë që Konferenca kishte filluar…
Enver Hoxha në Konferencën e Paqes
Konferenca kishte filluar në korrik. Ne përfaqësoheshim aty me një delegacion të kryesuar nga Hysni Kapua. Kur punimet e saj po mbushnin dy javë, në Tiranë mbërriti lajmi se duhej rritur niveli i përfaqësimit zyrtar të Shqipërisë. Pra, duhej vet kreu i vendit. Me këtë rast u formatua grupi që do shoqëronte Enverin dhe brenda pak ditësh u nisëm në Paris… Në atë kohë ju dhe Vaskë Koleci ishit drejtuesit kryesorë të zbulimit dhe kundërzbulimit të shtetit. Me se kishte të bënte misioni tuaj në përbërje të delegacionit shqiptar?
Ne aty de juro ishim sekretarë personal të Enverit. Ky ishte si të thuash statusi zyrtar që depozituam te autoritetet e Konferencës në Paris, por misioni i vërtetë lidhej me sigurinë fizike të Enverit. Me një fjalë truproja të Enverit…
Në fakt, me sigurinë fizike të Enverit sipas protokollit përkatës ishin angazhuar organet franceze. Ato mbulonin me truproje e eskorta të veçanta të gjithë krerët e delegacioneve. Sakaq, numër i madh specialësh shërbenin për sigurinë e sallës së Konferencës dhe të mjediseve të tjera ku punonin dhe pushonin delegatët e saj. Shkurt, çështjet e sigurisë ishin detyrim i organizatorëve. Në rastin e Enverit, së paku për ne, kishte një veçori specifike… Kur të gjithë krerët e delegacioneve siguroheshin me truproja franceze, pse duhej që Enveri të kishte edhe truproje shqiptare?
Rasti i Enverit dhe delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes ishte disi më i veçantë për vet kushtet e vendit tonë në atë periudhë. Së pari, Shqipëria dhe lidershipi i saj ishin vënë në shënjestrën e Greqisë dhe të shërbimeve të saj të fshehta. Asokohe Franca, e veçanërisht Parisi, ishin bërë streha e një grupi të madh të kriminelëve të Luftës të arratisur nga Shqipëria, menjëherë pas fitores mbi okupatorin. Ndër të tjera, aty ishte strehuar njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të Enverit, Sadik Premtja. Për këto arsye, Parisi i atyre ditëve vlerësohej me rrezikshmëri të lartë për Enverin dhe liderët e tjerë të delegacionit. Në varësi të kësaj situate, qysh në Tiranë përpunuam një plan të detajuar me masa konkrete për të parandaluar çdo të papritur. Një plan i hartuar në Tiranë për t’u implementuar në Paris…
Përzgjedhja e kreut të zbulimit dhe kundërzbulimit të shtetit në përbërje të delegacionit kishte të bënte me shmangien e kontaktit me këtë kategori, ku bënin pjesë kriminelë lufte, trafikantë, vrasës të arratisur, kundërshtarë të regjimit etj. Funksioni im e i Vaskës (Kolecit) në Sigurimin e Shtetit na kishte ofruar informacion të detajuar mbi profilin e tyre. Kishim arritur deri aty sa për pjesën më të madhe të posedonim edhe fotografitë e tyre. Çështja e Sadik Premtes, ndër to vlerësohej si më e rrezikshmja. Vet Enveri ishte shumë i interesuar për të. Sipas tij, për aq kohë sa Premtja lëvizte i lirë në Paris, delegacioni ynë nuk ishte i sigurt… Me një fjalë, Sadik Premtja ishte në krye të listës së njerëzve të rrezikshëm. Si u operua për izolimin e tij?
Sadik Premtja
Çështja e Sadik Premtes ishte sa delekate, aq edhe e vështirë. Zgjidhja e saj na kushtoi orë të tëra bisedime me autoritetet e Sigurisë franceze. Për këta të fundit, këmbëngulja jonë për ta izoluar dhe evakuar nga Parisi ishte diçka paradoksale. E tillë vlerësohej prej tyre edhe kërkesa për ta mbajtur nën vëzhgim të pandërprerë. Megjithatë, në fund arritëm t’u marrim një “Ok” e të marrim frymë lirisht. Më në fund e izoluat…
Falë bashkëpunimit me të “zotët e shtëpisë”, Sadik Premtja për “arsye zyrtare” u transferua në një provincë larg Parisit. Aty qëndroi disa javë. Ndryshe Enveri nuk mund të futej në sallën e Konferencës. “Kavolishencat” e Premtes sakaq këqyreshin nga afër nga ekspertët tanë në terren. Prej tyre informoheshim orë e çast për lëvizjet e tij. Vet Enveri pyeste herë pas here ç’ndodhte me të. Kjo situatë vazhdoi e tillë deri ditën e fundit. Sadiku me sa mora vesh u kthye te streha e tij në Paris kur ne kishim mbërritur në Tiranë… A është e vërtetë që Enveri ka udhëtuar drejt Parisit me avionin personal të Titos?
Me porosinë e Titos nuk ishte zgjidhur vetëm çështja e avionit, por edhe itinerari i fluturimit. Ndalesën e parë pas Rinasit e bëmë në Beograd. Prej aty fluturuam për në Bled, një zonë turistike në Slloveni, ku na priste Tito, i shoqëruar nga Aleksandër Rankoviçi, asokohe zëvendëskryeministër dhe Vukamanoviç Tempoja, anëtar i Byrosë Politike, ish-misionar i Jugosllavisë në Shqipëri. Bisedimet zgjatën rreth dy orë. Tito fliste me pasion për luftën dhe mënyrën si e kishte realizuar Jugosllavia fitoren mbi fashizmin. Në të njëjtën linjë vazhdonte dhe Enveri për lëvizjen Nacionalçlirimtare. Madje, një moment nuk nguroi të vinte në vëmendjen e bashkëbiseduesit edhe kontributin e reparteve partizane në luftën për çlirimin e Jugosllavisë. Ky ishte çasti kur Tito lëshoi një mori lëvdatash për krerët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Po për Konferencën e Paqes, çfarë u fol gjatë takimit?
Gjatë bisedës me Titon në Bled natyrisht që u fol gjatë për çështjen e Konferencës së Paqes. Tito i mëshonte idesë së parashtrimit të kontributeve të vendit tonë në luftën kundër fashizmit dhe këmbëngulte te presioni që duhej të ushtronim aty për ta renditur Shqipërinë në radhët e fituesve të Luftës.
Ishte koha kur ende fuqitë e mëdha nuk ishin shprehur për rolin e vendit tonë në koalicionin antifashist dhe qarqet shoviniste greke trumbetonin alibinë sipas të cilës Shqipëria kishte pushtuar territore të Greqisë. Kur mbërriti delegacioni shqiptar në Paris?
Në Bled qëndruam një natë. Të nesërmen fluturuam për në Pragë. Aty Klement Gottëald, kryeministri i Çekosllavakisë rezervoi një takim të ngrohtë për Enverin ku u bisedua për punimet e Konferencës. Në Paris mbërritëm më 20 gusht. Në aeroport kishin dalë për të na pritur pjesëtarët e tjerë të delegacionit që kishin shkuar më herët. Kishte dalë gjithashtu edhe Eduard Kardeli, kreu i përfaqësuesve jugosllavë në Konferencën e Paqes. Hysni Kapua e informoi Enverin për debatet deri në atë periudhë. Nga raporti i tij për punimet e Konferencës më bëri pështyje sjellja pro Greqisë e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe… Në çfarë situate e gjeti Enveri debatin në Konferencën e Paqes?
Enveri mori pjesë në seancën e 21 gushtit. Në sallë ishte një situatë e ndezur. Deri në këto momente grekët e kishin kthyer çdo gjë në favor të tyre, duke konsumuar lloj-lloj akuzash në adresën tonë. Me argumentet e tyre të sajuara ata tentonin ta fusnin Shqipërinë në anën e shteteve agresore, duke synuar aneksimin e Vorio Epirit në territorin e Greqisë. Protagonist i këtij revanshi ishte bërë Kryeministri i Greqisë, Kostantin Kaldaris. Në krye të herës, ai kishte pohuar se në fillim të shekullit XX ka pasur një traktat të nënshkruar nga kryeministri grek Teotokis dhe ai shqiptar, Ismail Qemali, që ia kalonte Vorio Epirin Greqisë. Në vijim, Kaldaris artikuloi një mori akuzash, sipas të cilave vendi ynë kishte bashkëpunuar hapur me fashizmin për pushtimin e Greqisë. Marrëzia e tij arrinte deri aty sa armatën e 28 mijë dëshmorëve tanë i quante vorioepiriotë të vetëflijuar për bashkimin e atdheut të tyre. Pati madje edhe akuza të drejtpërdrejta për personalitetet të larta të regjimit, të cilët i penalizonte si bashkëpunëtorë të fashizmit komunist… Kush ishin këto personalitete?
Kostantin Kaldaris solli aty dy fakte për dy nga funksionarët e lartë të Shqipërisë. Njëri për Presidentin e vendit dhe tjetrin për shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Së pari shpalosi në podium një faksimile të gazetës “Tomorri” të vitit 1940, duke lexuar me zë të lartë një thirrje publike të Omer Nishanit për t’u futur në partinë fashiste. Pastaj vuri në vëmendjen e të pranishmëve faktin që ky njeri është Presidenti i Shqipërisë. Sa mbaroi me këtë, Kaldaris nxori një dokument tjetër tek i cili pretendonte se ishte një urdhër i Spiro Mojsiut, ish-komandant i batalionit “Tomorri”, për të sulmuar territorin e Greqisë. Jo vetëm kaq, pohoi më tej ai, por ky njeri që drejton shtatmadhorinë e ushtrisë shqiptare, ka bërë reprezalje të përgjakshme deri në Kostur… Cili ishte reagimi i Enverit ndaj këtyre akuzave?
Enveri jo vetëm i kundërshtoi këto me argumente, por denoncoi hapur veprimet shoviniste të monarko-fashistëve grekë në territoret shqiptare. Diçka më konkrete nga diskutimi i Enverit në Konferencë…
Diskutimi i Enverit ishte përgatitur më herët dhe ishte depozituar në sekretarinë e konferencës. Aty na ndodhi diçka e papritur me të… Çfarë?
Kjo histori e ka zanafillën në mbrëmjen e 20 gushtit. Teksa kishim shkuar në hotel për të pushuar, Enveri më dërgoi te sekretaria e Konferencës për të tërhequr fjalimin që ishte depozituar më parë. Aty mësova diçka shqetësuese. Njëra nga punonjëset e sekretarisë më tha se një kopje të fjalimit më parë e kishin marrë grekët. Sa u ktheva e informova për këtë Enverin. Aty për aty ai nuk shprehu ndonjë shqetësim të veçantë, por mori kopjen e fjalimit dhe shkoi në dhomën e hotelit. Tërë natën e punoi nga e para… Si u prit fjalimi i Enverit në sallë?
Fjalimi i Enverit zgjati gati një orë. I artikuluar me patos dhe me një ton solemn, ai u dëgjua me vëmendje të madhe nga të pranishmit. Fillimisht në të rrëzoheshin me argumente pretendimet dhe akuzat e palës greke, pastaj fokusi i tij përfshinte rolin e Shqipërisë si pjesë e koalicionit antifashist, duke veçuar faktin që vendi ynë ishte nga të rrallët në Europë që u çlirua me forcat e veta. Interes ngjalli sidomos pjesa ku Enveri denoncoi palën greke për cenimin e sovranitetit të Shqipërisë dhe gjenocidin e pashembullt ndaj komunitetit shqiptar të Çamërisë. Ç’ndodhi më tej?
Fjalimi i Enverit ndryshoi tërë rrjedhën e debateve në Konferencë. Fill pas tij e marrin fjalën përfaqësuesit e vendeve të bllokut komunist, që jo vetëm mbështesin kauzën e delegacionit shqiptar, por shkonin më tej me akuzat për qëndrimet shoviniste të Greqisë. E gjitha kjo bëhej që opinioni në Konferencë, por edhe jashtë saj, të kthehej në favor të vendit tonë. E vërteta është se debatet në vazhdim ndikuan ndjeshëm në përmbysjen e opinionit të deriatëkohëshëm. Për rrjedhojë, vendi ynë u rreshtua në krah të shteteve fituese të Luftës së Dytë dhe ofensiva e monarkofashistëve grekë mori një shuplakë të fortë në Paris…
Napolon Zerva, gjenerali shqiptar që masakroi shqiptarët e Çamërisë
Napolon Zerva
Napolon Zerva, gjenerali famëkeq, arkitekti i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ishte shqiptar! Në shtjellim të këtij fakti tronditës, Myftar Tare, ish-zëvendësministri i Brendshëm, saktëson detaje të tjera që hedhin dritë jo vetëm mbi origjinën e tij. “Zerva, rrëfen zëvendësi i Koci Xoxes, ishte nga Selcka, fshat në afërsi të Poliçanit të Gjirokastrës, i njohur për popullsi ortodokse autoktone shqiptare. Nga periudha kur shërbente në Sigurimin e Shtetit, ai kujton se gjenerali i masakrës së Çamërisë është futur disa herë ilegalisht në fshatin e tij, ku takohej me të afërmit që ende jetojnë aty. Sidoqoftë, vëren Tare, në të gjitha rastet strukturat tona e merrnin vesh kur Zerva mbërrinte në Athinë. Për zyrtarin e lartë të zbulimit, emri i kryeterroristit ka qenë në krye të listës së kriminelëve që gjurmonte shërbimi i fshehtë. Pavarësisht mënyrës si na sfidonte me vizitat në vendlindje dhe manovrat me agjentët e ASFALI-së, në jug të vendit ne e ndiqnim këmba-këmbës veprimtarinë e tij, shprehet ish-zëvendësministri i Brendshëm, duke kujtuar se në Athinë një nga rrugët kryesore ende vazhdon të mbajë emrin Napolon Zerva. Sidoqoftë, sipas Tares, ky emër i frikshëm mbetet në ballin e bllokun e zi me emrat e shqiptarëve që kanë martirizuar shqiptarët…