
Për pak javë shpallen fituesit në shkollat e larta. Në një intervistë për gazetën, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu, sqaron në çfarë faze është procesi i llogaritjes së pikëve për maturantët dhe si do të veprohet me fituesit.Ai vë theksin tek vëmendja që duhet t’i kushtojnë kandidatët të dhënave personale dhe pikëve për 10 preferencat të cilat do të publikohen brenda pak ditësh në të gjithë shkollat e vendit.
Matura Shtetërore është mbyllur dhe tani maturantët janë futur në fazën e parë të garës për në universitete, e cila administrohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Mund të na thoni në çfarë faze është ky proces?
Aktualisht jemi drejt përfundimit të hedhjes së të dhënave në sistem. Brenda pak ditësh pritet që të botohet Libri i Transparencës, i cili dërgohet në të gjitha shkollat. Në të paraqiten gjeneralitetet e maturantëve, si dhe pikët që ata kanë grumbulluar për të 10-të preferencat e shkollës së lartë në formularin A2. Nxënësit do të kenë kohë të bëjnë korrigjimet e mundshme në rast se do të ketë të tilla dhe pastaj në shtator do të shpallen fituesit.
Më konkretisht, ju thatë që jeni drejt përfundimit të hedhjes së të dhënave në sistem. Dimë që renditja e fituesve bëhet nga një lexues optik në mënyrë elektronike. Maturantët duan të dinë si funksionon ky proces?
Ne kemi dy faza të hedhjes së të dhënave. Faza e parë ka të bëjë me skanimin një për një të të gjithë formularëve A2. Kjo, në mënyrë që të krijojmë atë bazë të dhënash që quhet imazheri. Është mjaft e rëndësishme kjo fazë, sidomos për ankimimet. Nëse një maturant nuk ka fotokopjuar formularin A2 dhe pas shpalljes së listave të fituesve ankohet se i është bërë një padrejtësi, ne i paraqesim në variant të skanuar formularin e tij ku janë preferencat dhe të dhënat personale. Kjo për t’u dhënë atyre garancinë se procesi është transparent. Dua të theksoj se është një punë voluminoze që bëhet, pasi kemi të bëjmë me më shumë se 41 mijë formularë A2, të cilët hidhen në sistem një për një. Më pas kemi fazën e dytë, që ka të bëjë me hedhjen në sistem të mesatares dhe të preferencave të çdo maturanti. Në këtë mënyrë krijohet një database të dhënash. Sigurisht, për këtë proces ka programe speciale që përdoren nga ekspertët tanë të informatikës. Më tej kemi hyrjen në sistem, me anë të të cilit, pas hedhjes së të dhënave, bëhet një renditje e maturantëve sipas pikëve që ata kanë.
Renditja e fituesve do të bëhet pas publikimit të Librit të Transparencës?
Sigurisht që po. Brenda datës 17 gusht do të përfundojë Libri i Transparencës, i cili do të dërgohet në shkolla. Ky material do të botohet në dy formate. Formati i parë do të përmbajë vetëm gjeneralitetet e maturantëve (emër, mbiemër, atësi, datëlindje). Nuk do të ketë të dhëna të tjera për të respektuar privatësinë e nxënësve. Në këtë format ata do të kontrollojnë nëse u është bërë ndonjë gabim me gjeneralitetet. Te formati i dytë nuk do të ketë emra. Do të jetë vetëm numri ID i nxënësit, notat e provimeve, mesatarja dhe pikët për të dhjetë preferencat që ka zgjedhur. Pra, e theksoj, që është bërë kjo ndarje në mënyrë që të mos ketë shkelje të së drejtës së gjithsecilit për ruajtjen e privatësisë, siç ndodhte vite më parë. Pasi të jenë konsultuar me të dyja këto formate, nxënësit do të kenë mundësi të korrigjojnë gabimet e mundshme duke plotësuar formularin e korrigjimit të pasaktësive. Për të do të kenë 5-6 ditë kohë.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, brenda datës 11 shtator shpallen fituesit. Do të zbatohen afatet e vendosura?
Ne shpresojmë që po. Pasi të jetë mbyllur edhe grumbullimi i formularëve të korrigjimit të pasaktësive, të cilat na vijnë nga drejtoritë arsimore, ne presim konkurset e arkitekturës dhe akademive. Më përfundimin e tyre në fillim të shtatorit do të bëhet renditja e fituesve dhe shpallja e listës paraprake. Është një proces që ne e kemi bërë çdo vit dhe nuk ka ndryshuar. Jam optimist se do të zbatohen afatet.
17 gusht
është data kur do të përfundojë Libri i Transparencës, i cili do të dërgohet në shkolla. Ky material do të botohet në dy formate. Kandidatët duhet të kontrollojnë të dhënat personale dhe pikët
11 shtator
është data kur do të shpallen fituesit në shkollat e larta të vendit.
Pas listës paraprake kandidatëve për studentë do tu lihen disa ditë kohë për regjistrimet
41 mije
maturantë kanë plotësuar formularin A2 dhe konkurrojnë këtë vit në shkollat e larta.
Një pjesë e tyre, pavarësisht kësaj procedure, do të ndjekin studimet jashtë vendit
Lista e ndërmjetme
Në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, AKP në datën 23 shtator 2011 shpallë listën e ndërmjetme në webin e MASH. Sa i përket regjistrimit përfundimtar, kandidatët të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë.
Regjistrimet, këtë vit procesi në 2 faza
Këtë vit procedurat e regjistrimit në shkollat e larta do të jenë të ndryshme me ato të një viti më parë. Nga 3 faza nëpër të cilat kalonte ky proces vitin e kaluar, këtë vit do të kryhet në dy. Ministria e Arsimit pak ditë më para ka bërë publike datat dhe procedurat që do të ndjekin fituesit. Në udhëzimin përkatës jepet edhe afati i fundit që Agjencia Kombëtare e Provimeve ka për shpalljen e fituesve. Data 11 shtator është vendosur si afat, kur lista me renditjen sipas parimit të meritë-preferencës do të bëhet publike. “Regjistrimi i kandidatëve për të fituar statusin e studentit të pranuar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë do të zhvillohet në 2 faza: Regjistrimi paraprak, regjistrimi përfundimtar”, thuhet në udhëzimin e MASH. Vitin e kaluar përcaktohej se procesi do të kalonte në 3 faza. Nxënësit pas regjistrimit paraprak dhe rishpërndarjes së kuotave bënin regjistrimin e ndërmjetëm. Pas tij vinte regjistrimi përfundimtar. “Kandidatët fitues bëjnë regjistrimin paraprak të tyre në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve nga data 12 shtator 2011 deri në 18 shtator 2011 nga ora 08:00, deri në orën 18:00”, thuhet në udhëzim. Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të përcaktuara në udhëzim. “Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdolloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve”, përcakton udhëzimi.
deget
Preferenca më e lartë është Preferenca 1. Mbi bazën e preferencave të shpallura dhe renditjes së tyre do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet fillimisht Preferenca 1, nëse maturanti është fitues, shpallet për regjistrim në Universitetin përkatës. Nëse nuk është fitues në Preferencën 1, kontrollohet Preferenca 2 e kështu me radhë deri në Preferencën 10. Maturanti shpallet fitues në Preferencën më të lartë ku ka grumbulluar pikët e nevojshme. Fitues ai është vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë në grupin e preferencave ku ka grumbulluar pikët e mjaftueshme.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











