Trajneri i Francës, Lorent Blank, ka shpallur listën e lojtarëve për këtë ndeshje duke pohuar se kuqezinjtë e Josip Kuzhesë do të jenë tejet të motivuar, ndaj do të jetë mjaft e vështirë për të marrë fitoren në Tiranë.Madje, Blank ka shkuar edhe më tej kur ka theksuar se do të luajë disi në mbrojtje fillimisht dhe vetëm pasi të ketë analizuar mirë kundërshtarin, do të kërkojë fitimin e ndeshjes.
Sa e vështirë ka qenë për ju kjo listë, duke pasur parasysh mbrojtjen?
Është gjithnjë e vështirë që të bësh zgjedhje, sidomos në atë repart të fushës dhe për më tepër kur je i kondicionuar nga dëmtime e kualifikime. Mekse është i dëmtuar prej kohësh, ashtu sikundër edhe Mamadou Sako, ndërsa Adil Rami është i pezulluar. Lorent Kosçielni, edhe pse ka bërë disa përparime pas dëmtimit me Arsenalin, përsëri nuk është në formën e tij më të mirë. Ky është reparti ku, natyrisht, kam shumë dyshime, ndaj dhe e pata të vështirë që të zgjidhja lojtarët për këto dy ndeshje.
Duhet që të zbarkojmë në Tiranë me një lloj shpirti luftarak?
Nuk besoj. Sigurisht janë vende si Shqipëria dhe Rumania, ku është mjaft e vështirë për të luajtur edhe për shkak të rëndësisë që ata i kushtojnë një takimi të tillë. Janë njerëz që na vlerësojnë dhe duan shumë, por në të njëjtën kohë kanë një dëshirë të zjarrtë për të na mundur, qoftë edhe një herë të vetme. Pa harruar gjithashtu se si Shqipëria, ashtu dhe Rumania janë skuadra që realisht bëjnë llogaritë e tyre për kualifikimet e europianit 2012, pasi edhe ato janë ende në lojë.
Keni rikthyer Valbuenan dhe Frenk Riberi…
Duheshin shumë për fazën sulmuese, por paradoksalisht duhet t’ju them se ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë do të mendojmë shumë edhe për fazën mbrojtëse. Që të dyja këto ekipe do të shpalosin në fushën e lojës dyluftime të ashpra dhe mos pretendoni të shikoni të njëjtën ndeshje si ndaj Kilit. Në këtë kontekst, na duheshin lojtarë ofensivë, të cilët të mund të na japin ato mundësi shënimi që do na duhen për të fituar ndeshjen. Valbuena ka kaluar një periudhë të vështirë, por unë iu referova ndeshjes që luajtëm në Bosnjë, ku ai shkëlqeu. Duke parë se luajmë ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë, dy skuadra këto pak a shumë si Bosnja, atëherë mendova që Methju (Valbuena) do të më bënte shumë punë.
Mendoni që të luani një lojë fillimisht mbrojtëse, sikundër bëtë ndaj Bosnjës, edhe në Shqipëri?
Nuk do jetë e njëjta gjë, pasi nuk kam në dispozicion të njëjtët lojtarë, të paktën në mbrojtje. Mendoj se në minutat e parë do të analizojmë lojën e shqiptarëve dhe më pas do të kërkojmë të mbyllim takimin. Ju siguroj se do të jetë një ndeshje komplet ndryshe nga miqësorja me Kilin. Gjithsesi, për momentin nuk kam ende në kokë një formacion kundër Shqipërisë.
Sa rol do të ketë aspekti psikologjik ndaj Shqipërisë?
Mund të jetë problematik për një ose dy lojtarë, por jo për gjithë grupin. Të gjithë lojtarët tanë luajnë në skuadra të mëdha dhe kampionate mjaft të forta, ndaj janë të përgatitur edhe për ndonjë presion që do të kenë në të tilla ndeshje.
Lista e Francës
Portierë – Sedrik Karraso (Bordo), Hugo Loris (Lion), Stiv Mandanda (Marsejë).
Mbrojtës – Erik Abidal (Barcelona), Patris Evra (Mançester), Joune Kabul (Totenham), Laurent Kosçielni (Arsenal, Adil Rami (Valencia), Antoni Reveilje (Lion), Bakari Sanja (Arsenal).
Mesfushorë – Johan Kabaj (Njukastëll), Alou Diarra (Marsejë), Jan M’Vila (Renë), Florent Malouda (Çelsi), Marvin Martin (Sosho), Blez Matuidi (PSG), Samir Nasri (Mançester Siti), Methju Valbuena (Marsejë).
Sulmues – Karim Benzema (Real Madrid), Kevin Gameiro (Paris Son-Zhermë), Gijom Hoarau (Paris Son-Zhermë), Zheremi Menez (Paris Son-Zhermë), Loik Remi (Marsejë), Frank Riberi (Bajern).











