
“Vrapo drejt Europës”. Me këtë moto u zhvillua dje maratona e garave me biçikleta në kryeqytet, ditën e 62-vjetorit të themelimit të BE-së. Në të morën pjesë figura të njohura të politikës, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe dhjetëra qytetarë. Kryebashkiaku Lulzim Basha mbërriti në destinacion përpara ambasadorit të BE-së, Etore Sekui. Ndërsa u shkëmbyen batuta mes pjesëmarrësve në këtë garë, kreu i Bashkisë tha se vendi ynë është i vendosur për të vrapuar pa u lodhur drejt destinacionit final, anëtarësimit në BE. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, u bënë pjesë e garës së vrapimit. Në mesazhin e tij në këtë ditë, zoti Basha theksoi vendosmërinë dhe angazhimin për të ndërtuar Tiranën europiane. “Në këtë muaj të Europës, në Tiranë do të marrin jetë projekte të mëdha. Tirana këtë muaj do të presë investitorë të rëndësishëm nga mbarë bota, të cilët duan të bëhen pjesë e zhvillimit të saj, disa prej tyre të ardhur nga Kina janë fare pranë, në panairin që hapet vetëm pak minuta
më vonë, në Pallatin e Koncerteve”, tha Basha. Ambasadori i Komisionit Europian, Etore Sekui, theksoi se Europa nuk është thjesht “dokumente” dhe standarde që duhen arritur, por edhe shpirti e fryma që u dëshmua gjatë maratonës. “Jam shumë i lumtur që ju morët pjesë në këtë aktivitet, pasi Europa nuk është thjesht ‘dokumente’ dhe gjëra që duhen arritur, por është edhe ky shpirt, frymë për Europën. Ka të bëjë më të jetuarit në mënyrë të shëndetshme, mjedisin, me këtë entuziazëm që ju keni treguar të gjithë këtu sot”, tha Sekui.











