
VLORE- Partia Socialiste ka vijuar takimet me Forumin e Gruas Socialiste në qytetin e Vlorës.
Në fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama tha se jemi në Vlorë, për të folur për domosdoshmërinë e një angazhimi më të madh të grave dhe vajzave në të gjithë Shqipërinë.
“Një Shqipëri më e mirë është e mundur vetëm me një përfshirje më të madhe të grave dhe vajzave në jetën publike dhe në procesin politik.”- tha kryesocialisti.
Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj tha se gratë e Vlorës, tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ato janë me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën, kryeministër.
“Gratë e Vlorës do të jenë në krye të lëvizjes për të rrëzuar regjimin e sotëm. Ato janë me PS-në dhe me Edi Ramën kryeministër. Vlora do të jetë e para, edhe këtë herë.”- iu drejtua leskaj grave vlonjate, të pranishme në takim.
Ajo iu referua edhe programit të PS-së, për një Rilindje Shqiptare, kur tha se opozita ka një program modern dhe një lider vizionar.
Qëllimi i këtij rrugëtimi i cili ka nisur me herët në qytetin e Durrësit dhe Shkodrës, ka të bëjë me angazhimin e PS që gratë dhe vajzat të zënë vendin që u takon në familjen e madhe politike socialiste.
© Panorama.al











