“Shoqatat Alumni, janë pasaporta e universiteteve”

Jun 1, 2012 | 13:00

Adrian Civici

Intervista/ Flet presidenti i UET, Adrian Civici .

Ish-studentët dhe ndihma e tyre ndaj universiteteve është një nga praktikat më të njohura anglosaksone, e cila prej vitesh është adaptuar edhe në Shqipëri.
Në intervistën e tij për gazetën, presidenti i UET, Adrian Civici, shpjegon çfarë është “Alumni” dhe pse cilësohet si pasaportë e universiteteve.
Çfarë është Alumni dhe pse duhen struktura të tilla?
Në thelbin dhe përmbajtjen e saj, fjala “alumni” rrjedh nga latinishtja dhe do të thotë “ish-nxënës” ose, në kontekstin tonë “ish-student” i një universiteti të caktuar. Është një nga praktikat dhe traditat më të mira të universiteteve anglosaksone e veçanërisht ato amerikane për t’i grupuar dhe organizuar të diplomuarit e një fakulteti apo lloje të caktuar diploma dhe konsideruar ata si pjesë organike e universiteteve gjatë gjithë karrierës së tyre profesionale dhe sociale. Përtej angazhimeve dhe evolucionit të jetës akademike, shkencore apo menaxheriale, shoqatat e alumni organizohen rreth një vlere qendrore më universale, asaj të ‘vëllazërisë humane e profesionale’ të këtij grupi specifik. Ato që sot cilësohen si rregullat e arta të shoqatave alumni janë dinamizmi, diversiteti, hapja dhe përshtatshmëria, duke e konsideruar këtë formë organizimi e bashkëpunimi si një instrument komunitar menaxhimi apo drejtimi.Në fund të fundit, ato janë pasqyra apo pashaporta e vetë universiteteve në shoqëri. UET po organizon zgjedhjet e strukturave të UET Alumni.
Çfarë është kjo traditë për UET dhe studentët e diplomuar?
Në UET kjo është një traditë e re e dy viteve të fundit. Ajo nuk është aspak formale apo thjesht e kopjuar nga eksperienca e universiteteve më të mira ndërkombëtare. Përkundrazi, është pjesë e vizionit dhe filozofisë së UET për t’i shërbyer në vazhdimësi studentëve të tij, por mbi të gjitha edhe për t’u shërbyer nga eksperiencat dhe sfidat e tyre. Shoqatat e alumni do të jenë një rrjet apo strukturë që duhet të shndërrohet në një burim të vërtetë eficence profesionale dhe personale për çdo anëtar të saj të diplomuar në UET. Ky organizim po shihet i lidhur ngushtë me organizimin e bordeve të punësimit për çdo program studimi; me panairet e punës që organizohen rregullisht 2-3 në vit në UET ku me dhjetëra firma, kompani, projekte apo institucione që zhvillojnë një proces të rregullt informimi për tregun e punës si dhe rekrutojnë të diplomuarit më cilësorë; me përfshirjen në qeverisjen e universitetit të personaliteteve profesionale e përfaqësuesve të spikatur të koorporatës së punëdhënësve; të organizimit të praktikave profesionale e kërkimit shkencor sa më brenda mjedisit profesional e kërkesave të tij.
Sa është numri i studenteve të diplomuar ne UET dhe çfarë lidhjesh mbajnë ato me universitetin?
UET është në vitin e gjashtë të tij dhe aktualisht është i kompletuar me të tri ciklet e studimit, Bachelor, Master (profesional dhe shkencor) dhe doktoraturë. Të gjitha programet e studimit Bachelor dhe Master janë të akredituara. Ne kemi diplomuar deri tani 1350 studentë. Filtri i diplomimit është mjaft rigoroz. Vetëm 35-40% e studentëve arrijnë të diplomohen brenda vitit apo viteve akademike të rregullta në kohëzgjatje normale. Të marrësh një diplomë në UET nuk është thjesht çështje kohe, pagese apo regjistrimi. Përkundrazi, është më shumë se çdo gjë çështje përpjekjesh, vendosmërie e durimi akademik, sepse mekanizmat e kontrollit dhe vlerësimit të studentëve janë mjaft rigoroze. Lidhjet e studentëve me universitetin janë të shumëfishta. Së pari, ne ndjehemi të vlerësuar nga studentët për faktin se 60-70 e studentëve që diplomohen në ciklin e parë Bachelor preferojnë të vazhdojnë studimet e tyre në ciklin e dytë Master përsëri në UET; së dyti, një pjesë e konsiderueshme e studentëve të diplomuar në ciklin e dytë, MND apo MSc, kanë shprehur interes dhe janë regjistruar në doktoraturë në UET; së treti, mjaft nga studentët tanë të diplomuar dhe tashmë të punësuar mbajnë lidhje të ngushta e intensive me universitetin, çka po e tregon më së miri dhe interesi dhe gatishmëria e tyre për të qenë pjesë aktive e shoqatës së Alumni. Ata ndjehen të kënaqur të jenë pjesë e një marke “UET” dhe të përpiqen ta zhvillojnë akoma më shumë atë.
Si mund të ndihmojnë studentët universitetin?
Studentët alumni kanë shumë forma e mundësi që ta ndihmojnë universitetin. Eksperienca e universiteteve anglosaksone dëshmon se ish-studentët kthehen në burime të vlefshme informacioni për universitetin, ndihmojnë në integrimin profesional të më të rinjve, por dhe në vetë dinamikën e karrierës së tyre e tërheqin universitetin si partner në projekte të ndryshme kërkimore shkencore apo aplikative, botojnë pranë universitetit punime të ndryshme shkencore, e bëjnë universitetin pjesë të konferencave apo workshopeve shkencore kombëtare e ndërkombëtare, kontribuojnë me donacione apo dhe me investime të ndryshme, në favor të cilësisë së mësimdhënies, kërkimit, botimit etj. Më të suksesshmit prej tyre bëhen shembull për të diplomuarit e rinj, e dinamizojnë jetën e universitetit, duke e bërë atë më dinamike e më të kontekstualizuar me tregun e punës, debatet bashkëkohore, etj. Këto janë disa nga arsyet që UET e trajton me shumë përgjegjësi çështjen e organizimit dhe funksionimit të Shoqatës së Alumni.

© Panorama.al

Te lidhura