
Ortekët e 7 komuna të bllokuara mbajnë në fuqi gjendjen e emergjencës.
Kryeministri Sali Berisha: Do të bëjmë gjithçka për jetën.
Kryeministri Berisha bën thirrje për evakuim nga zonat që rrezikohen nga ortekët e borës. “Do të bëjmë gjithçka për jetën. Thirrja ime është për zonat ku dihet tendenca”, deklaroi kreu i qeverisë në mbledhjen e djeshme, nisur nga situata e motit. Sipas tij, shkrirja e dëborës favorizon ortekët, duke përbërë rrezik serioz për jetën e banorëve të zonës. Ky moment dhe fakti që ende nuk janë zhbllokuar 7 komuna të vendit, po mban ende në fuqi gjendjen e emergjencës civile në vend. Të dhënat e Drejtorisë së Emergjencave flasin për komuna ende të bllokuara në veri të vendit, si dhe fshatrat brenda tyre. “Në të gjithë vendin numërohen vetëm 7 komuna ende të bllokuara, për komunikimin e të cilave me akset rrugore kombëtare vazhdon puna nga mjetet dhe forcat e drejtorive rajonale të Rrugëve dhe Forcave të Armatosura. Bëhet fjalë për komunat Shalë, Shosh, Iballë dhe Fierzë në qarkun e Shkodrës, si dhe komunat Kalis, Lekbibaj dhe Arrën në qarkun e Kukësit. Sot përfundoi puna që mundësoi komunikimin me akset rrugore kombëtare të qendrave të komunave Lurë dhe Grykë-Çajë”, deklaroi dje zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Pikërisht për shkak të ortekëve, vijon të jetë e bllokuar komuna Lekbibaj, me gjithë punën e bërë për hapjen e rrugëve. E njëjta situatë është dhe në Qafën e Malit, pjesë e rrugës tokësore që lidh Tiranën me Tropojën. Për shkak të ortekëve ekziston frika e ndërhyrjes, shtuar kjo trashësisë së konsiderueshme të dëborës.
Sipas Berishës, “de facto”, mbi 96 për qind e territorit që shtrihet nga Leskoviku në Vermosh është jashtë emergjencës, në rrafshin e komunikimit. “Por gjendja do të vazhdojë. Qeveria do ta mbajë duke vëzhguar çdo orë e çdo ditë hapjen e mëtejshme të rrugëve, kryesisht të fshatrave për në qendër të komunës”, u shpreh Kryeministri. Pezullimi i gjendjes së
emergjencës civile pritet të ndodhë shumë shpejt, duke nisur me tërheqjen e forcave dhe mjeteve të ushtrisë. Forcat me mision në Kukës janë tërhequr në bazat e tyre në Tiranë. Baza Operacionale pas shpalljes së emergjencës më 7 shkurt, u ngrit në Aeroportin e Kukësit në ndihmë të zonave të izoluara nga dimri i ashpër dhe moti i ftohtë, duke kryer një sërë operacionesh humanitare në ndihmë të popullatës në nevojë. Mësohet se disa forca dhe mjete qoftë nga ajri, qoftë nga toka, do të jenë në gatishmëri, derisa zyrtarisht qeveria të shpallë pezullimin e kësaj gjendjeje. Me rritjen e temperaturave, shkrirja e dëborës është shfrytëzuar nga shtabi i emergjencave civile të qarkut Shkodër, për ndërhyrje shëndetësore, shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara, si dhe për vazhdimin e punës për zhbllokimin e rrugëve rurale. Përmirësimi i kushteve të motit po shfrytëzohet nga punonjësit e ndërmarrjeve të rrugëve rurale për zhbllokimin e këtyre segmenteve rrugore, si dhe të atyre ndërkomunale. Gjatë ditës së djeshme është zhbllokuar përfundimisht aksi rrugor Prekal–Kir, që njëkohësisht është edhe qendra e komunës Pult. Ndërkohë që tashmë po vazhdohet nga puna për hapjen e akseve të tjera rrugore në drejtim të komunave Shalë e Shosh, që janë komunat e fundit të izoluara në rrethin e Shkodrës. j.h/r.d
URGJENCA
Një 75-vjeçar nga komuna malore e Xibrit në rrethin e Matit është transportuar me helikopter nga fshati Ketë i kësaj njësie vendore drejt Tiranës. Mësohet se trashësia e borës në këtë zonë është mbi 1.5 metra dhe transportimi i tij drejt spitalit të Burrelit ka qenë i pamundur. Ndërhyrja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër, prefektit Genci Sharku dhe autoriteteve të tjera vendore ka bërë që Sulejman Muça të transportohet me helikopter drejt kryeqytetit, pasi gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rënduar. Ky është rasti i parë i emergjencës shëndetësore në rrethin e Matit gjatë këtij dimri.
Policia
Veçanti e gjithë këtij muaji me situatë të jashtëzakonshme është se asnjë ngjarje kriminale nuk është shënuar në Kukës. Drejtori i Policisë së Qarkut, Sadri Ramçaj, thotë se forcat e policisë në këtë situatë kanë qenë më të angazhuara për ardhjen në ndihmë të banorëve dhe qindra policë kanë sakrifikuar për të qenë në detyrë në orar dhe pa orar. “Përgëzoj forcat e Policisë në Kukës, Tropojë e Has që në këtë periudhë të jashtëzakonshme kanë qenë në krye të detyrës, në ndihmë të njerëzve në nevojë. Falënderime meriton dhe gjithë komuniteti i qarkut, që në këtë kohë të vështirë ka treguar maturi dhe besim tek policia dhe organizmat e shtetit, duke u shmangur nga veprimet e paligjshme”.
Kukës, qyteti me gjysmë metri borë
Në qytetin e Kukësit, jeta po merr përditë e më shumë fizionominë e një jete të zakonshme. Pirgjet e mëdha me dëborë në dyert e pallateve dhe hyrjet e institucioneve, që arrijnë deri në tre metra borë, do të mbeten gjatë dëshmi e një dimri të rrallë. Përgjatë rrugëve të qytetit, edhe pse është ngjeshur dhe shkrirë, dëbora vazhdon të jetë në mbi 40 cm lartësi. Kjo shkrirje e ngadaltë e borës nuk ka ndikuar as në rritjen e prurjeve të ujit të pijshëm e as në prurjet e lumenjve që derdhen në kaskadën e Drinit. Në shumicën e fshatrave nuk ka nisur procesi mësimor, ndërsa pritet që të nisë sot në qytetin e Bajram Currit.
© Panorama.alMinistria e Shëndetësisë: Ndihmë 201 pacientëve të Emergjencës
TIRANE – Ministria e Shëndetësisë ka bërë bilancin e punës pas shpalljes së emergjencave civile në vend. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, janë kryer misione fluturimi dhe u është dhënë ndihma shëndetësore 201 pacientëve. Në një komunikim me median, Pipero deklaroi se Ministria e Shëndetësisë ka organizuar dy njësi të veçanta: një njësi pranë saj dhe një njësi në terren për të përballuar situatën emergjente. Në veprim ka qenë Njësia e Helikopterëve, e cila ka kryer 85 misione fluturimi për transportimin e rreth 97 pacientëve. Ndërkohë që autoambulancat e spitaleve rajonale kanë kryer 103 udhëtime, duke transportuar 104 pacientë. “Pavarësisht përmirësimit të kushteve të motit, shëndetësia vazhdon të jetë në gatishmëri në zonat e bllokuara deri në përfundimin e emergjencës. Deri tani, 96 komuna në të gjithë vendin janë furnizuar me pako të përbëra nga medikamentet bazë”, bëri të ditur përfaqësuesi i dikasterit të Shëndetësisë. “Vlerësoj punën e pakursyer të mjekëve dhe infermierëve, që me përkushtim dhe profesionalizëm në kushte të vështira të dëborës dhe ngricave kanë përballuar pa hezitim situatën, duke mundësuar trajtimin në kohë të dhjetëra rasteve dhe moslejimin e asnjë humbjeje jete për shkak të neglizhencës apo mungesës së shërbimit shëndetësor”, deklaroi ai. Ndërkohë, Pipero falënderoi Unionin e Distributorëve Farmaceutikë, dhe theksoi faktin se falë ndihmës së këtij Unioni nuk është prekur buxheti i Shëndetësisë, në mënyrë që medikamentet të mos mungojnë në komunat dhe zonat problematike.











