
Zyrtarët kosovarë kanë reaguar pas propozimit të Serbisë për zgjidhjen e çështjes së vulave doganore në Veri të Kosovës, duke i quajtur deklaratat e tyre të papërgjegjshme e nxitëse.Deklaratat e bëra nga zyrtarët serbë për të pasur dy vula në doganat e Kosovës kanë marrë përgjigjen e zëvendëskryeministrit të Kosovës, se Prishtina është e koordinuar me Brukselin e Uashingtonin dhe Beogradi nuk mund të vendosë më për Kosovën. Edhe ministrja e Kosovës për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, shprehu bindjen se në kufijtë me Serbinë do të përdoren vetëm vulat me simbolet e doganave të Kosovës. “Të vetmet vula që do të përdoren në kalimet kufitare janë ato me simbolet e doganave të Kosovës”, tha ajo në reagimin mbi shkrimet e mediave të Beogradit për propozimet që do të paraqesë Serbia në seancën e re të bisedimeve. Sipas ministres, plani ka qenë që për vulat doganore të flitet që në fillim të procesit negociator në mars, por “ekipi i Beogradit e ka komplikuar situatën dhe ka sjellë gjendjen e tanishme në terren”. Çështja e funksionimit të dy pikave doganore, 1 dhe 31, në Veri të Kosovës u vendos të jetë temë e diskutimit të radhës në dialogun teknik mes Prishtinës dhe Beogradit. Takimi do të mbahet më 2 shtator. Sipas burimeve ndërkombëtare për “Telegraf”, Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviç do të ulen në bisedime për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në Veri, të cilat javët e fundit ishin edhe në qendër të trazirave në veri. Madje në fshatin Rudarë, rrugët mbeten ende të bllokuara nga barrikadat serbe.
Edhe dy njohje
Dy vende të tjera kanë njohur dje pavarësinë e Kosovës, duke e çuar në 79 numrin e shteteve që lidhën marrëdhënie diplomatike me Republikën e re ballkanike. Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, konfirmoi zyrtarisht nga Afrika se Republika e Guinesë Konakry dhe Republika e Nigerit kanë njohur pavarësinë e Kosovës.











