Pas deputetit Van-gjel Tavo del edhe Lefter Koka kundër ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.Deputeti i qarkut të Durrësit, ish-kryetar Bashkie i këtij qyteti, kritikon në një intervistë për gazetën “Panorama” performancën e deritanishme të përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, gjendja në këtë dikaster është alarmante dhe për këtë duhet të ketë një ndërhyrje të shpejtë. Lefter Koka shprehet se LSI-ja i ka të gjitha mundësitë që të strukturojë dikasterin që drejton Petrit Vasili dhe në pamundësi të kësaj, të bëjë ndërhyrjet e nevojshme në të. Ai flet për ndryshim të kabinetit qeveritar në shtator, ndërkohë që për sektorët ku duhet të ndërhyhet, thotë se: “Cilësinë e jetës e rrit një ekonomi e shëndoshë dhe një trup pa sëmundje. Pra, duhen të tjera politika ekonomike, reforma radikale në Shëndetësi për të rikthyer shqiptarët e varfër në spitalet tona”. Pak ditë më parë ishte nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, i cili kritikoi ashpër Petrit Vasilin për korrupsion me tenderët e ilaçeve.
Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ka kritikuar së fundi ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, për korrupsion me ilaçet e spitaleve. Si i vlerësoni ju këto kritika?
Përderisa është zoti Tavo ai që është i shqetësuar, kjo nuk është më një shqetësim, por alarm për mosfunksionimin e sistemit shëndetësor jo vetëm të zotit Vasili. Gjithsesi, kjo transparencë, kjo oponencë në mungesë të opozitës mban të shëndetshme Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe maxhorancën nëse kuptohet drejtë.
Sipas jush, a duhet të ketë një rishikim të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Ministrinë e Shëndetësisë?
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka të gjitha mundësitë me politika të strukturojë Ministrinë ekzistuese dhe në pamundësi të bëjë ndërhyrjet e nevojshme për të mbajtur premtimet e bëra.
Pra, duhet që Lëvizja Socialiste për Integrim të propozojë një ministër tjetër te Shëndetësia?
Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të jetë e suksesshme me përfaqësuesit e saj në çdo ministri. Vetëm atëherë kemi kryer mirë detyrën ndaj vendit dhe elektoratit në tërësi.
Mendoni se duhet të ketë riformatim të kabinetit qeveritar në shtator?
Personalisht e konsideroj domosdoshmëri riformatimin e qeverisë.
Konkretisht, në çfarë sektorësh mendoni se ka nevojë për ndërhyrje?
Cilësinë e jetës e rrit një ekonomi e shëndoshë dhe një trup pa sëmundje. Pra, duhen të tjera politika ekonomike e reforma radikale në Shëndetësi për të rikthyer shqiptarët e varfër në spitalet tona.
LSI: Jo sulme me karakter personal
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, është shprehur pro debateve parimore. “Kritikat dhe kontestet, debati parimor dhe principal janë padyshim vlerë e strukturave të LSI-së dhe nga kjo pikëpamje, për LSI, çdo kritikë është pa dyshim e mirëpritur. Ndërkaq, janë jashtë sensit dhe të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal”, tha Luan Rama.
Tavo: S’kam asgjë personale me Vasilin
“Mund ta them për të disatën herë se nuk kam asgjë personale. Po të kisha diçka personale, do ta kisha zgjidhur personalisht, por kjo nuk ka të bëjë me sulme personale. Këtu bëhet fjalë për një fakt që është shumë i rëndësishëm, shumë problematik për spitalet shqiptare dhe që mua si mjek nuk do t’ma lejonte ndërgjegjja ta mbyllja gojën përballë këtij fakti”, tha Vangjel Tavo.
LSI: Ndryshimet në qeveri s’janë tabu
“Duhet reforma zgjedhore, PD e PS të kontribuojnë”Kabineti qeveritar mund të përfshihet në muajin shtator nga ndryshimet, veçanërisht për sa i përket pozicioneve që kanë zënë aleatët. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, nuk mohon lëvizjet brenda kabinetit me fillimin e sesionit të ri parlamentar, teksa shton se fillimisht do të bëhet analiza e punës nëpër rrethe. “Ndryshimet nuk janë tabu. Një forcë politike vitale, si LSI, ndryshimin e ka në të gjithë angazhimin e vet në funksion të gjithçkaje që lidhet me interesat politike e elektorale.”- tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Ai e cilësoi dje nevojën për reformë zgjedhore si të domosdoshme. Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së Luan Rama bëri thirrje që puna për reformën zgjedhore të nisë sa më shpejt, të jetë gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në rekomandimet e ndërkombëtarëve. “Është një sfidë realizimi i reformës dhe nga kjo pikëpamje përballë kësaj sfide do të duket edhe vullneti real edhe gatishmëria që të gjithë së bashku, maxhorancë dhe opozitë dhe partitë e vogla të bëhen pjesë e këtij angazhimi dhe kontributi”- tha Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI tha më tej se kjo forcë politike ka bërë apel në mënyrë të vazhdueshme që palët të ulen. “LSI ka ndërmarrë hapa konkret dhe ka punuar për të pasur një projekt apo një draft konkret, gjë që shpreh vendosmërinë e angazhimin pozitiv për të realizuar reformën zgjedhore nga ana jonë”. Duke iu referuar liderit të opozitës, Edi Rama, ai theksoi se “bashkë me pushimet të shpresojmë që të ketë pushuar edhe në mendjen e politikave të mbrapshta ideja e bojkotit”. Gjatë daljeve të fundit para mediave, LSI ka hedhur poshtë çdo mundësi të krijimit të një koalicioni me PS-në për zgjedhjet e ardhshme. “Ne e kemi bërë të qartë dhe unë po e përsëris që Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës, është padyshim vlerë e shtuar e këtij koalicioni, është kontributore e rëndësishme, jo vetëm në stabilitetin politik në vend dhe në funksionimin normal të institucioneve të shtetit, por është padyshim kontributore e rëndësishme edhe në përballimin e sfidave të mëdha me të cilat është ballafaquar, jo thjesht qeverisja, por e gjithë shoqëria shqiptare. Ndaj, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të shërbejë për të plotësuar tekat personale apo interesat personale të kryetarit aktual të Partisë Socialiste, i cili meqenëse humbi Bashkinë, meqenëse është në opozitë për herë të parë në karrierën e vetë politike, të mund të përdorë Lëvizjen Socialiste për Integrim që të katapultohet në karrigen e Kryeministrit”, është shprehur Luan Rama.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











