“Sharlatanizmi i politikës i ka sëmurur dhe gjuhëtarët”

Jul 17, 2012 | 11:20

TIRANE- Ish-kryeministri i PS reagon pas debateve për standardin e shqipes. Majko: Mallkimi ose bekimi do t’ju ndjekë edhe pas vdekjes

Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, reagoi dje ashpër ndaj politizimit që sipas tij po i bëhet gjuhës shqipe.

Në një reagim në faqen e tij të rrjetit social “Facebook”, Majko ka kërkuar prej gjuhëtarëve të mos bien pre e politizimit dhe sharlatanizmit. Deputeti i Partisë Socialiste ka publikuar dhe foton e Kongresit të Manastirit, që sipas tij patriotët që e organizuan atë ndriçuan udhën e historisë kombëtare, duke lënë pas dokumente dhe procesverbale të rëndësishme. “Ata nuk kishin Akademi. Nuk kishin Shtet. Nuk kishin Qeveri. Nuk kishin Kryeqytet. Megjithatë, shkëlqyen në terrin e historisë së shqiptarëve duke u bërë nyja lidhëse e Rilindjes kombëtare midis Lidhjes së Prizrenit dhe Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Lanë pas foto dhe letra të shkruara me kujdes dhe që ndriçojnë Historinë Kombëtare edhe sot. Sot! Një debat absurd deri në moskontroll ka filluar brenda gjuhëtarëve të gjuhës shqipe. E quajnë me ironi debati për “ë”-në. Çfarë po ndodh!? Pse po tallen?!… Sepse, tallje është qartazi kjo shpërndarje mediatike, që vë në lojë Traktatin Shkencor të ekzistencës së kombit shqiptar, siç është Gjuha Kombëtare. Dikush del në media dhe thotë “u mor vendimi” dhe dikush tjetër thotë “nuk është marrë asnjë vendim”… Të më falin gjuhëtarët dhe akademistët tanë shqiptarë, por është e qartë që sharlatanizmi i politikës i ka sëmurur edhe ata më keq sesa duhet”, deklaroi Majko.

Pjesemarres ne Kongresin e Manastirit

AKADEMIKËT SERBË

Në reagimin e tij, Pandeli Majko ka cituar një akademik serb, Jovan Deretig, që i cilëson shqiptarët si konglomerat primitiv që flasin dialekte pa fund dhe që nuk merren vesh me njëri-tjetrin. “E nxora këtë citim për t’ua vënë para syve të gjuhëtarëve shqiptarë që t’u dhembë kjo, që po i dhurojnë publikut shqiptar me rastin e 100-vjetorit të shtetformimit. Dhe për t’ju drejtuar edhe me përulje – gjuhëtarë dhe pasardhës të testamentit të Kongresit të Manastirit! Ju lutem, të kuptoni, me kujdes e dhembshuri, që përpara se të keni titujt administrativë dhe nervozizmin ditor, e të qenët “më i aftë se njëri-tjetri”, kujtohuni që qëndroni mbi kohën dhe detajet ordinere të së përditshmes, për t’u përkujdesur në fenomenin më thelbësor siç është gjuha shqipe dhe që i bën shqiptarët këta që janë… Në shkencën tuaj unike “gabimi” nuk ekziston. Ka vetëm “bekim” ose “mallkim”, i cili do ju ndjekë edhe pas vdekjes”, deklaroi Majko.

FATION BINJAKU

 

© Panorama.al

Te lidhura