
“Imagjinuam sikur do rrëzoheshim në humnerë”
Arta Ballabani, studentja që mbijetoi pa asnjë plagë të rëndë tregon momentet e fundit të tragjedisë.
Arta Ballabani është një prej vajzave të përfshira në aksidentin e Himarës, por që fatmirësisht ka arritur të dalë me këmbët e saj nga autobusi i tragjedisë. Në një intervistë ekskluzive për “Panoramën”, 21-vjeçarja rrëfen minutat para dhe pas aksidentit, duke hedhur dritë mbi detaje të rëndësishme që kanë ndodhur brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ndërsa shihnin humnerën që shtrihej vetëm pak metra larg tyre, vajzat kanë nisur të imagjinojnë se ç’do ndodhte nëse autobusi i tyre do binte, duke mos i shkuar për asnjë moment në mendje se pak më vonë do të ishin viktimat e asaj ngjarjeje të kobshme. Në shtëpinë e familjes Ballabani, vetëm disa metra larg autostradës Durrës-Tiranë, hyjnë e dalin njerëz që urojnë Artën dhe prindërit e saj që i shpëtoi për fatmirësisht fatit të trishtë të shoqeve të saj. Pengu që i ka mbetur vajzës së re, është mospjesëmarrja në varrimin e shoqes së dhomës, imazhin e gjakosur të së cilës vazhdon ta ketë ende para syve. Vetë Arta ka ende shenjat e aksidentit në fytyrë. Jo vetëm për shkak të gjurmëve që i mbetën nga tragjedia e Himarës, por dhe për të treguar shoqërinë e ngushtë që kishte me Denisën, ajo na tregon dhe fotografitë e fundit që ka bërë me miken e saj më të mirë, por që aksidenti ia preu jetën në mes.
Arta, ju kujtoni çdo fragment të asaj ngjarjeje tragjike, sepse keni qenë e vetëdijshme gjatë gjithë kohës. A mund të na tregosh se çfarë ndodhi në atë udhëtim?
Në radhë të parë desha të falënderoj Zotin që jam shëndoshë e mirë! Në fakt, udhëtimi drejt Sarandës ishte programuar për t’u zhvilluar një javë më përpara, por për arsye se nuk kishte autobus u shty për atë ditë. Si çdo njeri tjetër, ishim të lumtura që do niseshim në mëngjes për udhëtim dhe së bashku me shoqen e dhomës, Denin (Denisa Guzi, një prej viktimave), përgatitëm deri në darkë çantat dhe me zor po prisnim që të vinte mëngjesi që të niseshim. Hipëm në autobus dhe u nisëm. Ndalesën e parë e bëmë në Apoloni. Aty ndaluam për një farë kohe dhe u nisëm sërish për rrugë. Gjatë rrugës po diskutonim me njëra-tjetrën që të ndalonim për të ngrënë dhe një moment pyetëm shoferin se ku do të na ndalonte dhe ai u përgjigj se do të ndalonim në Himarë.
Pak minuta para aksidentit, çfarë ishit duke bërë ju dhe shoqet tuaja?
Disa minuta përpara se të ndodhte aksidenti, gjatë kohës që po përshkonim rrugën pranë vendit ku ra autobusi po i thoshim njëra-tjetrës, po sikur të biem këtu, po sikur të biem këtu. Në një pjesë të rrugës, fushëpamja nga kodra deri tek fundi i greminës është shumë e mirë dhe njëkohësisht shumë e frikshme. Sikur ta dinim që do të pësonim aksident, imagjinonim sikur do të binim dhe qeshnim e bërtisnim. Disa minuta më pas ndodhi me të vërtetë aksidenti.
Nëse risillni në kujtesë atë ngjarje, çfarë ndodhi kur autobusi doli jashtë kontrollit?
Ne nuk e kishim mendjen fare te rruga, pasi po bisedonim me njëra-tjetrën. Unë në ato momente kam qenë në këmbë dhe isha mbajtur te tubi, që është te dera e pasme e autobusit. Dëgjuam një zë që tha: mbahuni fort dhe mos lëvizni, por nuk i dhamë rëndësi se zhurma nuk të linte të dëgjoje pastër. Autobusi po lëkundej dhe u përplas. Që nga ai moment dhe derisa ndaloi autobusi në fund të greminës, unë u mbajta fort pas një hekuri dhe nuk e lëshova atë për asnjë moment.
Çfarë bëtë kur patë se autobusi nisi të lëkundej?
Siç e thashë edhe më parë, isha duke qëndruar në këmbë dhe mbahesha teksa ecnim në një hekur pranë sediljeve dhe pashë gjithçka ka ndodhur gjatë atij aksidenti. Kur autobusi nisi të lëkundej, dëgjova një vërshëllimë të fortë të frenave dhe më pas u përplasëm me anën e rrugës dhe pasi autobusi ecte, në rrëshqitje e sipër u përplas me bordurën mbajtëse dhe doli jashtë rruge. Ai u rrotullua disa herë përpara se të përfundonte në fund të greminës.
Po më pas çfarë ndodhi?
Më pas dola nga autobusi. Nuk ndieja asnjë dhimbje. Kur dola nga autobusi, po shikoja shoqet që bërtisnin dhe rënkonin. Pashë që shoqen time të dhomës, Denin, e kishte zënë një gur në kokë dhe ishte mbuluar nga gjaku. Duke u ngjitur për të dalë në rrugë, pashë edhe një vajzë që kishte dalë nga autobusi gjatë kohës së rrotullimeve.
A ishte duke ecur me shpejtësi drejtuesi i mjetit në momentin e aksidentit?
Nuk është se po udhëtonim shumë shpejt. Madje, gjatë rrugës shoferi na tërhiqte vëmendjen, na thoshte të qëndronim ulur dhe të mos bënim shumë zhurmë. Shoferi ishte shumë i rregullt dhe me aq pak sa arrita ta njoh, vura re që ishte një njeri shumë i mirë. Ai nuk kishte diçka me ngut, madje, në një moment kur po fusnim çantat në bagazh na tha: avash, avash, mos u ngutni se i merr të gjitha çantat. Edhe kur ndaluam në Apoloni, nuk piu fare alkool.
Ju ishit e vetmja që nuk u mbajtët në spital?
Po, pas mjekimeve që mora në Himarë, në mbrëmje më ka marrë një familje himarjote në shtëpinë e saj për të më qetësuar. Më vonë jam lidhur me familjen dhe ata rreth orës 2 pas mesnate erdhën në Himarë e më sollën në shtëpi. I jam shumë mirënjohëse familjes nga Himara, gjithashtu dhe banorëve të qytetit që u mblodhën të gjithë për të na dhënë ndihmë atë ditë.
Arta, a do t’u riktheheni studimeve pas kësaj ngjarjeje?
Për momentin nuk dua të dëgjoj asnjë gjë në lidhje me studimet. Dua të rri disa kohë të qetësohem dhe me dëshirën e Zotit nga shtatori do t’i jap provimet. Jam ende e tronditur dhe nuk mendoj të kthehem që tani në po ata auditorë, ku do të më mungojnë shoqet e mia.
Morët pjesë në lamtumirën e fundit që iu dha shoqes suaj të dhomës, Denisa Guzi?
Jo, nuk mund të shkoja për të përshëndetur për herë të fundit shoqen time më të mirë Denin, pasi për shkak të gjendjes sime prindërit nuk më lejuan të shkoja në Gramsh. Kjo më ka ngelur peng dhe nuk do ta harroj gjithë jetës.
Vjenë, dy studentet në koma, s’u hiqet frymëmarrja artificiale
Përmirësohet gjendja e 15 vajzave që trajtohen në Shqipëri
TIRANE – Nuk ka qenë e suksesshme tentativa e mjekëve për t’u hequr frymëmarrjen artificiale njërës prej studenteve të dërguara në Austri. Sipas mjekut Luan Nikollari, stafi mjekësor në Vjenë ka tentuar t’i heqë frymëmarrjen artificiale Eriselda Guberes, por pa rezultat. “Për Guberen vijon e njëjta gjendje”, u shpreh ai. Në ditët në vazhdim, siç pohon për mediat Nikollari, studentja e aksidentuar të hënën në Himarë, pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në kolonë. Një përmirësim i lehtë ka qenë për Florije Peçin, për të cilën gjithashtu do të tentohet zgjimi, për ta nxjerrë nga gjendja e komës. Nikollari theksoi se në Vjenë është një mjek kosovar që ndjek gjendjen e 2 studenteve, ndërsa vuri në dukje se komuniteti shqiptar në Austri ka ofruar ndihmën për vajzat e aksidentuara. Pritet që të mundësohet në ditët në vazhdim edhe udhëtimi i familjarëve të dyja vajzave, Eriseldës dhe Florijes drejt Austrisë, për të qenë afër tyre në këto momente. Florije Peçi mësohet se ka dëmtime në kokë, trup dhe shtyllën kurrizore, ndërsa Eriselda Gubere ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit. Ndërsa vazhdojnë të jenë në koma dy vajzat që po trajtohen me intensitet në spitalin e Vjenës prej dy ditësh, gjendja e shoqeve të tyre të shkollës që po mjekohen në spitalet e vendit vazhdon të jetë në përmirësim e sipër. Aktualisht, në Spitalin Ushtarak po marrin mjekim 10 prej studenteve të lënduara, ndërsa dy të tjera në Spitalin Amerikan. “Gjendja shëndetësore e tyre paraqitet e mirë, e stabilizuar dhe nuk kanë shqetësime të tjera”, deklaroi dje Nikollari. Bazuar në këto parametra, studentet që po trajtohen në spitalin privat pritet të dalin ditën e hënë. E njëjta situatë dhe për tri studentet që janë të shtruara në spitalin e Vlorës. Ato kanë qëndruar aty që prej së hënës kur ndodhi aksidenti i Himarës. Dy prej tyre, Elidiona Gjoni dhe Adjola Musaku, pritet që të dërgohen në Tiranë për t’u konsultuar me specialistë të tjerë. Po ashtu do të largohet brenda një kohe të shkurtër dhe Besiana Xhemeti, e cila do të trajtohet në spitalin e Kavajës. Ndërsa përmirësohet gjendja fizike e 21-vjeçares, për familjarët dhe mjekët qëndron ankthi për momentin se kur do i tregojnë se i fejuari që udhëtonte bashkë me të ka ndërruar jetë në momentin e aksidentit. q.b
HETIMET
Ka mbetur në duart e Prokurorisë së Vlorës dosja e aksidentit tragjik që u mori jetën 13 personave, 11 prej të cilëve studente të universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Organi i akuzës në qytetin e Vlorës, i cili mbulon dhe zonën ku u shënua tragjedia në rrugë pasditen e së hënës, pritet që të kryejë hetime të plota, për të zbardhur shkakun e aksidentit tragjik. Deri tani janë marrë dëshmitë e personave të mbijetuar, që kanë pasur mundësi të flasin për grupin hetimor, është kryer ekspertiza mbi mjetin nga ana e policisë, si dhe është bllokuar dokumentacioni mbi kontratat që universiteti kishte me kompaninë e transportit “Llixha 2001”.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











