Prokurori i Kremonas, Roberto di Martino, ka bërë një deklaratë të bujshme, ndërsa e ka quajtur të komprometuar sezonin 2010-2011. “Kampionati i vitit të kaluar ka qenë i parregullt. Disa prej klubeve kanë komprometuar me vetëdije garën për mbijetesë në këtë kategori, e disa të tjera për kualifikimin në Ligën e Europës, e disa ndeshje teke. Nëse i bëjmë të gjitha së bashku, cilësia e ndeshjeve të trukuara është e tillë, saqë i gjithë turneu duhet të konsiderohet i parregullt”, tha Di Martino. Prokuroria e Kremonës merret me skandalin e basteve që përfshiu Italinë, ku u arrestuan 16 persona para një muaji. Kështu, pas titullit kampion të diskutuar që mori Interi, mund të ketë një tjetër që do të ngjallë shumë debate, që është ai i Milanit. Përveç provave nga Prokuroria e Kremonës, kanë dalë fakte të reja edhe nga ajo e Barit, që tregojnë për përfshirjen e krimit të organizuar në 14 takime të Serisë A. I ashtuquajtur “cigan” ka një emër, që është Hristian Ilievski. Ai ishte një prej anëtarëve të kësaj organizate ndërkombëtare, që ka kushtëzuar rezultatet për këto sfida. Ilievski ka ndenjur në Itali përgjatë gjithë sezonit të kaluar, duke ndikuar në rezultate të caktuara. Kontrollet në telefonat do të konfirmonin lidhjen midis ekipeve italiane, Ilievskit dhe Tan Set Eng, që ishte edhe shefi i organizatës. Të akuzuarit nuk vepronin me mënyrën e thjeshtë të rezultatit përfundimtar, por ata luanin ndeshjet direkt duke vendosur shuma parash për golat që do shënoheshin në pjesën e parë ose rezultatet e pjesës së parë. Hetuesit kanë regjistrime ku Ilievski flet me kapitenë të ekipeve të Serisë A, e kjo përsëritet në 5-6 takime, duke nisur që nga Lacio-Xhenoa e deri te Palermo–Bari.
Danieli e Milaneto, të përfshirë në baste
Probleme të tjera për klubin e Xhenoas, sa i përket dyshimit për trukimin të ndeshjeve. Pas sfidës Lacio–Xhenoa të përfunduar 4-2, dy ish-lojtarët e kuqebluve, Omar Milaneto dhe Dario Daineli, dyshohet se kanë shkuar në një hotel për të marrë paratë nga ana e ‘ciganëve’. Akuza është bërë nga Prokuroria e Kremonës. Danieli e ka mohuar me forcë këtë akuzë. Emri i tij përmendet për herë të parë në këtë hetim. Pas deklaratave të të penduarit Xhervazoni ishin futur në listën e të dyshuarve për mashtrim Milaneto, tani mesfushor i Padovës dhe laciali Stefano Mauri.











