“S’e harroj golin ndaj Milanit”

Jun 14, 2011 | 11:09

Në pritje për t’u bërë baba gjatë këtyre ditëve, Bogdani zbulon se kërkon të qëndrojë te Çezena edhe vitin tjetër, nëse do t’i jepej mundësia.Bomberi shqiptar mbylli një sezon pozitiv dhe ishte pikërisht ai që zgjidhi situata të vështira te skuadra bardhezi. Në këtë mënyrë, nuk mundet veçse ta konsiderojë si të pëlqyeshëm bilancin e vitit që shkoi të Erjon Bogdanit. Një Bogdani që, megjithëse me pushime, ai është i gatshëm gjithnjë që t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. Megjithatë, pyetja që vjen në mënyrë spontane në rrethanat në të cilat ndodhet ai është: A do të vazhdojë të veshë fanellën bardhezi të Çezenës edhe për vitin tjetër? “Shqiponja nga Tirana” ka një dëshirë të madhe të qëndrojë, por, si një lojtar me shumë eksperiencë që është, nuk mund të thotë gjëra me siguri të plotë kur vjen puna te merkato.
Bogdani, ku po i kaloni pushimet?
Në shtëpinë time në Shqipëri. Këtë verë, ndryshe nga herët e tjera, do të udhëtoj pak…
Si kështu?
Brenda dhjetë ditëve të ardhshme do të lindë djali im i parë, Aleksandëri. Pra, gjatë javëve të ardhshme do të kem gjëra të rëndësishme për të menduar…
Ju sapo keni mbyllur një sezon të mbushur me shumë emocione. Besoj jeni i kënaqur apo jo?
Po, mund të thuhet pa frikë se ky ishte një sezon i mirë. Ia dolëm që ta mbanim Çezenën në Serinë A dhe unë shënova tetë gola Mendoj se kjo është shumë pozitive në aspektin personal, por edhe në atë kolektiv.
Një vit më parë kishte shumë dyshime për Bogdanin, por edhe për Çezenën, sa ju bezdiste kjo?
Të them të drejtën edhe unë kisha shumë dyshime për kompaktësinë e skuadrës. Grupi më dukej shumë i cunguar dhe për më tepër kishim shumë të rinj që do të debutonin për herë të parë në Serinë A. Por ama gjërat shkuan për bukuri dhe ne ia dolëm mbanë.
Cili është goli i këtij sezoni që e kujtoni me nostalgji?
Goli kundër Milanit në javën e dytë. Ishte fantastike. Më pas janë dy golat që i shënova Leçes në të dyja përballjet që patëm me këtë skuadër.
Një gol me shumë peshë ishte edhe ai kundër Barit, që në fund rezultoi vendimtar. U ndjetë krenar apo jo?
Po, ishte një gol me shumë peshë dhe unë e kujtoj me kënaqësi edhe për një arsye tjetër. E kujtoj atë gol, sepse e shënova pas një periudhe të gjatë shterpësie dhe më ishin vërsulur të gjithë në kritika.
Fikadenti u largua nga posti i trajnerit dhe në vend të tij do të jetë Xhampaolo. Ju çfarë do të bëni?
Unë nuk e njoh personalisht, por kam luajtur shpesh kundër skuadrave që ai ka drejtuar dhe njerëzit që e njohin më kanë folur mirë për të.
Në të ardhmen mund të jeni edhe ju pjesë e skemave të trajnerit. Nëse jo, çfarë ndodh?
Shikoni, unë te Çezena kalova shumë mirë. Jam i lidhur me klubin edhe për një vit tjetër. Dëshira ime është që të qëndroj, por…
Por?
Por vera është e gjatë. Në të ardhmen menaxheri im do të takohet me drejtuesit e klubit. Të shohim. Megjithatë, kam pasur shumë oferta nga Italia, por edhe nga vende të tjera.

© Panorama.al

Te lidhura