
Një analizë për arsimin e lartë dhe të mesëm. Reformat që janë ndërmarrë dhe ku duhet të ndërhyhet për të përmirësuar më tej sistemin.
Z. Musai, lajmi më i rëndësishëm i këtyre ditëve në lidhje me arsimin ishte shpallja e projektit të procesit pilot të rankimit nga kompania gjermane CHE. Si e shikoni këtë proces, funksionin dhe pritshmërinë e këtyre rezultateve?
Procesi i renditjes së universiteteve është në vijim të zbatimit të politikave të qeverisë për garantimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë (IAL). Sistemi ynë këto gjashtë vjet ka pësuar një rritje të shpejtë të numrit të studentëve dhe tani e gjithë vëmendja është përqendruar te cilësia. Pikërisht, prezantimi i raportit pilot nga kompania gjermane, CHE-Qendra për Arsimin e Lartë, e cila është nga më seriozet në Europë, shënon vetëm hapin e parë në këtë proces. Metodologjia e përdorur, treguesit shumëdimensionalë dhe renditja e fushave studimore për ta bërë sistemin tonë të krahasueshëm me atë të Europës e më gjerë, përbën një ngjarje me rëndësi për cilësinë e arsimit të lartë.
Ky projekt pilot përmblidhte 4 degë dhe vetëm një pjesë të universiteteve. Cila duhej te ishte, sipas jush, e ardhmja e proceseve të rankimit dhe kulturës së ranikimit për institucionet tona arsimore në të ardhmen?
Projekti ishte pilot për disa arsye: zhvillohej për herë të parë një proces i tillë i renditjes dhe mungonte përvoja, numri i institucioneve të arsimit të lartë është relativisht i madh, programet dhe fushat e studimit janë të shumta, si edhe mungesa e kapaciteteve dhe infrasktrukturës institucionale, bënë të mundur që në fillim të përfshihen në proces katër fusha studimore: Juridik, Ekonomik, Shkenca sociale dhe Infermieri. Procesi kishte edhe një vlerë të madhe për Agjencinë Publike të Akreditimit, pasi kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve dhe kështu i procesi i renditjes i fushave të tjera programore mund të kryhet nga specialistët tanë. Kultura e renditjes nuk ka ekzistuar deri më sot në IAL tona. Strukturat e brendshme të garantimit të cilësisë janë ngritur dhe të tjera janë në proces në të gjitha IAL dhe kështu dalëngadalë po krijohet kjo kulturë. Procesi i renditjes nuk bazohet në tregues që maten me numër dhe më pas të bëhet një shumatore, e cila do të çonte në renditjen e programeve duke filluar nga ai me pikë më të larta e deri tek ai me pikë më të ulëta. Procesi i renditjes në Shqipëri bazohet në disa tregues kryesorë, kryesisht informativë, secili i ndarë në tri kategori: shumë mirë (25% e totalit të atyre që vlerësohen të parët), mesatar (50% e totalit, ata që vlerësohen pas të parëve) dhe dobët (25% e totalit, ata që vlerësohen të fundit). Pra, në këtë mënyrë, vlerësimi për çdo program studimi është i larmishëm. P.sh.; mund të jetë shumë mirë në raportin student-pedagog, mund të jetë mesatar në cilësinë e mësimdhënies, por mund të jetë keq në orientimin apo bashkëpunimin ndërkombëtar. Procesi sapo ka filluar, ai do të vazhdojë më pas për të përfshirë të gjitha programet apo fushat studimore
Ju jeni gjithashtu kryetar i Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Si do të ndikojë ky proces në besueshmërinë e standardeve për licensimin dhe akreditimin e institucioneve tona për të cilat ka mjaft debat në media, publik dhe shoqëri?
Procesi i renditjes nuk ka të bëjë me akreditimin, ndonëse disa tregues të tij mund të përdoren për të dy qëllimet. Renditja e programeve të studimit sipas disa treguesve ka për qëllim të informojë studentët për të bërë zgjedhjen e tyre për studimet e ardhshme, të informojë publikun e gjerë, por edhe strukturat vendimmarrëse dhe politikbërëse. Treguesit duhen parë veçmas dhe më pas mund të nxirret një përfundim përgjithësues. P.sh.; nëse një student/e dëshiron të vazhdojë studimet në një program ku ka bashkëpunim ndërkombëtar, atëherë do t’i kushtojë rëndësi këtij treguesi, por nëse dëshiron të ketë pedagogë me kualifikime sa më të larta, me grada dhe tituj, atëherë do t’i kushtojë më shumë rëndësi këtij treguesi që të jetë shumë mirë.
Për arsimin parauniversitar flitet më pak, por aty ka shumë më tepër njerëz, në çfarë faze reformimi ndodhet arsimi parauniversitar? Dhe, a duhet t’i besojmë një pandehme të përgjithshme se ka rënë shkolla jonë?
Arsimi parauniversitar përbën pjesën më të rëndësishme të sistemit dhe nëse këtu rritet cilësia, atëherë të jemi të sigurt se në arsimin e lartë do të kemi kontigjentë më cilësore dhe të gjitha këto së bashku kanë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Arsimi parauniversitar po zhvillohet mbi bazën e Strategjisë Kombëtare e pasuar nga një plan veprimi i detajuar, i mbështetur edhe nga projekti Cilësi dhe Barazi në Arsim. Vëmendja e qeverisë për arsimin parauniversitar është e madhe, ka dyfishuar pagat e mësuesve krahasuar me 2005-n, të gjitha shkollat janë pajisur me laboratorë kompjuterash të lidhura me internet, janë rikonstruktuar rreth 1200 shkolla këto 6 vjet, klasat dhe mjediset mësimore janë të pajisura me orendi dhe laboratorë. Megjithëse është bërë shumë këto vitet e fundit, si asnjëherë tjetër, ende kemi shumë për të bërë për ta renditur arsimin në krah të vendeve të zhvilluara. Brezat e sotëm janë shumë më të përgatitur se kur kemi qenë ne në kohën e fëmijëve tanë, janë brezi i periudhës së shpërthimit të informacionit, i teknologjisë digjitale, i mësimit të vrullshëm të gjuhëve të huaja etj.
Ju jeni specialist i arsimit dhe përmes teksteve të botuara nga ju ose nën kujdesin tuaj, i mëshoni të mësuarit kritik në krahasim me traditën tonë arsimore të të mësuarit riprodhues. A shihni avancim të mendimit kritik në raport me këto të tjerat dhe çfarë duhet bërë?
Unë kam vite, një periudhë gati 15-vjeçare, që i kam kushtuar tërë kohën dhe energjitë e mia në realizimin e një transformimi madhor të arsimit tonë kombëtar: ta shndërrojmë shkollën nga riprodhimi dhe të mësuarit përmendësh në shkollën e të menduarit. Kjo është një fjali e thjeshtë në dukje, por kërkon energji të mëdha, punë këmbëngulëse. Ne ia kemi borxh këtij brezi që ta arsimojmë në mënyrën më dinjitoze të mundshme për të qenë qytetarë aktivë dhe të denjë të shoqërisë demokratike, të Shqipërisë, vend i zhvilluar pas disa vitesh. Unë kam punuar në mënyrë komplekse në arritjen e këtij synimi madhor, me programe trajnimi, me konsulenca dhe me botime. Këtë punë e kam filluar qysh nga viti 1995 me Projektin për Zhvillimin e Arsimit në Shqipëri (AEDP-Soros) dhe e kam vazhduar më pas në 2001-n me Qendrën për Arsim Demokratik (CDE), organizatë jofitimprurëse, spin-off i Fondacionit Soros. Sot, kur kthej vështrimin pas, shikoj me kënaqësi dhe krenari rezultatet e kësaj punë gjigante. Botimet e CDE-së pothuaj i gjen në të gjitha shkollat shqipe, mësuesit përdorin këto metoda që nxitin dhe zhvillojnë të menduarit kritik dhe të gjitha shprehitë e tjera të shoqërisë së dijes, në programet e trajnimit për të menduarit kritik marrin pjesë gjithnjë e më shumë mësues. Metodat e të menduarit kritik po i përdorin në tekste shkollore tani shumë autorë. Pra, të menduarit kritik ka fituar të drejtën e qytetarisë për të qenë metodologjia mbisunduese në arsim në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni dhe kjo identifikohet lehtë me CDE-në, e cila në këto dhjetë vjet të veprimtarisë së saj ka shënuar një histori suksesi. Ndonëse kemi bërë shumë, ende kemi edhe shumë për të bërë.
Cila është cilësia e mësuesve dhe pedagogëve në sistemin tonë universitar e parauniversitar, të cilët mësojnë rreth 800 mijë shqiptarë, nxënës dhe studentë? A ka ardhur koha për mësuesin si profesion i rregulluar dhe për licensimin e mësuesit, apo jo?
Mësuesit dhe pedagogët tanë kanë përjetuar një periudhë të transformimit të arsimit në këto vite, por edhe ata vetë janë transformuar. Megjithatë, duhet të bëjmë më shumë për të rritur nivelin e mësimdhënies. Fakultetet e mësuesisë kanë nevojë të investojnë më shumë për cilësinë dhe përfshirja e mësuesisë si profesion i rregulluar është një arritje e qeverisë dhe ai tashmë duhet të jetë i licencuar.
Kohët e fundit jeni kritikuar në media për tekste që kanë fituar në konkurse përzgjedhëse për arsimin parauniversitar. Çfarë keni për të thënë dhe a keni konflikt interesi?
Unë jam marrë me librin për një periudhë gati 15-vjeçare dhe pikërisht futja në garën me tekstet e Matematikës 1-5 është në vijim të kontributit për të futur metodologjinë ndërvepruese, e cila i formon më mirë nxënësit, pasi ka në themel të menduarit kritik dhe konceptet e jetës reale në Matematikë. Në veprimtarinë time sipërmarrëse, unë udhëhiqem nga dy parime universale: zbatimi me korrektesë i ligjit dhe i normave morale. Së pari, nuk kam konflikt interesi dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme nga institucionet shtetërore përgjegjëse dhe së dyti, respektoj edhe standardet morale. Tekstet që kanë fituar konkursin dhe janë përzgjedhur nga shkollat janë cilësia më e lartë e mundshme e arritur në Shqipëri, si nga përmbajtja, metodologjia, paraqitja ashtu edhe nga elementet e tjerë, përfshirë edhe atë higjienik, i cili mbron shëndetin e nxënësve.
Në shtyp debatohet lidhur me idenë e një ministrie për arsimin parauniversitar dhe një ministrie për arsimin e lartë, shkencën, inovacionin dhe zhvillimin duke e ndarë kështu më dysh ministrinë e Arsimit. Ç’mendim keni për këtë?
Ideja për të pasur dy ministri të tilla nuk është e re, është hedhur në vitin 2005 dhe më pas edhe në 2009-n. Ka vende që e kanë të organizuar në këtë mënyrë, si p.sh.; Sllovenia, por e quaj të papërshtatshme hedhjen e kësaj ideje në mes të mandatit qeverisës. Megjithatë, kjo çështje i takon strukturave të qeverisë dhe e quaj të tepërt të hapim një temë të tillë në këtë moment.











