“Rama ka burime gjinore informacioni në Ministri”

Jul 20, 2012 | 13:40

Kreu i PS, Edi Rama

Deputetët e PS Gjoni e Lutaj i përgjigjen Imamit në Kuvend.

Ilir Gjoni në Kuvend: Vetë Imami i di shumë mirë.

Deputetët e Partisë Socialiste i janë kundërpërgjigjur dje deklaratave të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, se sekretet që do të mësojnë pranë Shërbimit Informativ të Ushtrisë nuk duhet t’ia tregojnë më as kryetarit të partisë dhe as bashkëshorteve. Pikërisht kjo deklaratë e ministrit Imami, e bërë pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ka irrituar deputetët e opozitës. “Duhet të ngrihet një nënkomision me tre apo katër njerëz të besueshëm të grupeve parlamentare që të betohen për sekretin së pari, dhe kur të dalin nga ai Komision, të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe të mos informojnë as kryetarët e partive se çfarë kanë parë, as gratë e tyre, por të thonë ka apo nuk ka përgjime”, u shpreh Imami. Gjatë diskutimit të lirë në Parlament, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni “dekonspiroi” në një farë mënyrë burimin e informacionit të kryesocialistit Edi Rama, që ishte i pari që foli për përgjimet ndaj deputetëve të opozitës. Sipas Gjonit, ministri i Mbrojtjes nuk duhet të shqetësohet për ndarjen e sekretit të mbikëqyrjes ndaj shërbimeve inteligjente të Ushtrisë me zonjat e deputetëve, pasi sipas tij kryetari i opozitës ka burime akoma më të forta gjinore pranë zotit Imami. “Dy fjalë dhe për deklaratën e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, që ai me demek ka zemërgjerësinë të na japë informacion me kusht që të mos ua tregojmë grave. Dua të garantoj ministrin se kryetari i Partisë Socialiste, veç të tjerave, ka burime informuese gjinore, që dhe vetë ministri i di shumë mirë”, deklaroi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë. Po në këtë linjë dhe anëtari i Sigurisë, Piro Lutaj, u shpreh se “Dy fjalë lidhur me kushtet e Imamit të Saliut, i cili na kërkon të mos ua themi grave, ato që do të mësojmë gjatë kontrolleve në Ministrinë e Mbrojtjes. Zoti ministër, nuk është e thënë që zonjat dhe zotërinjtë deputetë të këtij Kuvendi, të PS-së apo të PD-së qofshin, të kenë me familjaret e tyre raportet që keni ju, që me sa duket ndani me ta vetëm punët e Ministrisë e të qeverisë dhe lini pas dore të tjerat”.

Leonard Demi: Draft për kontrollin e Ministrisë
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, deklaroi të mërkurën se kontrolli në Ministrinë e Mbrojtjes do të realizohet kur të miratohet drafti i paraqitur nga OSBE-ja për kontrollin e shërbimeve inteligjente. “Ne kemi bërë një draft se si kontrollohen me procedurë, dhe këtë draft ia kemi paraqitur kryetares së Kuvendit për diskutim. Kur të miratohet drafti, ne do të vemi për të kontrolluar apo për të mbikëqyrur institucionin, siç e kanë të gjitha vendet. Drafti është hartuar nga ekspertë perëndimorë me mbështetjen e OSBE-së dhe, kur ta miratojë kryetarja, do të fillojmë procedurën”, tha Demi.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura