
Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha reagoi pas deklaratave të kreut socialist për imunitetin.
“Ai mbron pasuritë e paligjshme të miliarderëve të PS”
“Kryetari i Partisë Socialiste është tmerruar nga referendumi popullor për imunitetet”. Ky ishte reagimi i menjëhershëm i zëdhënëses së Kryeministrit Berisha ndaj deklaratave të Edi Ramës gjatë konferencës së tij për shtyp. Erla Mëhilli tha dje se Rama kërkon të mashtrojë shqiptarët për të justifikuar bllokimin që i bëri heqjes së imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve. “Pasi bllokoi më 6 gusht heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, i tmerruar nga referendumi popullor për heqjen e imunitetit, Edi Rama sot bëri përpjekjen e radhës për të mashtruar shqiptarët mbi pasojat e aktit të tij të papërgjegjshëm. Përsëri ai sot deklaroi se nuk është kundër heqjes së imunitetit, por nuk e voton atë, sepse sipas tij heqja e imunitetit nuk paskërka lidhje me luftën kundër korrupsionit, madje zoti Rama deklaroi se referendumi popullor, pra verdikti i qytetarëve për heqjen e tij dhe zhbllokimin e statusit të vendit kandidat, është ‘një lojë pa top e Sali Berishës’”, tha Mëhilli. Sipas zëdhënëses së qeverisë, kreu socialist vazhdon përpjekjet e tij për të instaluar sundimin e pakicës. “Lidhur me këto deklarata, dua të theksoj se kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit për heqjen e imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij e keqe që s’do realizohet kurrë”, tha zëdhënësja e Kryeministrit Berisha. Sipas saj, maxhoranca bëri çdo lëshim për çështjen e imunitetit dhe më 6 gusht pranoi të votonte në Kuvend propozimet e socialistëve.
“Për një votim konsensual për heqjen e imunitetit, zotit Rama iu bënë të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht, më datë 6 gusht, ai bllokoi votimin e draftit të PS-së, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor. Pretendimi i zotit Rama se bllokimi i heqjes se imunitetit nuk është pengesë për luftën kundër korrupsionit, është qesharak dhe fund e krye një mashtrim. Ai përdor këtë argument, sepse për të është fatale pyetja e qytetarëve të thjeshtë socialistë, por edhe e atyre pa parti.
Çfarë e detyron këtë opozitë të mbrojë imunitetin e qeveritarëve dhe zyrtarëve në pushtet? E vërteta është se ai mbron me imunitet pasuritë e paligjshme të klubit miliarder të Partisë Socialiste”, tha zëdhënësja e Kryeministrit Berisha.
Deklarata
Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha, në një konferencë për shtyp tha se maxhoranca do të çojë brenda dy javëve të para të shtatorit kërkesën për referendum për imunitetet. “Deputetët e maxhorancës do të jenë ata që do të dorëzojnë kërkesën për referendum popullor për heqjen e imunitetit, brenda dy javëve të para të muajit shtator. Socialistët rëndom spekulojnë, duke thënë se nuk është imuniteti pengesë për korrupsionin, se edhe po të hiqet imuniteti do të ketë korrupsion”, u shpreh Kryeministri.
Berisha: Hetim i plotë i 21 janarit
Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha tha dje se qeveria mbetet e vendosur për të hetuar në mënyrë të plotë 21 janarin. “I tronditur nga vendosmëria për hetimin e 21 janarit, zoti Rama mori përsipër të bëjë Ramën tjetër. Me këtë rast i rikujtojmë se shamia e përplasur në fytyrën e tij nga familjarët e njërit prej viktimave, do ta ndjekë atë si dëshmi dhe aktakuzë në tërë jetën e tij. Hetimi i 21 janarit në të tëra aspektet e tij është detyrë e dorës së parë e institucioneve të shtetit ligjor, duan apo s’duan Rama apo “topi” që i ka mbetur në portën e tij”, u shpreh Mëhilli.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











