“Rama, ‘drejtues’ humbës dhe përçarës i së majtës”

Jul 15, 2011 | 11:23

Nisur nga rezultatet e zgjedhjeve të 2011-s, të njëjta me ato të vitit 2009
kur e majta e përçarë e detyroi PS-në të riqëndronte në opozitë, shanset janë shumë të ulëta që Partia Socialiste në 2013-n, pa bërë koalicion me LSI-në, të fitojë e vetme maxhorancën qeverisëse. Rama, me qëndrimin e njëjtë ndaj bashkimit të së majtës, po vërteton se është i paaftë për ta bashkuar të majtën, duke e mbajtur kështu PS-në në ciklin e humbjeve të njëpasnjëshme. Rama, nga një drejtues “fitues” në 2005-n për PS, çdo ditë po profilizohet si një drejtues “humbës” për votuesit e majtë. Ka ardhur koha që socialistët dhe të majtët t’i japin një zgjidhje kësaj situate për të mos i lënë në dorë të Ramës fatet e tyre; sepse pas disfatës eventuale në 2013-n do të ishte shumë vonë…
1. Rama, i paaftë për të siguruar suksesin e së majtës …
Aritmetika elektorale më kokëfortë se sa kokëfortësia e Ramës; mendjemadhësia apo mania e tij për pushtet absolut personal, frika nga pranimi i gabimeve dhe nxjerrja e mësimeve, por, mbi të gjitha, paaftësia për të bashkuar të majtën dhe kuptuar sjelljen e votuesve shqiptarë, shpjegojnë përse Rama në krye të PS-së po rezulton humbës. Në vitin 2005, PS kaloi në opozitë për shkak të përçarjes të së majtës. Në vitin 2007 ishte bashkimi me LSI që prodhoi një rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet vendore, duke pranuar po ashtu se ky bashkim nuk arriti në pak kohë të maksimalizonte votat e majta në shkallë kombëtare. Në 2009-n, kryesisht për shkak të Ramës, PS u fut përsëri në konflikt me LSI, duke u detyruar të qëndrojë përsëri në opozitë. Në 2011-n, përsëri për shkak të Ramës, PS e LSI konkurruan në dy koalicione opozitare, duke rritur ndjeshëm shanset e dështimit për PS…
2. Humbja në 2011-n erdhi përsëri nga përçarja e së majtës…
Rama është humbës i dyfishtë në zgjedhjet e vitit 2011: 1) Së pari, koalicioni AQ (PD+LSI) fitoi në shkallë kombëtare rreth 140 mijë vota më shumë sesa AA (PS); mund të arrihet në këtë rast në përfundimin se Rama është humbës si kryetar i PS; 2) Së dyti, në Tiranë, ku Rama ishte kandidat, u shënua rezultati më i dobët në të gjithë Shqipërinë, pra Rama rezultoi kandidati më i dobët i PS-së. Arsyeja themelore është e njëjtë: paaftësia e Ramës për të bashkuar të majtën.
3. Teza e “koalicionit me popullin” është e gënjeshtërt…
Nëse Ramës nuk i pëlqen “aritmetika” e koalicioneve, ai nuk duhet ta anashkalojë atë. Aq më tepër që pa bashkim të së majtës, Rama nuk do të mund të krijojë frymë për ta fituar të gjithë pushtetin i vetëm (bile ka krijuar dhe do të krijojë më shumë frikë e mosbesim) dhe, për rrjedhojë, PS do të mbetet në opozitë thjesht se Rama nuk bën bashkimin dhe nuk përfill aritmetikën elektorale. Teza e “bashkimit/koalicionit me popullin” është e gënjeshtërt dhe rrëzohet racionalisht thjesht me pyetjen: përse nuk funksionoi kjo tezë në 2009-n a 2011-n?…
4. …Rama as i grumbullon votat, as i mbron dot ato…
Dhe, nëse më tej, Rama përgjigjet duke thënë se “fajin e ka Saliu që na vodhi edhe në 2009-n, edhe në 2011-n…”, atëherë paaftësia e Ramës rezulton e dyfishtë: së pari, për shkak të paaftësisë për të bashkuar të majtën, Rama rezulton i paaftë për të mbledhur votat e nevojshme për ta sjellë PS në pushtet; së dyti, për shkak të shkatërrimit të shpirtit militant, PS nuk është në gjendje as edhe t’i mbrojë votat (PS i ka mbrojtur votat në zgjedhjet e vitit 1992 dhe ka qenë në këmbë për të fotografuar me sukses manipulimet në zgjedhjet e vitit 1996).
5. Tezë qesharake: Bojkoti duhet ndërprerë se ka qenë i suksesshëm?
Rama, pasi nxjerr përfundimin e pavërtetë (si në 2009-n), se në zgjedhjet e 2011-s PS “korri fitore spektakolare”, përcakton edhe se cili ishte çelësi i fitores kur thotë se “bojkoti ia arriti qëllimit” dhe më tej arsyetimi bëhet paradoksal e irracional kur thuhet se “mbi këtë bazë, në shtator, PS do ta ndërpresë bojkotin”. Arsyetimi logjik në këtë rast do të ishte se “PS do të ndërpresë bojkotin, se bojkoti ishte i suksesshëm”, citat ky i që u ngjan atyre të ushtarit të mirë Shvejk. Për të qenë seriozë, nga rezultati i zgjedhjeve 2011 duhet pranuar se një arsye thelbësore e humbjes (arsyeja kryesore është përçarja e së majtës), është aplikimi nga PS i një strategjie të veprimit politik “jashtë sistemit politik dhe kundër sistemit politik”, ku në qendër ka qenë bojkoti e të gjitha veprimet e tjera në ekstrem. Pra, bojkoti duhet ndërprerë se ka qenë i dëmshëm për PS dhe nëse kjo nuk kuptohet apo nuk pranohet, atëherë gjasat janë që dështimi të kthehet në disfatë afatgjatë për PS. Po ashtu duhet pranuar me guxim se PS nuk i ka fituar zgjedhjet e 2011-s sepse: 1) aleanca e PS ka rreth 140 mijë vota më pak se aleanca PD+LSI; 2) në Tiranë PS ka humbur i) si përsa i përket votës për Këshillin Bashkiak, ii) si përsa i përket numrit të njësive minibashkiake (nga 9 me 2 për PS në 7 me 4 për PD+LSI), iii) ashtu edhe votave e numrit të këshillave minibashkiakë, dhe 3) nëse u referohemi 12 bashkive kryesore të PS, është rrudhur nga 9 me 3 në favor të saj në 2007-n, në 7 me 5 në 2011-n…
6. “Parashikim” për 2013-n: asnjë opsion fitues për të majtën e përçarë.
Dikush thotë se “është shumë shpejt për të bërë parashikime për vitin 2013”, kjo është e vërtetë, por parashikimet vetëm i ndihmojnë të diturit. Dikush tjetër shton se “nuk mund të bëhen parashikime për zgjedhjet e përgjithshme nga rezultati i zgjedhjeve vendore”. Edhe kjo është e vërtetë në përgjithësi, por në Shqipëri shifrat tregojnë se rezultatet e blloqeve të majta e të djathta janë pothuajse të njëjta në zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme. Dikush, akoma më i mençur, shton i nevrikosur: “Mos i thuaj publikisht parashikimet, se ndikon në humbjen e PS”. Edhe ky duket sikur ka të drejtë, por në fakt ky është iluzion, sepse: 1) Berisha i bën këto parashikime dhe në PS, meqë Rama nuk i mbledh më forumet, këto llogari/parashikime nuk i bën më askush; 2) demokracia është transparencë dhe votuesit bëhen më koshientë po ta njohin rrezikun. Nejse, qetësisht po nis “parashikimet”, në përgjithësi dhe në detaje, për zgjedhjet e vitit 2013, nisur nga rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2011.
A) “Parashikimi” i përgjithshëm është se nisur edhe nga rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2011, me shumë gjasa PS mund të mbetet në opozitë në vitin 2013 nëse e majta nuk bashkohet.
B) “Parashikimet e detajuara janë si më poshtë:
i) AQ (PD+LSI) fiton 78 mandate dhe AA (PS) fiton 62 mandate nëse merret në konsideratë shumatorja në nivel qarku e votave të fituara nga secili koalicion në këshillat e bashkive/komunave në përbërje të qarkut. Ky përkeqësim i rezultatit të PS vjen nga që PBDNJ nuk është futur në 2011-n në koalicion me PS, ndërkohë që në 2009-n ishte në koalicion me PS; pra, koalicioni me PBDNJ do t’i kushtonte PS 4 mandate. Katër mandatet shtesë në këtë rast llogaritjeje do të vinin nga katër qarqet: Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë.
ii) AQ (PD+LSI) fiton 74 mandate dhe AA (PS) plus PBDNJ fiton 66 mandate nëse votat e AA (PS) bashkohen me votat e PBDNJ. Pra, në këtë rast do të përsëritej rezultati i vitit 2009. PBDNJ do të ndikonte për të përmirësuar rezultatin e PS në Durrës, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër. Efekti i PBDNJ nuk ndodh në Vlorë për shkak të krijimit të partisë së re MEGA.
iii) AQ (PD+LSI) së bashku me LZHK fiton 76 mandate dhe AA (PS) plus PBDNJ fiton 64 mandate duke bashkuar votat e AQ (PD+LSI) me votat e LZHK nga njëra anë, dhe votat e AA (PS) me votat e PBDNJ nga ana tjetër. Bashkimi i LZHK me koalicionin AQ (PD+LSI) do t’i sillte AQ një përmirësim me 2 mandate; 2 mandatet do të shtoheshin në krahasim me opsionin ii) në qarqet e Durrësit dhe të Elbasanit.
C) Ka edhe një mundësi llogaritjeje tjetër të mandateve, po t’u referohemi votave të fituara nga kandidatët e bashkive dhe komunave në rang qarku. Në fakt, “konstantja historike” është e vërtetuar për votat e këshillave në zgjedhjet vendore dhe votat e kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme (2005) apo votat e koalicioneve në zgjedhjet e vitit 2009, por asnjëherë për votat e kryetarëve të bashki/komunave. Duke kryer qoftë edhe formalisht këto llogaritje, del se:
i) AQ (PD+LSI) do të fitonte 73 mandate dhe AA (PS) do të fitonte 67 mandate nëse merret në konsideratë shumatorja në nivel qarku e votave të fituara nga secili kryetar bashki/komune në përbërje të qarkut vetëm për të gjithë kryetarët e këtyre dy koalicioneve.
ii) AQ (PD+LSI) do të fitonte 71 mandate dhe AA (PS) plus PBDNJ do të fitonte 69 mandate nëse merret në konsideratë shumatorja në nivel qarku e votave të fituara nga secili kryetar bashkoheshin në përbërje të qarkut për të gjithë kryetarët e AQ (PD+LSI), kurse nga ana tjetër, votave të kryetarëve të zgjedhur në AA (PS) do t’u shtoheshin votat e kryetarëve të zgjedhur të PBDNJ në dy zonat me përqendrim të votuesve minoritarë, Gjirokastër dhe Vlorë (Sarandë e Delvinë).
7. Në vend të një përfundimi…
Nëse e majta mbetet e përçarë, nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet e vitit 2013. Teza e fitores spektakolare në 2011-n mund të mbajë në gjumë vetëm militantët e thjeshtë. Teza e bashkimit me popullin është demagogjike dhe e gënjeshtërt. Teza që bojkoti ishte i suksesshëm është vetëm për konsum kongresial, apo për militantët, sepse është qesharake. Teza se ne kemi fituar, por votat na i kanë vjedhur, provon përgjegjësinë/paaftësinë e dyfishtë për të mbledhur votat dhe për t’i ruajtur ato. Duke mos pranuar dështimin, duke ua hedhur falin bashkëpunëtorëve dhe kundërshtarit, duke bërë me përgjegjësi ndërkombëtarët, duke goditur njerëzit me eksperiencë dhe prishur sistemin e karrierës në PS, duke prodhuar teza të pavërteta dhe aspak funksionale, por, mbi të gjitha, duke treguar paaftësi për të bashkuar të majtën, Rama ka rezultuar dhe duket se do të vazhdojë të rezultojë një drejtues që e mban PS në opozitë. Është koha për reflektim dhe ndryshim; lexoni se ç’do të kishte bërë Rama në 2005-n sikur drejtuesi i PS të sillej siç është sjellë ai në 2009-n dhe tani në 2011-n; rilexojeni të bindeni se ai kishte të drejtë në 2005-n dhe unë kam të drejtë në 2009-n dhe 2011-n, por jo vetëm unë. Shumica, përfshi edhe ata që nuk flasin hapur, mendojnë se “Rama nuk rezulton më drejtues fitues, sepse çdo ditë po identifikohet si misionar i përçarjes të së majtës…”

 

KASTRIOT ISLAMI

© Panorama.al

Te lidhura