“Pushtimi nga Turqia”, APOEL, frikë nga dhuna

Jul 20, 2011 | 11:33
Pankarta e vendosur nga korçarët gjatë Skëndrebeu-APOEL 0-2

Njëzet korriku është një datë zie për një pjesë të mirë të Qipros. Bëhet fjalë për atë popullatë që e konsideron veten europiane dhe tashmë është pjesë e BE-së.Arsyeja lidhet me 20 korrikun e 19740-s kur trupat ushtarake turke pushtuan ishullin. Kjo datë kujtohet edhe sot e kësaj dite dhe zakonisht kalohet duke bërë vizita në varrezat e dëshmorëve, por edhe duke manifestuar për ndarjen e Qipros në atë turke dhe në greke. Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit të Apoelit u kanë bërë thirrje dje tifozëve të tyre me të gjitha mënyrat e mundshme, në media vizive dhe të shkruara, që të mos përdorin thirrje raciste në stadium dhe të mos ushtrojnë dhunë. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, UEFA mund ta dënonte minimalisht me gjobë klubin, por ekziston mundësia e dhënies edhe të ndeshjes në tavolinë për skuadrën korçare. “Ne e kuptojmë dhe respektojmë emocionet e çdo tifozi të Apoelit, megjithatë nuk duhet të lejohen probleme që mund të ndikojnë te skuadra. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me sjelljen tonë gjatë lojës. Qëndrojnë fuqishëm në anën e ekipit, por duhet të shmangim çdo slogan politik apo racist. UEFA na ka paralajmëruar ndaj është në dorën tuaj që Apoeli të mos të gjobitet ose më e keqja të mos dalë fare nga gara në Ligën e Kampioneve”, ka pohuar presidenti i këtij klubi, Fivos Erotokritou. Takimi do të luhet sonte në stadiumin më të madh të Qipros (22.859 vende të ulura) dhe duke parë nacionalizmin e tepruar që përshkon një pjesë të mirë të tifozëve të këtij klubi, drejtuesit janë munduar që të ulin sadopak atmosferën para ndeshjes me Skënderbeun. Kujtojmë se para një jave gjatë takimit të luajtur në Korçë, tifozët shpalosën në stadium një pankartë ku ishte shkruar “Qipro është Turqi”. Kjo u komentua shumë nga mediat qipriote dhe turke, por u mor në konsideratë edhe nga vëzhguesi i UEFA-s ndaj me gjasa klubi korçar do të gjobitet për atë pankartë, e konsideruar si raciste dhe politike. Këtë gjë tifozët e Skënderbeut e justifikuan me faktin se qipriotët kishin provokuar duke nxjerrë flamurin grek të Vorio Epirit dhe duke e cilësuar në këtë mënyrë Korçën si pjesë të Greqisë.

APOEL-Skënderbeu

Sonte, ora 19:00
Formacioni i mundshëm
APOEL: Çiotis, Jorge, Poursaitides, Elias, Olivera, Çaralambides, Manduka, Helio Pinto, Morais, Solari, Almeida. Trajner: Ivan Jovanoviç
Skënderbeu: Shehi, Robles, Vrapi, Bici, Arapi, Orelesi, Bratiç, Allmuça, Muzaka, Shkëmbi, Dos Santos. Trajner: Shpëtim Duro

Tifozet

Në stadiumin e Nikosias nuk do të ketë asnjë tifoz të Skënderbeut. Ndonëse drejtuesit e klubit qipriot ua kanë caktuar vendin korçarëve për të qenë në këtë takim, askush nuk ka preferuar të udhëtojë drejt këtij vendi. Zhgënjimi i humbjes së skuadrës nga njëra anë, por dhe mungesa e dëshirës për organizim të drejtuesve, e ka lënë situatën pa zgjidhje dhe ekipin bardhekuq pa tifozë në këtë takim.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura