“Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës janë të vendosur të mos tolerojnë asnjë abuzim me detyrën, shkelje të ligjit apo barazisë para ligjit nga punonjësit e Bashkisë”.Këtë deklaratë bëri dje drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, Arben Kau, i cili sqaroi arsyet që çuan në vendimin për largimin e 51 inspektorëve të Tatim-Taksave. “Performanca e dobët e realizimit të të ardhurave, vetëm 55% në 7 muaj dhe me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë lejuar informalitet në shkallë të gjerë”, e ka argumentuar lirimin e tyre nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Arben Kau.
Sipas tij, moskryerja e detyrës nga inspektorët tatimorë i ka shkaktuar Bashkisë së Tiranës një borxh tatimor prej një miliard e 282 milionë lekësh. “Janë konstatuar gjatë muajit gusht 2011 gati 500 subjekte të paregjistruara, rreth 20 000 metra katrorë hapësirë publike të evidentuara dhe të padeklaruara. Zënie të hapësirave për parkingje dhe është konstatuar që shumë subjekte nuk kanë kontratë me Bashkinë për zënien e këtyre hapësirave, duke krijuar një borxh tatimor prej një miliard e 282 milionë lekësh”, tha Kau.Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, largimi i këtyre inspektorëve është bërë pas një analize të të gjithë sektorëve për punën e kryer në 7 muajt e parë të këtij viti. Nga kjo analizë, sipas Arben Kaut, doli se të 51 inspektorët nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale. Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave e ka konsideruar absurd motivimin politik që i kanë bërë disa inspektorë largimit nga detyra. “Nuk mendoj se këta inspektorë kanë hyrë në punë në Bashki me teserë partie, prandaj është absurd pretendimi i tyre. Ne jemi të vendosur që të mos tolerojmë asnjë abuzim me detyrën, shkelje të ligjit apo barazisë para ligjit nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës”, shprehet zoti Arben Kau. E, ndërsa inspektoret deklaruan se do t’i drejtohen Prokurorisë, Arben Kau u shpreh i hapur për t’u përballur me pretendimet e tyre në të gjitha institucionet e vendit, duke thënë se “jemi të hapur të respektojmë të gjitha afatet, siç i parashikon ligji për punonjësit të cilët janë me kontratë pune në Bashki dhe në vazhdimësi, po prapë e theksoj që jemi të hapur të përballemi me pretendimet e tyre në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar”.
Liqeni, “ndalohen” biçikletat
Policia Bashkiake nuk do të lejojë më që biçikletat të kalojnë në rrugën e këmbësorëve te Liqeni Artificial. Të kthyera në makth për qytetarët që shëtisin, sidomos në orët e pasdites, tashmë janë marrë masa që ato të lejohen vetëm në pjesën e sipërme të Liqenit, për të evituar incidente të mundshme. Prej dy ditësh Policia Bashkiake ka nisur aksionin, ndërkohë që qytetarët kanë qëndrime të ndryshme. ”Bëjnë shumë mirë që nuk i lënë kur ka shumë njerëz, se ne dalim me fëmijët me frikë mos na i shtypin”, thotë një prind. Liqeni Artificial është i vetmi vend ku kryeqytetasit mund të gjejnë pak
ajër të pastër dhe të ushtrojnë aktivitet sportiv në natyrë.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











