Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë për “Panorama” shpjegon qëllimin e bashkëbisedimit të nisur me studentët në auditoret universitare rreth modernizimit të partive politike. Duke folur për ndryshimet që duhet të ndodhin në Partinë Socialiste, të cilat sipas tij nuk kanë lidhje me individin, Malaj shprehet se hapja e partisë drejt një debati qytetar e modernizon partinë.Sipas Malajt, PS, nëse kërkon fitoret elektorale, nuk duhet të kopjojë modelin qeverisës të PD-së dhe liderit të saj absolut. Duke folur për bojkotin e Parlamentit nga Partia Socialiste, Malaj shprehet se sa më shumë të qëndrojë jashtë Parlamentit PS aq më shumë fshihen dështimet e qeverisë Berisha. Gjithashtu, anëtari i Kryesisë socialiste vëren dhe disa defekte në funksionimin e brendshëm të PS, si mosthirrja e forumit të Kryesisë apo mosangazhimi në grupet e punës të përfaqësuesve të lartë të kësaj partie.
Zoti Malaj, ju keni nisur një tur bashkëbisedimi në ambientet universitare të vendit. Çfarë synoni përmes këtij bashkëbisedimi?
Qëllimi kryesor është rritja e interesit të publikut për politikën. Angazhimi politik nuk duhet konsideruar për disa një mollë e ndaluar dhe për disa të tjerë një dhuratë që të bie nga qielli. Duhet rritur ndërgjegjësimi publik për politikën. Fakti që vendi në mënyrë të përsëritur po përjeton situata krize, fakti që shqiptarët po paguajnë kostot e keqqeverisjes së vendit dhe të agresivitetit politik, mjafton për të vënë dorën mbi plagë. Duhet hapur politika dhe duhen modernizuar partitë politike.
Pati disa interpretime për pozicionimin tuaj në një moment politik, kur ende nuk kishte mbaruar beteja ligjore për Tiranën. Keni një përgjigje për këto interpretime?
Për zhvillimet në PS, personalisht kam qenë vazhdimisht aktiv në median e shkruar dhe në debatet televizive, ku kam deklaruar se bazuar në procedurat strikte administrative, KQZ duhej të shpallte Ramën fitues. Duhet të ishte Basha dhe PD që të ankoheshin në KQZ dhe Kolegj. E kam bërë këtë pa asnjë hezitim dhe drejtpërdrejtë në publik, nuk kam pritur se nga do të anonte peshorja e fitores. Në PS do të jem i përkushtuar në çdo kohë. Disa nga ata që janë shqetësuar nga takimet me të rinjtë, në fakt shqetësohen për mbijetesën individuale, si të përkëdhelur në parti apo të kapardisur në majë të tribunave. Do të mbështes çdo ankesë të kolegëve për procesin e Tiranës, në qoftë se do të vazhdojnë betejën ligjore në Shqipëri apo në Venecia. Kjo nuk duhet të justifikojë humbjen e fokusit për ndryshimet në Kushtetutë, në sistemin zgjedhor dhe reforma të tjera jetike.
Unë do të jem në PS dhe gjithnjë me PS-në edhe kur të zhgënjyerit e radhës do t‘i kthejnë shpinën asaj dhe do të bëjnë pazaret e radhës për karriget e radhës tjetër.
Në parimet që ju prezantoni për modernizimin e partive politike, ju propozoni reduktim të pushteteve të palimituara dhe të pakufizuara në qeverisjen e vendit dhe drejtimin e partive politike. Çfarë efekti pozitiv do të sillte ky përcaktim?
Modernizimi i politikës shqiptare është domosdoshmëri jetike. Pushtetet e përqendruara dhe të palimituara në nivel vendor dhe qendror në qeverisjen e vendit dhe drejtimin e partive politike, janë rrënjët e krizave tona. Është e qartë që modeli i PD si forcë politike dhe modeli qeverisës i Berishës janë të dështuara. Berisha përfaqëson dhe imponon modelin e shtetit të dobët me individë të fortë. Ky model duhet të jetë modeli i së kaluarës, dhe jo i të ardhmes. PS duhet të krijojë modelin e një force politike sa më efektive, modelin e një partie politike institucionale, sepse nesër vetëm nëpërmjet institucioneve të forta mund ta qeverisë më mirë vendin. Fitoret në politikë duhen synuar jo duke kopjuar qeverisjen aktuale, por duke hequr nga modeli politik shqiptar i liderëve me pushtet absolut.
Ja pse e vendosim theksin te hapja e politikës, te rritja e demokracisë në partitë tona politike, te domosdoshmëria e krijimit të ekipeve të zgjedhura në bazë të kontributeve, jo i ekipeve të të emëruarve në bazë të besnikërisë individuale.
Asnjë analizë apo ide e ndarë me studentët e UET-së nuk është e padiskutuar në PS. Janë disa ide që duhen plotësuar, duhen përmirësuar që janë të implementueshme. Prandaj duhen bërë sa më shumë takime dhe duhet mirëpërdorur çdo akses publik.
Ju thoni se “partitë politike duhet të aplikojnë sisteme të vlerësimit të drejtpërdrejtë nga anëtarësia e përfaqësuesve të tyre në Parlament dhe në qeverisjen vendore. Nuk duhet të ndodhë që lista e deputetëve të jetë gjëja më sekrete që ka një parti politike dhe që e ruan të tillë deri në minutën e fundit të afatit ligjor për t’u regjistruar”. Çfarë do të sjellë kjo dhe përse nuk është aplikuar deri tani ky parim në Partinë Socialiste?
Sot, kudo diskutohet për sfidat politike, për pasojat që sjell ajo për çdo taksapagues, për shtetin e dobët dhe kapjen e tij. Ekspertët e politikës sugjerojnë që rruga më e mirë është forcimi i shtetit ligjor, rritja e demokracisë pjesëmarrëse, komunikimi i drejtpërdrejtë me votuesit, dhënia e një pushteti më të madh votuesve në përzgjedhjet e kandidatëve për deputet, kryetar komune e bashkie. Demokracia dhe transparenca janë të lidhura ngushtë. Aty ku transparenca mungon, aty ku diskutimi publik mungon, aty ku forumet politike nuk funksionojnë, rritet risku i gabimeve dhe dështimeve. Mos harroni çfarë ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vendit, sa rëndë u dëmtua ndarja e pushteteve dhe sa është dëmtuar demokracia në partitë politike!
Propozimet tuaja në formën e një platforme, a do t’i paraqiten grupit të punës për programin e PS? Keni biseduar paraprakisht me zotin Rama për këto propozime dhe si janë pritur në forumet drejtuese të PS-së?
Zoti Rama ishte në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare kur unë i parashtrova ato, fakti që nuk qëndroi t‘i dëgjonte, nuk do të thotë se nuk do t‘ia paraqes grupit të punës të AK-së, ai i drejton vetë të dyja grupet, për programin dhe statutin. Përgjegjësia për propozimet e bën më të domosdoshëm diskutimin edhe publik.
Sot, ka mundësi më shumë se në çdo herë tjetër për të ndarë ide, argumente dhe kundërargumente me një numër gjithnjë e më të madh kolegësh, anëtarë të PS-së, mbështetës të saj, por edhe me opinionin publik. Në çdo rast i kam ndarë mendimet dhe shqetësimet e mia në forumet e PS; kam debatuar gjatë dhe me argumente konkrete pse nuk duhet të ndryshonim në mënyrë jo transparente dhe pa diskutim publik Kushtetutën; kam diskutuar brenda PS për meritokracinë në përzgjedhjen e deputetëve; kam reaguar gjithashtu në forumet e PS-së kur disa kolegë të përkushtuar u përjashtuan nga përfshirja në listë edhe pse kanë kontribute të qarta, të provuara në favor të PS dhe të sukseseve të saj elektorale. Uniteti formal, disiplina dhe solidariteti formal kanë qenë më të fortë.
Si e gjykoni idenë që Rama lançoi në Asamblenë e PS për një opozitë të re alternativa me nisma ligjore në Kuvend?
Opozita nuk është aktive në debatet parlamentare për sfidat e vendit, opozita mungon në Parlament për reforma të rëndësishme. Nuk mblidhet forumi politik i PS që ka për detyrë të përpunojë qëndrimet politike të saj(Kryesia). Dy kolegë socialistë me mandate politike në PS nuk përfshihen në grupet e punës. Disa individë dhe disa zyra keqpërdoren për sulme deri banale ndaj çdo individi apo aktiviteti që nuk i pëlqen dikujt. Dashuri me banalitet, një kontradiktë e madhe midis përbetimit për PS-në dhe abuzimit me forcën e madhe politike dhe publike të PS-së. Diskutimet dhe debatet në PS nuk janë kundër asnjë individi, por janë pro PS. Mentalitete të djathta apo të majta që i barazojnë partitë vetëm me kryetarin e tyre, i dëmtojnë partitë politike dhe pengojnë modernizimin e politikës shqiptare.
Ju, por dhe deputetë të tjerë të PS, propozuat kthim në Parlament të Grupit Parlamentar socialist për interesin e madh që kanë për publikun çështjet që kanë qenë në rend të ditës? Duhet të ishte opozita në seancën e së enjtes kur u diskutuan ndryshimet në buxhet, por dhe ligji për regjistrimin e popullsisë dhe pronës?
Opozita nuk duhet ta kishte braktisur për asnjë ditë Parlamentin. Duhet të ishte aty përballë qeverisë, për të dëshmuar me argumente dhe raste konkrete dështimin e saj. Pjesëmarrja në Parlament nuk pengon organizmin e protestave paqësore. PS nuk duhet konceptuar si një parti jashtë institucioneve. Sa më gjatë PS-ja të jetë jashtë Parlamentit, sa më shumë të shfaqet radikale, aq më shumë ja fshehim dështimet qeverisë Berisha. Krizën tonë do ta paguajnë më rëndë ata që shpresojnë më shumë! Përgjegjësia jonë është të mos i zhgënjejmë ata. Në rast të kundërt, zhgënjimi i publikut ndaj politikës dhe humbja e shpresës për të ardhmen, do të rriten. Atëherë ky do të jetë dështimi ynë.
ARISTIR LUMEZI











