“PS, si Partia Demokratike dhe Republikane në SHBA”

Feb 17, 2012 | 10:30

Kreu i PS, Edi Rama

Kreu i PS, Edi Rama, i përgjigjet pyetjeve të analistit Bugajski.

Rama: Ne i ofrojmë medias debatet tona të brendshme.

Kreu socialist, i ftuar dje në emisionin “Bugajski hot seat”, me analistin e njohur Janusz Bugajski, tha se Partia Socialiste funksionon njëlloj si partitë amerikane nga ana e demokracisë. Sipas tij, PS mbetet një parti me debat të theksuar të brendshëm, debat që ofrohet në media përmes vetë socialistëve.
Po filloj me një pyetje e cila paraqet një interes të veçantë në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian. Duke marrë parasysh akuzat e vazhdueshme të opozitës për manipulim me zgjedhjet, centralizimin politik, si dhe të shtënat kundër demonstruesve… Siç i pamë ngjarjet tragjike vitin e kaluar… Ideja që Shqipëria nuk është një vend plotësisht demokratik, apo që është një demokraci e rastësishme, dhe ka shumë mundësi të jetë një demokraci e dështuar… Si do përgjigjeshit ndaj këtyre konstatimeve?
Do të thosha se Shqipëria është një demokraci jofunksionale. Kjo është vërtetuar jo vetëm nga ngjarjet që ju përmendët, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Jo vetëm për sa u përket institucioneve qeveritare, por edhe për sa i përket jetës së përditshme, Shqipëria është një demokraci jofunksionale.
Jofunksionale nënkupton që ajo ka qenë një vend demokratik dhe tani nuk po përmbush dot pritshmëritë e saj fillestare, apo është kjo pjesë e fazës së rritjes në periudhën postkomuniste?
Mendoj se 20 e ca vjet janë shumë për të thënë se kjo është pjesë e rritjes apo e rrugës drejt një demokracie funksionale. Mendoj se Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë liri, por kjo liri është kërcënuar herë pak dhe herë shumë gjatë këtyre 20 viteve. Pra, nuk mund të them se vendi ka qenë një demokraci funksionale dhe tani ajo është jofunksionale. Por, pa dyshim, mund të them se ka qenë një demokraci shumë më funksionale se sa është tani.
Në emisionin tim të parë intervistova Kryeministrin, dhe ai mendonte se opozita po planifikonte njëfarë grushti shteti në ngjarjet e 21 janarit. Si do t’i përgjigjeshit kësaj akuze dhe a do merrnit ju dhe Partia Socialiste ndonjë përgjegjësi për ngjarjet tragjike të 21 janarit?
Mendoj se një vit mjafton për të vërtetuar njërin apo tjetrin variant. Provat po bërtasin për të treguar përgjegjësinë e qeverisë, vrasjet e njerëzve, si dhe atë që po ndodh me procesin e hetimit. Falë qeverisë amerikane dhe FBI-së, ai ka bërë një përparim të konsiderueshëm, por në të njëjtën kohë është penguar egërsisht nga qeveria. Nga ana tjetër, po, demonstrata u shoqërua në disa rrugë nga dhuna, e cila ishte kryesisht një reagim ndaj provokimit të panevojshëm të forcave të policisë. Por, hetimi ka përparuar edhe në këtë drejtim. Shumë protestues janë hetuar, janë paditur, dhe madje janë ndëshkuar, por nuk ka asnjë provë për të besuar variantin e Kryeministrit. Varianti i Kryeministrit është një fotokopje e keqe e asaj që kemi dëgjuar në kohën e regjimit të vjetër për forcat e brendshme që përpiqen të sabotojnë partinë e lavdishme komuniste dhe qeverinë e saj.
A do t’i pranoni rezultatet e procesit të hetimit?
E kemi ndjekur procesin, dhe deri diku dyshuam se ai ishte i njëanshëm. Pra, po hetoheshin dhe po nxirreshin në gjyq vetëm protestuesit. Por edhe gjatë asaj periudhe nuk reaguam politikisht për të penguar apo ndaluar hetimin. Sot mund të themi me krenari se pranuam edhe kërkesën e kryeprokurores për të vijuar hetimin, duke kërkuar heqjen e imunitetit për 3 nga anëtarët tanë në Parlament. Do ta bëjmë këtë edhe për të tjerë, nëse do të jetë e nevojshme. Për ne kjo çështje lidhet me të vërtetën, vetëm të vërtetën, dhe asgjë tjetër përveç së vërtetës.
Mund të kthehemi sërish te programi, por dua t’ju bëj një pyetje tjetër për partitë politike, përfshirë partinë tuaj. Shpesh në Uashington më pyesin se si funksionojnë partitë politike në Shqipëri? Sa demokratike janë këto parti? Cilët janë deputetët dhe liderët e këtyre partive? Si do t’u për-gjigjeshit këtyre pyetjeve?
Mendoj se këto pyetje mund të marrin përgjigje të ndryshme, por duke qenë se ato vijnë nga Uashingtoni, do t’u përgjigjesha këtyre pyetjeve në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke thënë se nuk ka asgjë ndryshe nga Partia Republikane aktuale apo Partia Demokratike, sigurisht nëse bëhet fjalë për Partinë Socialiste. Natyrisht ka ndryshime mes partive në vend. Të gjithë e dinë se në Partinë Socialiste ne kemi mundësi t’i përmirësojmë mekanizmat demokratikë. Mund të përmirësojmë komunikimin mes anëtarëve të partisë në të gjitha nivelet. Por sigurisht, kemi një parti ku kushdo mund të thotë atë që mendon. Kemi një parti, e cila i ofron medias debatet e saj të brendshme. Në anën tjetër kemi një parti ku ekziston vetëm një person, dhe nga ku nuk ka më lajme të reja prej shumë kohësh.
Pra, po bëni një dallim mes socialistëve dhe demokratëve për sa i përket organizimit të brendshëm?
Nuk e bëj unë këtë dallim, atë e dinë të gjithë. Të gjithë e shohin, të gjithë e prekin prej shumë kohësh. Partia Socialiste ka në ADN-në e saj nevojën për një debat të brendshëm. Problemi ynë është se duhet ta përmirësojmë atë, dhe ta përdorim në interesin më të mirë të njerëzve. Ndonjëherë kjo rrjedhë merr një drejtim jo shumë interesant për njerëzit dhe jo të rëndësishëm për vetë shoqërinë. Ky është problemi ynë.
Nëse shohim spektrin politik në Shqipëri, veçanërisht lëvizjet dhe partitë e reja që po krijohen, cili është mendimi juaj për Aleancën Kuq e Zi? A mund të bëhet kjo lëvizje një forcë e rëndësishme politike? A mund të tërheqë ajo disa nga këta të rinj, të cilët janë të lodhur me strukturën politike, mbase të lodhur me të dyja partitë politike? A duhet të tregojmë kujdes për këtë lëvizje?
Fillimisht, mendoj se kjo lëvizje vjen si shprehje e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj palës së djathtë, por është gjithashtu një lëvizje që mund të tërheqë të rinjtë që nuk kanë një pikë referimi. Siç e thashë, debati publik varfërohet ditë pas dite, presioni shtohet ditë pas dite, frika nga pasojat në jetën e cilitdo po shtohet ditë pas dite. Nuk më pëlqen që shqiptarët ta fillojnë këtë udhëtim për shkak të mungesës së alternativave dhe për shkak të zemërimit. Ne e dimë mjaft mirë çfarë mund të sjellë ky zemërim. Po, ekziston një mundësi, por unë e shoh kryesisht si pakënaqësi dhe zemërim ndaj palës së djathtë.
A ka një element të mundshëm nacionalist në një lëvizje të tillë? E thënë ndryshe, një element që mund të nxjerrë në pah ndjenja etno-nacionaliste, mbase edhe ndenja ekspansioniste, ndjenja mërzie mes publikut shqiptar?
Duhet ta pranojmë se jetojmë në një realitet i cili ka disa elementë të rinj. Ka elementë të rinj për të shprehur mërzinë,
për të shprehur pakënaqësinë, për të shprehur dëshirën për ndryshim. Pjesë e këtyre elementëve të rinj është nacionalizmi. Sigurisht, ekonomia nuk po ndihmon në parandalimin e tij, varfëria nuk po ndihmon në parandalimin e tij. Mungesa e perspektivës për shumë të rinj të papunë apo të rinj që do të përballen me punën pasi të mbarojnë universitetet, apo të ashtuquajturat universitete… Të gjitha këto janë një ushqim i mirë për këtë element. Por, unë mendoj se alternativa gjendet diku tjetër. Alternativa është të ndryshojmë pa harruar se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Europës. Europa është destinacioni ynë i përbashkët. Ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Europian si anëtarë me të drejta të plota, si qytetarë europianë të shkallës së parë. Pra, jo qytetarë europianë dytësorë. Sepse kjo shkon së bashku, dhe pa njërën nuk mund të jetë as tjetra.

“Albanian Screen”

© Panorama.al

Te lidhura