
TIRANE – Gjykata e Lartë i ka kthyer Gjykatës së Apelit të Vlorës dy çështje “të nxehta”, që kanë të bëjnë me urdhrat e sekuestros të vendosur nga prokuroria mbi pronat e biznesmenit Ervis Gjeçaj, kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Pas vendimit për prishjen e verdiktit të dhënë nga Gjykata e Apelit të Vlorës për bllokimin e pronës “Casino Italia”, konkretisht ambienteve të saj në Mullet, Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë edhe vendimin e Gjykatës së Vlorës për sekuestrimin e “Betting System Albania” me adresë në Rrugën e Durrësit, Laprakë, Tiranë. Sipas Gjykatës së Lartë, çështja e të dy këtyre bizneseve rikthehet përsëri në Gjykatën e Apelit në Vlorë, ku duhet që shqyrtimi të bëhet nga një tjetër trupë gjykuese. Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimeve të Gjykatës së Apelit të Vlorës, pasi kjo gjykatë kishte kryer shkelje procedurale. Kështu, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që miratoi sekuestrimin e ambienteve të objekteve të biznesit në zotërim të Ervis Gjeçajt e bashkëpronarëve të tjerë, ata bënë ankim në Apel. Konkretisht, biznesmeni Ervis Gjeçaj iu drejtua Gjykatës së Apelit Vlorë, me argumentin se pronat e tij nuk kishin lidhje me aktivitetet e shtetasit italian Albino Prudentino. Gjykata e Apelit Vlorë rrëzoi kërkesën dhe la në fuqi sekuestron, por pronarit të bizneseve i dha vetëm diapozitivin e vendimit, ndonëse kaloi afati 5-ditor i zbardhjes së dokumentit, ku duhej dhënë edhe argumentimi për bllokimin e pronave në fjalë. Nisur nga ky shkak, biznesmeni ankimoi çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila ka prishur dy vendimet e gjykatave të Vlorës dhe ka rikthyer çështjen për shqyrtim. Problematika e bizneseve të Gjeçajt me drejtësinë filloi pas arrestimit në Vlorë të Albino Prudentinos, anëtar i “Sacra Corona Unita”, më 29 shtator 2010. Djali i tij Angelo shiti një ditë më pas aksionet e veta në Betting System Albania. Në këtë shoqëri kanë kapital e aksione edhe shtetasit Francesko Fornelli, Giuseppe Palma dhe Ventigjar Kaçi. Sipas burimeve, Angelo Prudentino në këtë shoqëri zotëron 90 mijë aksione, me përqindje në kapital 4500 dhe kontribut në para 90 milionë. Ndërkohë, në shoqërinë “Casino Italia”, e kërkuar për konfiskim, Angelo Prudentino zotëron 60 për qind kontribute dhe 50 për qind pjesëmarrje. Po sipas Prokurorisë, në shoqërinë “Beting System Albania”, aksione zotëron edhe biznesmeni shqiptar Ervis Gjeçaj, kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Ai ka shumat 5 mijë aksione dhe përqindje kapitali, 5 mijë. Në të njëjtin biznes, italiani Giuseppe Palma zotëron numrin e aksioneve 3 mijë dhe kontribut në para 60 milionë. Në të njëjtën shoqëri figuron aksioner edhe shtetasi shqiptar Gani Baku.











