Kreu i LSI, Ilir Meta, akuzoi dje institucionin e Prokurorisë për shkelje të ligjit.Duke përshëndetur vendimin e Kolegjit të Gjykatës së Lartë, Meta bëri përgjegjëse Prokurorinë për zvarritje të punës së saj, e nxitur sipas tij për arsye politike. “Ka një shkelje totale të procedurave nga ana e Prokurorisë. Ka funksionuar si një celulë politike ekstremiste për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që unë drejtoj vetëm për arsye elektorale”, u ashpreh Meta. Sipas tij, kërkohet një reformë në organin e akuzës, pasi ai vazhdon të funksionojë si në kohën e Sigurimit të Shtetit. “Ende në Prokurori ekziston e kalçifikuar mendësia e funksionimit të saj si në kohën e Sigurimit të Shtetit. Gjë që është tërësisht e papranueshme për një vend demokratik dhe europian siç është Shqipëria. Natyrisht, që kur të përfundojë i gjithë ky proces, unë do ta informoj Parlamentin për të gjitha këto shkelje skandaloze. Sepse Parlamenti është gënjyer, Parlamenti është mashtruar. Natyrisht, unë e kërkova vetë heqjen e imunitetit edhe ky ishte dhe një vullnet i maxhorancës. Në këtë institucion të nisë një reformë serioze, pasi me veprimet skandaloze po shkaktohen jo vetëm probleme politike, por edhe sociale”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së gjatë një konference për shtyp tha se ka fakte që Prokuroria shkeli procedurat hetimore, ndaj sipas tij hetimet duhet të shpallen të pavlefshme. Sipas Metës, veprimet e Prokurorisë kërkonin të godisnin politikisht LSI vetëm një ditë para zgjedhjeve të 8 majit. “Prokuroria e regjistroi çështjen pa emrin e Ilir Metës në 12 janar, kur bëhej fjalë për të hetuar Ilir Metën, por dosja nuk kishte ende emër. Më pas e regjistroi në 9 shkurt dosjen me emrin tim, me qëllim që çdo veprim më tej të koinçidonte me 8 majin, ditën e zgjedhjeve. Nga 12 janari e deri më 9 shkurt hetimet duhet të shpallen të paligjshme, pse nuk e dinte Prokuroria kë po hetonte? Por Prokuroria kishte marrë detyrë ta lidhte çështjen me datën 8 maj, ditën e zgjedhjeve, dhe pikërisht një ditë para zgjedhjeve më marrin në pyetje duke bërë show politik”. Sipas tij, organit të akuzës i është ndaluar të zbardhte të vërtetën, sepse nuk mund të dilte e vërteta para zgjedhjeve të 8 majit. “Edhe pse kishte vullnetin tonë për ta zbardhur, nuk përfundoi hetimet më përpara, por ditën e parafundit të zgjedhjeve vendore thirri Metën për ta marrë të pandehur për këto akuza, vetëm e vetëm për show mediatik. U bënë 3 herë ekspertiza të videos, 3 herë dhe kjo është e paligjshme”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së tha gjithashtu se nga kontaktet e kohëve të fundit me shumë avokatë, ka dëgjuar “ngjarje nga më të tmerrshmet të cilat kanë të bëjnë pikërisht me veprime të paligjshme në mënyrë të ndërgjegjshme nga ana e Prokurorisë, ndaj qytetarëve dhe për çështje të caktuara”.
Pavlefshmëria
Kreu i LSI-së tregoi dje nisur nga procedurat e Prokurorisë se heqja e imunitetit të tij nga Parlamenti ishte e paligjshme. “Të tria herët e ekspertizave janë zgjedhur vetë nga Prokuroria, të tria herët është shkelur në mënyrë flagrante ligji dhe Kodi i Procedurës Penale, duke dëmtuar në mënyrë të qëllimshme një proces ku Prokuroria kishte për të detyrë të zbatonte ligjin dhe të zbardhte të vërtetën. Kjo tregon se edhe kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit
tim është bazuar në një ekspertizë të paligjshme dhe të pavlefshme”, u shpreh Meta.
Gjykata
Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë me relator gjyqtarin Ardian Dvorani mori parasysh kërkesën e ish-zv. kryeministrit Ilir Meta për të shqyrtuar me themel çështjen dhe për të mos e mbyllur atë për shkaqe proceduriale. Edhe Prokuroria ishte dakord që çështja të shqyrtohej në themel. Prokurori Bujar Shehsi, që përfaqësoi Prokurorinë e Përgjithshme, parashtroi kërkesat e tij dhe kërkoi të thirrej si dëshmitar edhe ish-ministri Dritan Prifti, autori i video-përgjimit. Gjykata e Lartë vendosi që të kryhet një ekspertizë e re për video-përgjimin, duke rrëzuar ekspertizën e deritanishme.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











