
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pati dje një takim me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë. Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave dhe sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se gjatë takimit, kryeprokurorja Ina Rama bëri një pasqyrë të punës së institucionit të akuzës shqiptare, angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke synuar gjithnjë rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe mirëfunksionimin si institucion i pavarur. Në vijim të fjalës së saj, kryeprokurorja bëri një panoramë të institucioneve të Drejtësisë, mënyra si funksionojnë dhe ndërlidhen ato me njëra-tjetrën, si dhe sfidat me të cilat ndeshet sot Drejtësia shqiptare. Nga ana tij, zëvendësndihmëssekretari i SHBA theksoi se në një demokraci funksionale është e rëndësishme pavarësia e institucioneve. Riker, në këtë aspekt, duke njohur rezultatet pozitive të arritura, e cilësoi Prokurorinë shqiptare si një partnere të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit u cekën dhe probleme të reformës në sistemin e drejtësisë, mirëfunksionimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve në fushën e Drejtësisë dhe marrëdhëniet midis pushteteve në respekt të funksionimit të shtetit ligjor.
Riker, 50 minuta në zyrën e Bashës
Pas takimit me Presidentin, Kryeministrin dhe me ministrin e Jashtëm, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Riker, ka zhvilluar një takim të veçantë me kryebashkiakun Lulzim Basha. Takimi është zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Tiranës dhe ka zgjatur për rreth 50 minuta, më shumë se sa ishte programuar. Gjatë takimit, Basha dhe Riker kanë biseduar gjatë për bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë në projekte të rëndësishme. Zëvendësndihmëssekretarin amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Riker, ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën: “Roli i ardhshëm i NATO-s dhe BE-së në Europën Juglindore (zgjerimi i BE dhe sfidat transatlantike)”. Në konferencë do të marrin pjesë personalitete të njohura nga vende anëtare të NATO-s, ndërsa kjo është vizita e parë e Philip Riker në Shqipëri që pas emërimit në Departamentin Amerikan të Shtetit.











