“Projektet për Tiranën, partnerë investitorët kinezë”

May 9, 2012 | 15:11

Kryebashkiaku Basha gjatë takimit të djeshëm me investitorët kinezë

Basha: Bashkëpunimi me bizneset më të njohura në infrastrukturë e ndërtim

Drejtuesit e 67 sipërmarrjeve ndër 500 më të rëndësishmet në Kinë, u pritën dje në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Mes tyre edhe 100 biznesmenë, të cilët  kanë zgjedhur Tiranën si destinacionin e parë të tyre në Europë. Ata do të jenë pjesë e Panairit të teknologjisë dhe investimeve, që çelet sot  kryeqytet. Ka nisur kështu java e investimeve të huaja. Kjo vizitë, sipas kryetarit të Bashkisë, dëshmon besimin që investitorë të rëndësishëm kanë te Tirana dhe projektet e Bashkisë për zhvillimin ekonomik dhe punësimin.  Basha bëri një prezantim të projekteve për zhvillimin e kryeqytetit. Ai bëri të ditur se ka përfunduar draft-plani i ri urbanistik, në të cilin parashikohen investime të mëdha në infrastrukturë, ndërtimi i Unazës së Madhe, zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i dy linjave të tramit dhe terminalit multimodal të pasagjerëve. “Sot fillon një javë shumë e rëndësishme për Tiranën, e cila do të ketë në qendër investimet e huaja dhe projektet strategjike të qytetit tonë. Çfarë i sjell këto pesha të rënda të kapitalit kinez dhe këta ‘lojtarë’ të rëndësishëm të kapitalit botëror në qytetin tonë? Pikë së pari, një partneritet i hapur dhe i sinqertë, i farkëtuar në bashkëpunim me autoritetet kineze dhe që ka në qendër zhvillimet e reja në Tiranë, bulevardin e ri, rehabilitimin e lumit të Tiranës, projektet e infrastrukturës dhe gjithë impaktin që kjo do të sjellë për investimet private, në veçanti në fushën e prodhimit, por po kështu në fushat e ndërtimit, shërbimeve dhe infrastrukturës”, tha Basha. Nënkryetari i Bashkisë së Nanjingit shprehu bindjen se investitorët kinezë do të përzgjedhin Tiranën për të shtrirë aktivitetin e tyre, sikundër vlerësoi lehtësirat për biznesin dhe vizionin e projektet e zotit Basha për zhvillimin e Tiranës. Zoti Li Fuquan i dorëzoi kryetarit të Bashkisë, zotit Basha, edhe ftesën zyrtare të kryetarit të Bashkisë së Nanjingit, sikundër pranoi ftesën e zotit Basha që kryetari i Bashkisë Ji Jianye të vizitojë Tiranën.

Terminali, brenda muajit firma fituese
Brenda këtij muaji përzgjidhet studioja që do të bëjë studimin e fizibilitetit për terminalin e pasagjerëve. Pas fondit 500 mijë euro të dhënë nga BERZH, 11 studio kanë shprehur interes për kryerjen e studimit të fizibilitetit për terminalin multimodal të Tiranës. Drejtuesit e bordit të  BERZH-it, Zbigniew Hockuba dhe Stefka Slavova, të cilët zhvilluan dje një takim me kryebashkiakun Basha, janë shprehur të kënaqur me ecurinë e deritanishme të procedurave, të cilat, sipas tyre, kanë vijuar më shpejt se për çdo projekt tjetër.  Kryebashkiaku dhe drejtuesit e BERZH-it kanë diskutuar edhe për projekte të tjera, siç janë parkimet, menaxhimi i mbetjeve për ndërtimin e linjave të tramit.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura