Në një intervistë për gazetën “Panorama”, bashkëhartuesi i Kodit Zgjedhor nga Partia Demokratike, Oerd Bylykbashi, shprehet se KQZ veproi në bazë të ligjit për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara.
Z. Bylykbashi, ju jeni një nga bashkëhartuesit e Kodit Zgjedhor, e njihni mirë këtë ligj dhe procedurat e tij. KQZ vendosi që të numërojë vota, të cilat ishin hedhur në kuti të gabuar. Ka lindur një debat juridik në lidhje me vendimin e KQZ-së, po realisht, a duhej të numëroheshin ato vota?
Unë besoj se KQZ ka bërë veprimin e duhur, të bazuar mbi të gjitha dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe parimet e zgjedhjeve demokratike që ka OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Parimi themelor është se vota është e barabartë dhe që kjo votë të jetë e barabartë, për zgjedhësit gjëja kryesore është që çdo votë e hedhur me vullnetin e zgjedhësit, të shprehur qartë, të numërohet. Për rrjedhojë, ndërkohë që të gjithë ne duhet të jemi dakord me këtë parim, barra i bie administratës zgjedhore që vërë në zbatim të gjitha standardet e OSBE-së, Këshillit të Europës, të Kushtetutës dhe dispozitat e Kodit tonë Zgjedhor, që kërkojnë që një votë të quhet e vlefshme kur qëllimi i zgjedhësit të jetë i shprehur qartë se për cilin subjekt ai po voton. Në rast se kjo ka ndodhur brenda të gjithë procesit që parashikon ligji, më pas administrata duhet të sigurojë që kjo votë të numërohet. Për arsye të administrimit të votës, zgjedhësi në Tirane është i detyruar të votojë me katër fletë votimi në katër kuti. Ndërsa një zgjedhës jashtë Tiranës e ka më të lehtë në këtë kuptim, sepse voton vetëm me dy fletë votimi dhe në dy kuti. Për rrjedhojë, zgjedhësi i Tiranës s’mund të jetë më i disavantazhuar se ai i një bashkie apo komune tjetër. Votimi me dy apo katër kuti të ndryshme bëhet për lehtësi administrimi, në mënyrë që numëruesit ta kenë të thjeshtë për të numëruar fletët e numërimit për secilën nga garat. Por, në asnjë rast asnjë procedurë nuk mund të kthehet kundër dhe të mbysë të drejtën themelore të çdo shtetasi shqiptar mbi 18 vjeç, që është e drejta për të votuar. Procedura ekziston për ta garantuar shprehjen e vullnetit të zgjedhësit dhe jo për ta mbytur atë. Për rrjedhojë, KQZ ka bërë numërimin nisur jo vetëm nga parimi, por edhe nga dispozitat e Kodit Zgjedhor që garantojnë aplikimin e parimit. KQZ, duke vepruar si KZAZ e madhe e Tiranës për shkak se Kodi e mandaton me këtë detyrë, drejtoi, kontrolloi dhe përmbylli një procedurë të rëndësishme, që është numërimi i të gjitha votave për Bashkinë e Tiranës. Nuk është që këtë detyrë KQZ e bën vetëm për zgjedhjet lokale dhe vetëm për Tiranën, por KQZ vepron me këtë tagër për 12 zonat zgjedhore parlamentare që i përkasin të 12-të qarqeve. Është e njëjta procedurë me zgjedhjet e përgjithshme, vetëm se në rastin e zgjedhjeve lokale, Tirana është e vetmja që ka ngjashmëri me këtë. Pra nuk jemi para diçkaje të re, por kjo ka ndodhur edhe në vitin 2009, kur janë lënë kuti të panumëruara. Në rastin e Fushëkuqes, në zgjedhjet e 2009-s KQZ ndërhyri, i numëroi dhe më pas i nxori ajo tabelat e rezultatit duke shfrytëzuar kompetencat që i jep ligji për të qenë KZAZ e një zone të madhe. Në vendimin e saj, KQZ e ka bërë të qartë që këtë ka bërë edhe në Tiranë, duke konstatuar faktin që një numër votash ishin të panumëruara dhe duke iniciuar një hetim administrativ si një organ që e ka për detyrë të hetojë të gjitha pretendimet e palëve gjatë procesit administrativ të numërimit, mbi bazën e nenit 33, pika c, që e mandaton për të bërë një hetim të tillë. KQZ e bën të qartë, që bazuar edhe në rekomandimet e OSBE-së, ka ndërmarrë një hetim administrativ para se ta nxjerrë rezultatin. KQZ bëri pikërisht këtë. Identifikoi votat e panumëruara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, pavarësisht se kush e kërkonte këtë mbi bazën e të gjitha indicieve që gjendeshin në dokumentacion zgjedhor dhe më pas shpalli rezultatin më të plotë që duhet të dilte. Rezultati që KQZ kishte nxjerrë mbi bazën e një projekti për të siguruar transparencë është veçse një rezultat paraprak dhe jo zyrtar, dhe nuk mund të jetë ai rezultat që tabulohet apo certifikohet nga administrata. KQZ, për rrjedhojë, në zbatim të ligjit, garantoi principin e numërimit të çdo vote.
Kodi ynë Zgjedhor u bë në vitin 2008, në bazë të eksperiencës së disa vendeve perëndimore. Por, a ka precedentë nga vendet e tjera që votat e hedhura në kuti të gabuara janë numëruar?
Ju me të drejtë iu referuat parimit. Kushtetuta jonë, Kodi ynë Zgjedhor dhe e gjitha praktika jonë zgjedhore nuk bën gjë tjetër veçse mishëron standardet bazë ndërkombëtare për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Sigurisht që ne jemi më të vonuar se të tjerët në organizmin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, duke bërë progres të jashtëzakonshëm në 2009-n dhe në këto zgjedhje. Legjislacioni ynë është në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare në këtë fushë. E drejta e votës është e karakterizuar nga liria. Kushtetuta e përcakton qartë, sidomos neni 45, ku thuhet se vota është e barabartë dhe, nga ana tjetër, këtë liri që kanë zgjedhësit nuk mund ta kufizojë ligji, sepse neni 17 i Kushtetutës ndalon që një e drejtë themelore të mund të kufizohet me ligj. Për rrjedhojë, Kodi ka bërë kujdes që të ketë minimumin e këtyre kufizimeve në shprehjen e vullnetit. Jemi duke folur për parime të mishëruara në legjislacionin tonë. Kodi i Praktikës së mirë të Komisionit të Venecias e thotë qartë, që duhet bërë maksimumi për të identifikuar sa më shumë vota të vlefshme, dhe jo e kundërta. Ky duhet të jetë interesi i të gjithëve. Jo vetëm interesi i publikut, por edhe i partive politike për të pasur një rezultat sa më legjitim, por edhe i administratës zgjedhore, e cila nuk garanton vetëm interesin e partive, por edhe të opinionit publik. Po t’u referohemi rasteve në botë, mund të gjejmë raste pa fund ku administrata zgjedhore apo sistemi gjyqësor ka ndërhyrë për të vënë në vend parimin. Një nga rastet më të freskëta është ai i një gjykate amerikanë në vitin 2010, ku gjyqtari, në rastin kur disa fletë votimi nuk kishin mbërritur në kohë në zyrën përkatëse të tabulimit të rezultatit, por, nga ana tjetër, zgjedhësi kishte votuar brenda procedurave, pra ai gjyqtar u shpreh qartë që vota është një e drejtë që njerëzit kanë sakrifikuar jetën për ta mbrojtur. Për rrjedhojë, ai u shpreh se nuk mund t’u hiqte të drejtën e votës atyre zgjedhësve që e kishin shprehur atë. Pra, ai gjyqtar nuk ka bërë gjë tjetër, por pavarësisht se ç’thoshte ligji, iu referua parimit. Ka raste në Itali, Angli, Irlandë apo Filipine, ku ndiqet i njëjti parim kur votohet me disa fletë votimi. Në të gjitha rastet synimi është që të sigurohet e drejta e votës, dhe jo procedura të kthehet kundër votës, sepse në të kundërt, do të ishim përballë një absurdi. Imagjinoni të ishte vota ime apo juaja dhe ajo të mos numërohej se kjo nuk i intereson një kandidati. Absolutisht do të na lindte e drejta për t’u ankuar.
Keni kërkuar edhe vlerësimin e mjaft fletëve që janë të kontestuara fillimisht për shkak se ka pasur probleme në votimin nga zgjedhësit. Por interpretohet që ato duhet të votohen me minimalisht 5 vota në KQZ që të prodhojnë rezultat. Mendoni se ia vlen barra qiranë?
Ne nuk jemi nisur nga oportuniteti. Ia vlen barra qiranë, apo jo? Jemi duke përdorur mekanizmin themelor që ne sot kemi në sistemin tonë të numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit, që është mekanizmi i kontestimit. Ky është një mekanizëm që e futëm në vitin 2005, pasi nisur nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ne hoqëm rinumërimin pasi në vitin 2003 na solli në një seri rinumërimesh automatike të zgjedhjeve lokale, e cila shkaktoi vonesë. Për rrjedhojë, u pa të shikohej dhe u vendos të hiqej rinumërimi dhe të vendosej kontestimi. Ky, si një element i cili bën ndarjen e fletëve të votimit me konsensus midis atyre fletëve që bien dakord palët dhe fletëve të votimit për të cilat ka dyshime. Pra ky proces që po ndodh sot në KQZ është totalisht i ndryshëm nga ai që ndodhi para disa ditësh, ku u numëruan vota që ligjërisht ishin të panumëruara, pavarësisht se komisionerët i kishin kaluar në duart e tyre, por pa mandat për t’i kaluar në tabelë. Nëse atëherë ishim para një numërimi fillestar, sot jemi para një procesi ankimimesh. Subjekteve u lind e drejta që vlerësimi që ka ndodhur në nivel më të ulët, apo në një proces më të hershëm, t’i drejtohen KQZ me tagrin e saj “quasi” gjyqësor, e më pas është Kolegji Zgjedhor. KQZ është organi që ka kapacitetin jo vetëm ligjor që mund ta bëjë këtë, por edhe dijen më të madhe se si duhet interpretuar neni 117 i Kodit për votat e vlefshme dhe të pavlefshme. Kjo do të bënte edhe unifikimin e këtij vlerësimi. Kjo sepse në 11 KZAZ të Tiranës mund të ketë pasur vendimmarrje të ndryshme për një lloj problematike, dhe këtu është KQZ që me vendimmarrjen e saj unifikon këtë vlerësim. Kjo është në interes të publikut. Kemi një numër votash të kontestuara që sipëron 81 votat që ka kandidati i PD-së, z. Basha, por më shumë se oportuniteti, ne u nisëm nga parimi që kërkojmë t’i bëjmë të qartë opinionit publik se e respektojmë sistemin, e vëmë në lëvizje, ashtu siç kanë rëndë dakord palët kur e kanë miratuar atë. Kjo është diferenca neto midis asaj që ne kërkojmë kësaj radhe dhe asaj që kërkonte Partia Socialiste në vitin 2009. Ne kërkojmë vetëm votat e kontestuara të administrohen, të këqyren, të rivlerësohen dhe të rinumërohen. Ekzakt, atë që thotë Kolegji Zgjedhor në vitin 2009. Ndërsa PS, në vitin 2009 nuk bëri gjë tjetër, por kërkoi rinumërim të të gjitha votave të Tiranës, Shkodrës etj.
Ky është ndryshimi mes dy kërkesave për hapjen e kutive të votimit?
Ky është ndryshimi, por është themelor. Në kërkesën tonë shprehet kuptimi i saktë i ligjit. Pra vetëm pjesa e votave që mbart mëdyshje i nënshtrohet një rivlerësimi në KQZ dhe më vonë në Kolegj, pjesa në të cilën vëzhguesit dhe numëruesit kanë qenë dakord, ajo nuk i nënshtrohet vëzhgimit. Sepse një votë e vlefshme apo jo, është objektivisht e tillë dhe është konstatimi i faktit. Aty ku ka dyshim, i nënshtrohet gjykimit të mëvonshëm. Ne po bëjmë sistemin të funksionojë dhe nuk po i kërkojmë KQZ-së të rinumërojë të gjithë Tiranën me idenë se diku mund të ketë pasur gabime njerëzore. Përsa kohë nuk ka prova në dokumentacion, ne nuk do ta kërkojmë një gjë të tillë.
Do të kërkoni të rihapen edhe ato 117 kuti që patën vota të hedhura gabim?
Ky është një element që ne e bëmë të qartë në KQZ. Në kërkesën tonë ankimore i kërkuam KQZ, si organ “quasi” gjyqësor, që të shqyrtojë të gjitha fletët e votimit të kontestuara gjatë procesit fillestar të numërimit. Kjo do të thotë të shqyrtohen këto fletë votimi të kontestuara në 11 KZAZ, por edhe ato fletët e votimit që u kontestuan fillimisht gjatë numërimit fillestar në KQZ. Ne jemi të gjithë në dijeni që PS e kontestoi çdo votë të numëruar në KQZ, sepse sipas saj, ishte e hedhur në kutinë e gabuar dhe kjo mjaftonte për ta që ato vota të ishin të pavlefshme. Ky është një kontestim dhe, për rrjedhojë, që KQZ të shprehet edhe në lidhje me to është plotësisht në tagrin e saj.
Përmendët edhe Komisionin e Venecias, që është shprehur se duhet të ketë sa më shuam vota të vlefshme. Ka pasur ndonjë praktikë në Komisionin e Venecias në lidhje me këtë çështje?
Unë mendoj se Komisioni i Venecias, nëpërmjet Kodit të Praktikës së Mirë, përpiqet që të vërë rregullat për zgjedhje demokratike, duke u nisur nga praktika të ndryshme që kanë ndodhur në vendet e Këshillit të Europës. Vetë emri i Kodit është Kodi i Praktikës së Mirë sepse, sigurisht, ekziston edhe praktika e keqe aty ku vota nuk konsiderohet si element themelor lirie. Aty ku konsiderohet si liri, sigurisht që ne duhet të qasim në mënyrë liberale këtë lloj lirie. Aty ku vota ka qenë instrument vetëm formal për të bërë legjitim një pushtet jo demokratik, atëherë përdoren të gjitha procedurat jo vetëm për ta penguar, por edhe për ta cenuar votën e lirë. Pra Kodi i Praktikës së Mirë ka përmbledhur të gjitha praktikat më të mira dhe pjesën pozitive që ndodhin në vendet e Këshillit të Europës. Praktika të mira ka edhe tek ne, pasi KQZ në vite ka synuar që sa më shumë vota t’i nxjerrin të vlefshme, pavarësisht se ç’vendosin nivelet më të ulëta. Ky Kod legjitimon këtë qasje pozitive të KQZ-së karshi votës, pra duke i dhënë rëndësi parimit kundrejt procedurës, sepse vetë procedura nuk mund të ketë kurrë kundër parimit.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











