“Problemet me Raiffeisen kur drejtor u vendos Kanakaris”

Jun 4, 2011 | 11:07
Pronarja e fabrikës "Birra Norga", Bukurije Haxhiraj

“Problemet me Rai-ffeisen Bank nisën që kur drejtor u vu Kristian Kanakaris. Ai u bë xheloz për investimin tonë dhe po tenton me çdo kusht t’i grabisë pronat tona”.Pronarja e fabrikës “Birra Norga”, Bukurije Haxhiraj, akuzon direkt kreun e kësaj banke, pas bllokimit dhe sekuestrimit të fabrikave dhe magazinave të shoqërisë “A&B Grup”. Në një intervistë për gazetën ajo tregon etapat e konfliktit dhe arsyet pse në asnjë moment nga ana e bankës nuk u tentua të gjendej zgjidhja. Gjithashtu, ajo thekson se drejtori Kanakaris i ka arsyet personale dhe se i ka deklaruar se ka suport politiko-ligjor.
Zonja Haxhiraj, u mbushën 5 ditë nga momenti i sekuestrimit të të gjitha aseteve të kompanisë suaj. Mund të shpjegoni dhe një herë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh realisht?
Kompania jonë është një kompani fitimprurëse, moderne dhe ka punësuar shumë punëtorë. Kemi kryer të gjitha pagesat dhe detyrimet ndaj shtetit. Po ashtu kemi pasur marrëdhënie korrekte dhe me Raiffeisen Bank në drejtim të shlyerjes së kredisë dhe marrëveshjeve të përbashkëta. Por, problemet midis palëve kanë filluar që para një viti, në qershor të 2010-s, kur në krye të bankës ka ardhur Kristian Kanakaris. Zotëria, sapo pa të gjitha bizneset tona, u alarmua nga mrekullia që pa në këto biznese, u bë xheloz dhe filloi të verifikonte nga e para, nëpërmjet bankës, të gjitha asetet dhe pronat tona. U shpreh se janë thjesht procedura që duhen bërë, thjesht për verifikim të pronave, duke na mashtruar, sepse ai kishte qëllimet e tij të mbrapshta për t’i grabitur këto prona, ashtu siç po mundohet, por nuk do t’ia arrijë dot, sepse shteti ka ligje. Në kohën që unë iu kam dhënë 8 milionë euro, ai ka kërkuar falimentimin dhe më pas sekuestrimin. Pra, strumbullari i të gjitha të këqijave është drejtori i Përgjithshëm i Bankës Qendrore në Tiranë.
Cilat kanë qenë ofertat mes palëve dhe pse nuk u arritën?
Të vendoseshin aksione dhe të vendoste administrator nga banka. Por banka nuk e mori përsipër këtë gjë, sepse nuk ishin të sigurt se ky administrator do ta ngrinte kompaninë apo do ta falimentonte, dhe në këtë pikë ne kërkuam garanci, sepse kompania vetë ka administrator shumë të mirë. Megjithatë, ne, për hir të shumë gjërave, pranuam dhe u caktua administratori, madje dhe nënshkruam te noteri, por më pas nuk na erdhi asnjë marrëveshje.
Nga banka u kërkua që të bëhej dhe një bilanc me ekspertë të përbashkët. U arrit kjo marrëveshje?
Edhe kjo marrëveshje nuk u arrit sepse, edhe pse ne kemi ekspertë të shkëlqyer vendas dhe të huaj, ne pranuam. Por, edhe pse firmosën, kjo marrëveshje s’na erdhi asnjëherë nga pala që e kërkoi marrëveshjen. Gjithsesi, bilanci i kompanisë është i verifikueshëm në zyrat e Tatim-Taksave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe rezulton se fabrika del me mjaft fitim. Fabrika kishte gjendje mjaft prodhim dhe përgjatë sezonit do të kishte fitime të konsiderueshme. Ne i thamë bankës të vinte e t’i merrte paratë dhe një herë në javë apo në muaj, por drejtorit të Përgjithshëm nuk i interesonin më paratë, por pronat tona.
Sipas jush, i vetmi person që po shkatërron biznesin tuaj, pronat dhe po nxjerr mbi 200 punonjës pa punë, është drejtori i Përgjithshëm i Bankës?
Po, dhe këtë e them me bindje të plotë. Ai njeri nuk do ta bëjë më për para. Qëllimet e tij janë të pastra dhe personale, ai do vetëm pronat tona. Ai ka deklaruar se ka suport politiko-ligjor, sepse deklaron se sado “që ju të bëni gjyqe, ato do t’i fitoj unë”. Me sa duket ai paska siguri, sepse ndoshta i ka blerë prokurorët dhe gjyqtarët që flet para kohe se do t’i fitojë gjyqet pa përfunduar ato. Kjo vërtetohet deri diku, sepse erdhën dhe sekuestruan kompaninë pa asnjë vendim gjyqi të zbardhur të formës së prerë, vendim të cilin s’e ka sjellë fare.
Cilat janë veprimet e mëtejshme që do të kryeni?
Ne do të ndjekim rrugët ligjore dhe do t’i bëjmë thirrje kreut të qeverisë, z. Berisha, si dhe presidentit Topi të ndikojnë në normalizimin e situatës për të parandaluar këtë masakër që po i bëhet biznesit më të madh në Vlorë.
Mund të saktësoni dhe njëherë se sa është kredia e marrë te Raiffeisen Bank?
Katër vite më parë kemi marrë një kredi prej 19 milionë eurosh. Prej saj kemi shlyer 8.2 milionë euro, duke paguar çdo muaj nga 300 mijë. Gjatë këtyre viteve banka ka përfituar nga interesat e kredisë një shumë prej 5 milionë eurosh.

Të dhënat sipas Haxhirajt

.    Kredia totale është 19 milionë euro

.    Janë shlyer 8.2 milionë euro

.    Mbeten për t’u shlyer 11 milionë euro

.    Në çdo muaj janë paguar nga
300 mijë euro

.    Për 4 vjet banka përfitoi 5 milionë euro nga interesat e kredisë

“Norga”, punëtorët në protestë para bankës “Raiffeisen”

VLORE – Në ditën e pestë të sekuestrimit së kompanisë “A&B Grup”, dhjetëra punëtorë të saj, të fabrikës së birrës “Norga” dhe të fabrikës së pijeve freskuese, kanë protestuar para godinës së filialit të Raiffeisen Bank në Vlorë. Ata kanë protestuar jo vetëm për të kundërshtuar bllokimin e aktivitetit të tyre, por edhe dëmin e madh ekonomik dhe social që banka ka bërë me vendimin e saj, si dhe kanë kërkuar t’u jepen rrogat. Një radhë policësh janë rreshtuar para ambienteve të bankës, ndërkohë që protesta ka qenë paqësore. Punëtorët i kanë bërë thirrje presidentit Topi, kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Topalli, të ndërhyjnë në kohë, pasi po shkatërrohet jo vetëm një prej bizneseve më të mëdha në vend, por po hidhen në rrugë qindra punëtorë e penalizohen familjet e tyre. Ata e cilësuan gjithçka një makinacion mafioz që po ndodh për interesa të ngushta, duke u bërë thirrje drejtuesve të bankës të tërheqin vendimet e tyre. “Dëmi është i pallogaritshëm dhe ne nuk do të lejojmë interesat mafioze të na shkatërrojnë”, thanë përfaqësues të kompanisë, të cilët bënë me dije se protestat do të vijojnë me punëtorët dhe familjarë të tyre brenda ambienteve të fabrikës së birrës. Punëtorët janë shprehur të vendosur në protestat e tyre, që do të përshkallëzohen në ditët në vazhdim, me gjithë familjet e tyre, të cilat tashmë ndodhen pa asnjë të ardhur dhe pa bukë. Protesta ka mbajtur të bllokuar përgjatë orëve të paradites trotuarin para bankës, ndërkohë që gjithçka ka qenë paqësore. Nga ana e bankës nuk ka pasur asnjë reagim. q.b

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura