
Donika Mustafaj shfaq filmin “Shkolla.. pse ‘duhet’”
Në 50 minuta flasin nxënësit: Sikur vetëm një herë të ishim në vendin e mësuesve…!
“Muret e kësaj shkolle kanë dëgjuar më shumë lutje sesa muret e një kishe”… “Jam lutur që një herë të vetme ta kisha zyshën në dorë…”.
Shkolla që me padurim e prisnim dikur të fillonte më 1 shtator, duket se tashmë është kthyer në një lloj angarie, ku askush nuk shkon me qejf. Faktet që na servir Donika Mustafaj në dokumentarin saj më të fundit kushtuar shkollës, nuk janë fort optimiste. “Shkolla.. pse ‘duhet’” (producent Ferdinand Sela, kamera Agim Kuri, Denis Grepca, montazh Elton Çapani, miksazh Ermal Bardhi, operator zëri Kristaq Kristo), kështu titullohet dokumentari 50-minutësh i regjisores dhe skenaristes Mustafaj, e cila tashmë po plotëson serinë e filmave dedikuar kryesisht fëmijëve apo adoleshentëve. Pas “Kohë pezull” dhe “Fëmijëria peng”, ajo i kushton një film shkollës, pasi sipas saj, aty mund të gjesh përgjigjet e shumë pyetjeve që ne bëjmë për shoqërinë tonë. “Titulli ka një ‘pse’, që lidhet edhe me fjalën ‘shkolla’ dhe me ‘duhet’. Ne operojmë me fjalën ‘duhet’ dhe nuk argumentojmë. Fatkeqësisht na mungon sensi krijues dhe kritik, sepse nuk e kemi marrë këtë. Kjo është një gjuhë ushtarake që ne e përdorim, por askush nuk dëgjon njëri-tjetrin. Madje edhe në pyetjet e mia, kur u riktheva, kishte shumë “duhet”. Ndaj edhe shkolla “duhet” të kultivojë mendimin kritik dhe krijues”, thotë Donika Mustafaj, që do të donte që me anë të këtij dokumentari të bënte diçka për të ndryshuar gjërat. Mustafaj nuk bën teori, por shkon atje ku jetohet shkolla dhe ata që dëshmojnë janë mësues e nxënës. Por nëse të parët në shumicën e herëve vijojnë të mbeten të ngërthyer brenda kornizave të trashëguara nga njëri brez mësuesish në tjetrin, këta të fundit pranojnë të flasin hapur. Ata tregojnë për orë mësimi të zhvilluara në mënyrë monotone, për pyetje që u vërtiten në kokë, por që nuk ia drejtojnë mësuesit, pasi tanimë ua dinë përgjigjet e vrazhda, për penalizmin në notë, për tekstet e ngarkuara… “Unë besoj tek shkolla, por nuk besoj tek sistemi”, thotë një nxënës. “Ata nuk e dinë as vetë se çfarë po bëjnë me ne”, thotë një tjetër… Por ata që flasin dhe guxojnë të dalin me figurë para kamerave, siç thotë autorja, janë fëmijë “të mbrojtur”, që do të thotë nxënës që nuk kanë frikë nga ndëshkimi me notë, për shkak të nivelit të lartë në mësime, ndërsa ata që “çalojnë”, nuk munden. Kush e di ç’i pret pas dokumentarit… Sepse, siç thonë ata, ora e mësimit dhe nota varet edhe nga “humori” i mësuesit. Për sociologun Zyhdi Dervishi, shkolla nuk i paraprin shoqërisë. “Shkolla.. pse ‘duhet’”, i shfaqur dje për mediat, do të shfaqet sot në kinema “Millenium” në orën 19:30. Të ftuar janë shumë politikëbërës në Shqipëri. Ndoshta ky dokumentar do të shërbejë si nxitës edhe tek ata.
Tashmë fëmijët tuaj janë të rritur, ç’ju nxiti të bënit një dokumentar për shkollën?
Është një nxitje si gazetare, por edhe si pjesë e kësaj shoqërie. Mendoj se të gjitha pyetjet që ne shtrojmë për shoqërinë tonë, i kanë përgjigjet tek shkolla. Mendova të bëj një dokumentar për shkollën, një skaner të saj.
Ka qenë e vështirë t’i bindnit nxënësit të shfaqeshin dhe të dëshmonin para kamerave?
Si fillim, kam lexuar shumë vetë dhe kam bërë kërkime në terren që të bindesha vetë. Tek ne nuk ekzistojnë studime në terren, mbi të cilat ne të mbështetemi e të bëjmë analiza. Nuk ka qenë shumë e lehtë për fëmijët. Ka qenë më e lehtë për atë fëmijë që ndihen të mbrojtur. Ka fëmijë që nuk dalin me fytyrë, sepse normalisht mund të ndëshkohen me notë. Megjithatë, fëmijët i gjejnë mënyrat për të shprehur atë që ndiejnë dhe që mendojnë se nuk shkojnë mirë.
Ç’do të thotë fëmijë “të mbrojtur”?
Mendoj që janë fëmijë që nuk kanë frikë ndëshkimin. Fëmijë të zgjuar, kompetentë për shkollën, janë nxënës të mirë, nuk kanë frikë se do të ndëshkohen me notë. Ndër ata që guxuan, janë edhe senatorë të shkollës. Ndërkohë që ata me një përparim jo të mirë janë më të “kërcënuar” nga nota.. Megjithatë, kemi pyetur dhe këtë kontingjent nxënësish, që dikur quheshin “të dobët”, por nuk është termi i duhur, sepse mendoj se nuk ka nxënës të zgjuar dhe më pak të zgjuar, por sa punohet me secilin, për të nxjerrë më të mirën prej tyre, pasi çdo fëmijë është i veçantë. A është e mundur kjo në kushtet e tanishme në një klasë me 50 veta, kjo mbetet për t’u parë, por unë nuk jam futur kaq thellë në dokumentarin tim.
Ç’synoni me këtë dokumentar?
Ne jemi një shoqëri shumë e ndjeshme kur flitet për shkollën dhe mund të them se jemi një ndër vendet e pakta që kemi luftuar për shkollën, kanë vdekur për të. Këto probleme jo se shqiptarët nuk i dinë, por nuk kanë mundësi të mblidhen kokë më kokë dhe t’i parashtrojnë këto probleme. Por unë mendoj se ky është vizioni që prindërit kanë për shkollën. Prindërit vazhdojnë ta shohin shkollën si një problem që i takon vetëm asaj. Në një kohë që prindi duhet të jetë partner me shkollën. Kjo lidhje është shkëputur. Mirë do ishte të kishte një bashkëpunim më të fortë. Kam parë e dëgjuar shumë gjatë kësaj periudhe, por ajo që më interesonte, është të nxirrja se si e ndienin shkollën vetë përdoruesit e saj. Isha afër tyre, dëgjova dëshmitë e tyre. Dhe doja që me këtë dokumentar t’i bëja një shkundje shoqërisë sonë, ta bëja atë të mendonte, të reflektonte. Në fund të fundit shkolla është shumë e rëndësishme, është e ardhmja. Nëse disa gjëra na duken të vogla, nesër ato bëhen të mëdha dhe urgjentisht duhet t’i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe shkollës.
Një nxënës thoshte: Unë besoj tek shkolla, por nuk besoj tek sistemi…
Nëse do të ndaleshim vetëm tek një nga problemet. Fëmijët dialogojnë me tekstet. Nëse ai nuk dialogon dot me të, ai nuk ka dëshirë ta lexojë më atë, ta mësojë, sepse tekstet janë shumë problematike. Kanë shumë informacion, por shumë informacion nuk do të thotë shumë dije. Imagjinoni në një libër për 13-vjeçarë përfshihet pyetja: “Kur keni votuar për herë të parë?”, kur dihet që në moshën 13-vjeçare nuk mund të votosh. Ka shumë gabime. Vetë mësuesit ngrenë problemin e altertekstit. Një vit punohet me një tekst, vitin tjetër me një tekst tjetër dhe janë të çoroditur edhe nxënësit, edhe mësuesit. Nuk ka fëmijë që të mos e dojë shkollën, ne jemi një vend arsimdashës, por në momentin që ti nuk e bën shkollën atraktive, derisa mësuesja do të shpjegojë në një mënyrë lineare, pa emocion, pa kundërtema…, do të vazhdojë me metodat e vjetra, çohu, ulu… Duhet ngulur shumë këmbë tek mësimdhënia. Zyhdi Dervishi thotë se “Shkolla është një tempull drite”, po a është vërtet e tillë?
Do ta shohin këtë dokumentar drejtuesit e Ministrisë së Arsimit?
Më kanë dhënë fjalën që do të vijnë. U kam çuar ftesën, të shpresojmë. E kam punuar me shumë dashuri dhe është një temë që dhemb. Kam pasur fëmijët e mi, tashmë ata kanë mbaruar shkollën dhe mendoj që në Shqipëri janë me fat ata fëmijë që kanë dy prindër që dinë t’i orientojë. Këtë punë duhet të bëjë mësuesi. Të orientojë njohuritë e tyre, që ata të jenë të gatshëm për të ardhmen. Por fatkeqësisht, siç thotë prof. Zyhdi Dervishi, sot ka nxënës që nuk mendojnë me kokën e tyre, që s’janë kritikë, s’janë krijues dhe kjo do të thotë që hallkat e këtij sistemi s’kanë funksionuar që në fillim, që në klasë të parë.
ALMA MILE
© Panorama.al











