“Prifti-Beqiraj”, Prokuroria pa dëshmitarë në Gjykatë

May 30, 2012 | 15:22
Dritan Prifti e Leonard Beqiraj

Pesë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë nisën dje shqyrtimin e dosjes me të pandehur ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiri. Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, i kërkoi trupës gjykuese gjykimin e Priftit dhe të Beqirajt për akuzën e “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose e të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim”. Kolegji Penal u njoh kërkesën për gjykim të Prokurorisë, në brendësi të së cilës zbardhej edhe biseda e konsumuar në videon “Prifti-Beqiri”. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nga hetimet rezultonte e provuar se Prifti dhe Beqiraj kanë marrë shpërblime të pamerituara në shumën 69 mijë euro, të cilat i kanë ndarë midis tyre. Ndërsa avokatët pretenduan se akuza ishte e pabazuar në prova dhe se fakti penal nuk ekzistonte. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Gjykata caktoi 4 qershorin si seancë të ardhshme ku Gjykatës do t’i listohen të gjitha provat e kërkuara nga Prokuroria dhe mbrojtja.
DEBATET
Prokuroria e Përgjithshme nuk do të paraqesë asnjë dëshmitar në gjykimin e Priftit dhe Beqirajt në Gjykatën e Lartë. Prokurori Bujar Sheshi u shpreh para Kolegjit Penal se hetimet e dosjes kishin qenë të gjithanshme dhe se gjatë tyre ishin pyetur rreth 100 persona. “Ne pyetëm çdo person që kishte komunikuar, qoftë edhe komunikim telefonik me SMS me dy të pandehurit dhe të gjithë personat që përmendeshin në video. Fakti që nuk arritëm të zbulonim burimin e marrjes së lekëve dhe motivin e tyre ne nuk i përmendim disa dëshmitarë, pasi do të ishte shpenzim kohe”, sqaroi prokurori për pyetjen e Kolegjit se përse në kërkesën për gjykim nuk përmendeshin dëshmitarët. Provat e paraqitura nga akuza do të jenë vetëm videoja, transkriptimi i bisedës, akt-ekspertimet e videos, si edhe tabulatet telefonike të dy të pandehurve në periudhën e regjistrimit të videos. Avokati Fatmir Braka, përfaqësues i të pandehurit Dritan Prifti në proces, tha se procedimi penal ndaj klientit të tij nuk duhet të kishte nisur. “Kërkesa për gjykim është e paargumentuar. Prokuroria nuk është në gjendje të thotë se kush është tenderi, ankandi apo koncesioni që është favorizuar”, tha avokati Braka. Ky fakt u ritheksua në vijim nga mbrojtësi i të pandehurit Beqiraj, avokati Vladimir Meçi. “Prokuroria deklaron para gjykatës që nuk është gjetur burimi i lekëve, se nuk janë identifikuar personat dhe as veprimi i paligjshëm. Thotë që janë euro, po askush nuk i ka parë, ekspertuar apo sekuestruar ato”, tha avokati Meçi. Mbrojtja kërkoi thirrjen e 12 dëshmitarëve në proces.
ARGUMENTET E PROKURORISE
Nga hetimet e zhvilluara për këtë çështje penale ka rezultuar e provuar se të pandehurit Dritan Prifti dhe Leonard Beqiraj, për shkak të funksioneve të tyre shtetërore, përkatësisht detyrat e ministrit dhe zëvendësministrit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kanë marrë shpërblime të pamerituara në shumën 69 mijë euro, të cilat i kanë ndarë midis tyre. Kjo vërtetohet qartë nga pamjet dhe përmbajtja e bisedës së zhvilluar mes dy të pandehurve. Ata janë shprehur për marrjen e kundërligjshme të një shume më të madhe parash, një pjesë e së cilës u është dhënë më parë personave të tjerë, të cilët nuk u arrit të identifikoheshin plotësisht, pavarësisht hetimeve të kryera në këtë drejtim.
Fakti që të pandehurit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për identifikimin e burimit të këtyre parave, rrugën që është ndjekur deri në mbërritjen tek ata të kësaj shume, si dhe identitetin e plotë të personave të tjerë që përmenden në video, si transportues apo marrës të një pjese të parave, i marrë në harmoni me provat e tjera të administruara në dosje provon se këto para kanë ardhur nga një burim i paligjshëm, për shkak të funksioneve të tyre shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Theksojmë se për shkak të funksioneve shtetërore që ushtronin, të pandehurit nuk kishin për detyrë të administronin dhe të ndanin para. Nga ana tjetër, kartëmonedhat euro që shfaqen në regjistrim nuk janë para që përdoren në administratën dhe institucionet shtetërore në Republikën e Shqipërisë. Dihet se të gjitha pagat apo shpërblimet në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar jepen në “lekë” dhe jo në “euro”.
Përmbajtja e kësaj bisede tregon qartë se kjo shumë parash që po ndahet ndërmjet të pandehurve lidhet me afera korruptive të zhvilluara midis dy subjekteve të veprës penale dhe personave të tjerë që përmenden në mënyrë jo të plotë e të saktë jashtë bisedës.
Analiza e thënieve të përdorura në bashkëbisedimin e regjistruar përjashton pretendimin e ngritur nga të pandehurit, se biseda ka të bëjë me një aktivitet provat pa lidhje me funksionet shtetërore që janë pasur në atë kohë. Edhe vazhdimi i bisedës së regjistruar në këtë video shkon në të njëjtën linjë të arsyetimit logjik, me përfundimin e arritur se shuma e eurove që ndajnë së bashku është e prejardhur nga veprime korruptive.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura