
Kreu socialdemokrat komenton zhvillimet politike.
Gjinushi: Presidentin ta zgjidhte PS sipas modelit të vitit 2002.
“Asnjë nga rekomandimet e BE-së nuk janë plotësuar, opozita po lëshon, s’duhet të heshtë”
Kreu i PSD-së, Skën-der Gjinushi, tha në një intervistë për gazetën “Panorama” se PD duhet ta kishte lejuar PS të zgjidhte Presidentin.
Sipas tij, Presidenti i ri duhej zgjedhur sipas modelit të vitit 2002. Gjinushi vëren se opozita po lëshon sa u takon rekomandimeve të BE-së, ndërsa mospërmbushja e tyre, sipas Gjinushit, përbën dështimin e qeverisë.
Zoti Gjinushi, Parlamenti zgjodhi Presidentin e ri. Në këtë proces opozita e luajti, si dhe sa duhet, të gjithë rolin e saj në të gjitha hapësirat që Kushtetuta i jep për gjetjen e një konsensusi apo krijimin e një gare në Parlament mes kandidatëve?
Vetëm te ne nuk kuptohet se ç’do të thotë konsensus dhe vetëm këtu dëgjon njerëz që flasin se ka konsensus brenda vetes. Kjo më kujton thënien e 2001-shit, kur thuhej se “të pavarurit tanë janë më pak të varur se të pavarurit tuaj”. Konsensusi në shqip do të thotë “së bashku” nga të gjitha palët. Modeli është përdorur edhe më parë në Shqipëri, në vitin 2002, u tentua më 2007-s dhe u prish, ndërsa këtë radhë nuk pati fare përpjekje për një President konsensual. Më i sinqerti ka qenë Saliu, i cili që në fillim tha se Presidentin do ta zgjedhim ne dhe po të doni jepni konsensusin për të. E vetmja shpresë për konsensusin ishte që BE-ja të mbronte rekomandimin nr. 1 të saj, ku thuhet se “Kuvendi duhet të punojë në mënyrë demokratike dhe në bazë të konsensusit mes palëve”. Kjo është Kopenhaga e famshme. Nëse duhet konsensus në demokraci, kjo fillon dhe mbaron me Presidentin, sepse ai është jo vetëm uniteti i popullit, por dhe balancues i pushtetit. Patëm një qëndrim ndërkombëtar institucionalisht të qartë, ndërsa transmetuesit e këtij qëndrimi nuk ishin të qartë, ose të dyzuar.
Faktori tjetër që mund të detyronte konsensusin ishin gjoja aleatët e PD-së. Nëse aleatët e PD-së kishin këllqe t’u qëndronin rekomandimeve të ndërkombëtarëve, për të mirën e shqiptarëve dhe jo të PS apo Ramës, edhe ata bënë një lojë të dyfishtë, sidomos LSI, që kishte më shumë mundësi për ta luajtur këtë rol, në fillim tha se jam për konsensual e më pas pranoi duke thënë se e kisha fjalën për konsensus me Saliun. Përfundimisht kemi një Berishë që i qëndroi konsekuent rrëmbimit të Presidentit të Republikës përmes një figure të PD, në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës. Kemi një LSI që bëri presion mbi PD për imponimin e një konsensusi të gjerë dhe më pas u pajtua me konsensusin e gjetur me Saliun, dhe në fund kemi një komunitet ndërkombëtar që nuk qëndroi prerë në domosdoshmërinë e një Presidenti konsensual në frymë të Europës.
Konsensusi mund të kishte funksionuar nëse në tryezën e dialogut do të kishim lista kandidatësh, ndërkohë që PS nuk propozoi asnjë listë apo emër. Është ky një moment që çoi në dështimin e konsensusit?
Gabimi është ky: që është më i sinqertë Saliu, sesa tellalli i tij. Berisha e tha shkoqur një muaj më parë: nëse doni konsensus, pranoni kandidatin tim.
Në këtë proces shikoni gabime apo defekte tek opozita, sepse atë që bën maxhoranca e dimë tashmë me produkte konkrete?
Opozita defektin e ka në kokë, në fillime, sepse janë 12 rekomandime. U tentuan të reduktohen në 10, u reduktuan në 2, dhe nuk është bërë asnjë pas një viti. Ky është defekti i opozitës që pranon t’i hiqen rekomandimet, dhe në fund rekomandimet janë konstatime se ku ke dështuar. Pas mosmarrjes së statusit, 12 rekomandimet tregojnë se ku janë problemet, dhe ato sot ende nuk janë ndrequr. Të tëra problemet e Shqipërisë kanë ecur për keq. Në këto kushte, opozita nuk është për të heshtur dhe të mjaftohet vetëm me reformën zgjedhore dhe me një pseudoreformë parlamentare, ku përsëri lëshohet. Sepse BE nuk flet për reformë parlamentare, por për mirëfunksionim të Parlamentit, dhe është tepër naive të mendosh se ne të gjithë problemin e paskemi që pas 20 vjetësh punojmë 9 muaj gjoja për të rregulluar rregulloren. Kur flitet për konsensus, konsensusi fillon nga Rregullorja konsensuale. Kjo është një e drejtë e panegociueshme e opozitës. Opozita këtë nuk e ka kërkuar as sot.
Çfarë duhet të bëjë opozita, të bojkotojë?
Opozita të kërkojë të drejtën e saj deri në fund dhe të mos tërhiqet derisa t’i jepet e drejta e saj. Kuvendi, nëse duhet të punojë me konsensus, duhet të fillojë nga Rregullorja, fillon nga garantimi i votës së fshehtë, nga respektimi i debatit të barabartë, nga respektimi i dinjitetit të barabartë të deputetit. Opozita është e privuar nga të drejtat themelore të saj në Kuvendin e Shqipërisë. Kriza nuk ishte bojkoti, bojkoti ishte pasojë. Dikush, kur keqtrajtohet nga një mjedis i caktuar, largohet dhe proteston.
Mendoni se u la mënjanë çdo gjë që ishte thënë për Ilir Metën nga ana e Edi Ramës, duke nisur nga një darkë private mes tyre, por që vazhdoi me aludime për rrëzim të qeverisë duke bashkuar votat e PS me LSI?
Mënyra se si u veprua për zgjedhjen e Presidentit nxori në pah edhe njëherë se të majtën e shet gjithmonë LSI-ja. Pra roli i LSI është gjithmonë kur përplaset Nano me Berishën, është me Berishën; kur përplaset Rama me Berishën, është me Berishën. Po të ndahet pushteti siç u dha vota në 2009-n, kur LSI ishte forcë e tretë dhe e majta dhe e djathta dolën baras, mbetet shumë pak për LSI. Atëherë ajo rend që të nxjerrë jashtë loje të majtën dhe PS e bën kompromis me PD-në. Të njëjtën gjë bëri dhe me Presidentin. U hoq sikur ishte për konsensusin e madh për Presidentin, i cili nuk duhej zgjedhur pa opozitën. Ky presion veproi te Berisha duke i kujtuar se kishte një marrëveshje me të që në vitin 2009, i tha Ramës “takohemi herë tjetër se në fund të fundit një ngjalë nuk mjafton”. Kur është krijuar LSI ne kemi thënë që nuk e urojmë, por ndodh, por urojmë që të jetë në funksion të fitores së të majtës.
Mund të kemi sërish një çarje tjetër në PS? Ka një lëvizje të zotit Nano brenda kësaj partie, por që mund të agravojë deri në krijim të një force tjetër të majtë.
Çarje? S’ke çfarë çan më! Sepse janë tentuar dhe stërtentuar shumë herë. Përvoja shqiptare ka treguar se nuk ngjizin çarjet e reja. Një çarje e re kërkon arsye shumë të forta, siç është rasti i fraksionizmit të PD-së. Të shkëputesh sot nga PD ke të gjitha argumentet për ta bërë dhe ke tërë të drejtën legjitime se ku ka gabuar PD dhe pse nuk je me këtë klan në PD.
Por e majta ka një ngërç që shfaqet sa herë ka zgjedhje, nuk arrin të fitojë…
Jo, nuk është e vërtetë, jemi shitur në të tëra zgjedhjet. Megjithatë, është mbijetuar. Në të majtë ka ndodhur shitja, manipulimi dhe problemi tjetër është se vetë PS bën taktika të gabuara elektorale. Por unë nuk shoh rryma në PS që të jenë më pro aleancave. Ata janë të gjithë njëlloj. Në këtë pikë, fatkeqësisht, për të vetmen gjë që ka unitet PS është aftësia për të gabuar në taktikat elektorale që në vitin 2001. Megjithatë, për ta çuar më tej, vlerësoj që këtu bëhet fjalë për ekuilibra të brendshëm, pra rivendosje apo korrektime raportesh të brendshme.
Zoti Gjinushi, PS duhet ta kishte kandiduar Fatos Nanon si kandidat të saj, merrte apo nuk merrte votat e nevojshme?
S’dua të merrem realisht, sepse gjithmonë, për hir të titujve gazetareskë, që në vitin 2007 është keqinterpretuar qëndrimi im. Në 2007-n, kur Presidenti donte 84 vota me çdo kusht, unë kam kritikuar faktin se forca të majta i jepnin garanci Saliut që s’do të kishte krizë presidenciale. Këtë në fillim ia jepte LSI e më pas u fillua të aludohej që të jepte një grup i PS, dhe realisht 84 votat u kaluan nga deputetë të PS. Unë kam thënë se në këtë mënyrë nuk zgjidhet kriza e Presidentit, por zgjidhet kriza e Saliut, jo e Shqipërisë, dhe e majta mund të impononte zgjidhjen e krizës. Kam thënë se kushdo që i shërben Saliut nuk ka mirëkuptimin tonë. Nuk mund të flas për kandidimin e një individi, ajo është e drejtë e tij dhe nuk kushtëzohej nga ne.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











