“Presidenti i ri duhet të jetë një figurë uniteti”

Feb 18, 2012 | 12:26

Kryeprokurori Starmer me ambasadoren Britanike dhe ate te BE

Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcilwham, tha dje se procesi për zgjedhjen e Presidentit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues. Në një intervistë për emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare në “Ora News”, ajo tha se kreu i ri i shtetit mund të vijë edhe nga jashtë politikës.

A mendoni se do t’i plotësojmë 12 prioritetet e BE-së në kohë për të fituar statusin kandidat këtë vit?

Shpresoj shumë. Do të ishte një mënyrë madhështore për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë suaj duke marrë statusin kandidat. Mendoj se kjo është e mundur ta arrini. Keni sfida përpara, por do të varet shumë nga vullneti politik, angazhimi dhe bashkëpunimi politik, por edhe nga puna e ekspertëve, sepse ky është një projekt kombëtar. Zoti Sanino e tha shumë mirë kur erdhi këtu. Ky është thelbi i procesit të integrimit. Nuk ka të bëjë vetëm me partitë politike, por është për një angazhim konkret për të punuar së bashku për realizimin e reformave.

Zonja ambasadore, pse është i rëndësishëm integrimi ne BE për një qytetar shqiptar? Çfarë ndryshimesh sjell ky integrim në jetën e qytetarëve?

Anëtarësimi në BE sjell standarde jetese dhe vlera të përbashkëta, pra nuk është një proces formal diplomatik, por garanton për qytetarët produkte të sigurta, siguri në shumë fusha. Mundësi për të bërë biznes në një treg të madh ndërkombëtar, mundësi për të lëvizur lirisht si individë, si studentë, si punonjës. Pra ka të bëjë me të gjitha këto fusha. Ky është kuptimi i të qenit vend anëtar i Bashkimit Europian.

Duke u kthyer te kryeprokurori Starmer, ai insistoi se sulmet personale ndaj institucioneve dhe personave që i drejtojnë janë të dëmshme për demokracinë. Cili është komenti juaj për këtë deklaratë, duke konsideruar sulmet në muajt e fundit ndaj prokurores së Përgjithshme?

Mendoj se është shumë e drejtë që sulmet ndaj individëve apo institucioneve janë të dëmshme sepse ato dëmtojnë besimin, potencialisht tek ai institucion, por edhe te bashkëpunimi midis institucioneve të tjera, për shembull te drejtësia penale. Nuk duhet parë thjesht si sulm personal, mendoj se shkon më gjerë se kaq dhe prandaj duhet të kontrollohet. Duhet të investohet më pozitivisht tek institucionet, e theksoj, kjo është edhe një herë tepër e rëndësishme.

Ina Rama, prokurorja e Përgjithshme, por dhe puna e saj, ka qenë mjaft e sulmuar nga qeveria kohët e fundit. Në të njëjtën kohë është mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, për shembull juve, ambasadori amerikan etj. A është puna e saj kaq bindëse sa të jeni mbështetës të saj?

Kryeprokurori britanik, kur erdhi këtu foli për të gjithë ne kur tha se bashkëpunimi ynë me Prokurorinë e Përgjithshme është tepër i rëndësishëm në marrëdhëniet tona bilaterale me Shqipërinë. Ne punojmë me ta shumë shpesh për një sërë çështjesh dhe jemi shumë të kënaqur me këtë nivel bashkëpunimi. Por ka edhe një pikë më të gjerë, pika institucionale, që do të thotë se këtyre institucioneve relativisht të reja duhet t’u jepet mbështetje, por edhe hapësirë për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë që u janë caktuar, si edhe për të forcuar profesionalizmin e tyre.

Ju e përmendët edhe më parë. A mendoni se këto sulme apo sjellje ndaj institucioneve janë shenjë e mungesës së kulturës demokratike në Shqipëri dhe çfarë mund të bëjmë për t’i kapërcyer?

Mendoj se është e qartë që për të forcuar demokracinë, sistemin gjyqësor penal, duhet të ketë bashkëpunim midis të gjitha agjencive dhe tri shtyllave të demokracisë. Tensioni i shëndetshëm është diçka normale, ka nevoje për kontroll dhe balance, por duhet edhe respekt. Një vizion, bashkëpunim dhe drejtim i përbashkët veçanërisht për paketën ambicioze të reformës në Drejtësi, do të jenë thelbësore.

Një tjetër institucion i sulmuar është ai i Presidentit të Republikës, i cili, sipas Kushtetutës, është figura e unitetit të kombit dhe qëndron mbi partitë. Sipas jush, a e ka dëmtuar ky sulm imazhin e Shqipërisë jashtë vendit?

Mendoj se është pjesë e së njëjtës histori. Institucioni i Presidentit mban një funksion të veçantë në çdo vend, dhe jo më pak në Shqipëri, ku Presidenti ka një përgjegjësi të rëndësishme. Ai është mbrojtësi i disa institucioneve të Drejtësisë dhe i disa agjencive të tjera kyçe. Kështu që përsëri mendoj se është e rëndësishme që institucioni i Presidentit të respektohet, që roli i tij të kuptohet siç duhet dhe të adresohet në mënyrë kushtetuese, në mënyrë të respektuar, që të realizohet uniteti dhe qëllimi i përbashkët.

Por, pas këtyre institucioneve qëndrojnë njerëz, politikanë, të cilët e shohin njëritjetrin jo thjesht si përfaqësues institucionesh, por edhe si konkurrentë politikë.Si mendoni, a është dobësuar roli i Presidentit pas këtyre sulmeve?

Roli i Presidentit është përcaktuar nga Kushtetuta. Dhe siç e thatë dhe ju, ideja është që Presidenti të jetë figurë uniteti. Nuk ka dyshim që kjo është e vështirë të arrihet në një demokraci relativisht të re. Por kjo duhet të jetë aspirata. Nuk mund të jetë për individë apo luftë politike. Këto pozicione dhe institucioni i Presidentit janë tepër të rëndësishëm. Edhe aspirata për anëtarësim në BE është tepër e rëndësishme për t’u humbur në luftëra personale.

Cili është opinioni juaj mbi reformën më të fundit kushtetuese që dy liderët e dy partive kryesore, PS dhe PD, ndërmorën veçanërisht për zgjedhjen e Presidentit?

Reforma tashmë është bërë. Është vendosur një sistem. Por kjo nuk është në kundërshtim me idenë dhe frymën e Kushtetutës që Presidenti duhet të jetë figurë e unitetit. Kjo ka shumë rëndësi. Kjo rëndësi duket akoma më shumë kohët e fundit kur situata është polarizuar më shumë. Pra ky rol është vërtet i rëndësishëm. Unë shpresoj që në zgjedhjen e këtij viti kjo frymë të karakterizojë zgjedhjen e Presidentit të ri.

A mendoni se mënyra se si Shqipëria do të zgjedhë Presidentin e ri do të ndikojë te procesi i integrimit në BE?

Metoda apo procesi është përcaktuar në Kushtetutën tuaj dhe nuk është detyra e BE të diktojë. Ajo çfarë kemi thënë qartë është se në çdo aspekt reforme apo të politikës në këtë vend, ne presim të shohim prova të bashkëpunimit dhe qëllimeve të përbashkëta. Pra një sens kombëtar. Të njëjtën gjë duam të shohim në zgjedhjen e Presidentit. Do të ishte diçka e mirë, madje thelbësore, që kjo figurë të reflektojë këtë sens bashkimi, pra që ai apo ajo, kushdo qoftë, gëzon mbështetje të gjerë nga politika apo dhe më tej.

Po në qoftë se nuk do të zgjidhet në këtë mënyrë, pra nuk do të jetë figurë e unitetit kombëtar, a do të ndikojë kjo në marrjen e statusit kandidat?

Është Komisioni Europian ai që do të vlerësojë dhe japë notën për progresin e Shqipërisë, por, siç e thashë, Kushtetuta juaj përcakton edhe idenë se si duhet të jetë Presidenti, edhe procesin e zgjedhjes së tij, dhe nuk na takon neve ta sfidojmë këtë. Por ajo çfarë ne presim gjerësisht dhe jo vetëm, për zgjedhjen e Presidentit, është sensi i angazhimit jo thjesht për standardet që kërkon BE, por për frymë, për vlerat e BE.

Por, sipas Kushtetutës dhe sipas PD-së, edhe 71 vota mjaftojnë për të zgjedhur Presidentin e ri. Ndërkohë, ambasadorët e huaj i kanë ftuar të dyja partitë kryesore politike të arrijnë një konsensus dhe, siç e tha ambasadori amerikan, një konsultim aktiv. Çfarë do të thotë kjo: Respektoni Kushtetutën, apo bëni konsultime për këtë?

Nuk mendoj se këto të dyja përjashtojnë njëra-tjetrën. Mendoj se fryma e Kushtetutës është e qartë. Ideja është që Presidenti të jetë figurë e unitetit kombëtar. Duhet të pyesni ambasadorin amerikan se çfarë saktësisht do të thotë ai me konsultime aktive. Ndjesia e ndërkombëtarëve është se do të ishte mirë që procesi që do të shoqërojë zgjedhjen e Presidentit të jetë gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues. Ky është mesazhi ynë. Por mund të pyesni edhe kolegët e tjerë.

Vura re se ju keni deklaruar që Presidenti i ri mund të vijë edhe nga jashtë politikes, mund të jetë një akademik apo nga shoqëria civile etj. A mendoni se polarizimi i tanishëm, politika e tanishme, do ta lejojnë këtë?

Juve keni shembuj ku Presidenti ka ardhur nga jashtë politikës, kështu që kjo gjë është e mundur, varet nga partitë politike, varet nga deputetët të vendosin për personin që duan.

A duhet hequr imuniteti?

Duhet limituar. Ky është koncepti që bien dakord shumica e njerëzve. Ky ishte edhe rekomandimi nga projekti “Paka” i Këshillit të Europës. Bon sens. Këtë koncept kemi ne në Britani.

Në Britani është i limituar?

Po, është i limituar. Ne në Britani kemi imunitet funksional. Gjykatësit apo zyrtarët kanë imunitet brenda detyrave zyrtare që kryejnë, por jo jashtë kësaj, pra nuk kanë licencë të bëjnë çfarë të duan, nuk kanë imunitet jashtë detyrës zyrtare.

Një frazë që e thonë shpesh ndërkombëtarët, por edhe disa segmente të politikës shqiptare, është kultura e mosndëshkimit. Çfarë i thotë Britanisë kjo kulturë mosndëshkimi?

Shkëput fillin e sundimit të ligjit. Është kundër parimit që të gjithë janë të barabartë përpara drejtësisë dhe asnjë nuk qëndron mbi ligjin. Jep idenë se disa njerëz janë mbi ligjin sepse kanë një post të caktuar apo kanë pushtet. Nuk është kulturë demokratike. Të gjithë duhet të trajtohen njësoj dhe secili duhet të ketë akses në drejtësi. Ky duhet të jetë qëllimi.

Si mund ta përmblidhni me dy fjalë eksperiencën tuaj në Shqipëri?

Është e vështirë ta përshkruaj Shqipërinë me dy fjalë. Është një vend magjepsës, me potencial të madh. Ka qenë sfiduese të punosh këtu, por edhe tepër e vlefshme. Kam kaluar mirë, por kam ende punë për të bërë përpara se të largohem, dhe jam e fokusuar aty. Por pres me kënaqësi të shikoj përparimin e Shqipërisë dhe të mbetem në kontakt me zhvillimet këtu.

A keni një mesazh për shqiptaret, sidomos për të rinjtë që të jenë motori i ndryshimit?

Nuk besoj se keni nevojë për ide nga të huajt. Keni mjaft ide dhe talent në vendin tuaj. Përdorini!

© Panorama.al

Te lidhura