
Dy ambasadorë të BE-së përsëritin apelin për të zgjedhur një President konsensual.
Sekui: Unë lexoj nenin 86 të Kushtetutës, të tjerat jua lë juve.
Bashkimi Europian përsërit apelin për të zgjedhur një President konsensual dhe që të jetë si bashkim i qytetarëve shqiptarë. Në të njëjtën ditë, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui dhe ai i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, kanë bërë sërish thirrje për të treguar maturi gjatë zgjedhjes së kreut të ri të shtetit në muajin korrik. Për ambasadorin e KE-së në vendin tonë, në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se kush duhet të jetë President i vendit. Ai i referohet pikërisht nenit 86 të ligjit themeltar të shtetit, për të cilin thotë se “duke lexuar Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është e shkruar nga vetë shqiptarët, unë kam parë që në nenin 86, Presidenti i Republikës përshkruhet si bashkim i shqiptarëve. Përsa i përket mekanizmit se si mund të arrihet ky synim, këtë pjesë ua lë juve”, tha Sekui. Këto deklarata, kreu i Diplomacisë së Brukselit i bëri në përfundim të një takimi me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Pak ditë më parë, Sekui vlerësoi edhe rolin e Topit për të cilin tha se “ajo që mund të them është që zoti Topi ka qenë gjithnjë një interlokutor tepër i rëndësishëm dhe unë gjithmonë kam vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe mënyrën se si ai e ka mbajtur gjallë konceptin që integrimi është në fakt një objektiv i rëndësishëm kombëtar, dhe në interesin kombëtar të Shqipërisë”.
Presidenca e BE
Në të njëjtën kohë, ambasadori i Danimarkës, Jensen, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, u shpreh se forcat politike duhet të dialogojnë për të gjetur një president konsensual. “Do të ishte e mrekullueshme nëse partitë politike do të binin dakord mbi një kandidat për President konsensual, që do të ishte i zgjedhur me konsensus, sepse kjo do t’i bënte politikanët të tregonin me të vërtetë se kanë përvetësuar se ç’do të thotë demokraci. Do të ishte një tregues që do të dëshmonte se politikanët kanë përvetësuar rolin e demokracisë parlamentare dhe institucioneve të pavarura. Kjo është arsyeja pse unë dhe kolegë të mi e kemi thënë që do të ishte e mrekullueshme që Shqipëria të zgjidhte një president konsensual, që të ishte i gjithë popullit. Kjo, mendoj, se është edhe brenda frymës së Kushtetutës”, u shpreh diplomati danez. Sipas tij, megjithëse ligji themeltar i shtetit e përcakton edhe alternativën për ta zgjedhur kreun e shtetit me 71 vota në raundin e katërt ose të pestë, ato nuk duhet të shikohen si zgjidhje në vetvete. “Një kandidat i zgjedhur nga raundi i fundit i votimit është gjëja që parashikohet edhe në Kushtetutë si e fundit. Ky s’duhet të jetë qëllim në vetvete”, theksoi më tej ambasadori i Danimarkës në një intervistë për “Ora News”. I pyetur nëse procesi që do të ndërmarrë Parlamenti në muajin korrik do të ndikojë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ai theksoi se “kjo është në dorë të Komisionit Europian. Është KE që merr vendimet dhe kur ka tregues të mjaftueshëm që Shqipëria ka ndryshuar sjellje dhe i ka përmbushur detyrat që i janë vënë. Është në dorën e KE-së për të thënë dhe vendosur se kur Shqipëria mund të ketë ose jo statusin e kandidatit. Por dua të theksoj se kjo është diçka që KE dhe vendet anëtare duan të ndodhë sepse është brenda mundësive nëse ekziston vullneti. Por është e rëndësishme të theksoj se koha për fjalët ka mbaruar, duhen veprat”.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha përsëriti dy ditë më parë qëndrimin se kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga maxhoranca me shumicë të thjeshtë votash. “Presidenti do të jetë figurë politike. Ai nuk do shkojë atje as për të shkruar romane, as për të luajtur futboll. Shkon për të bërë politikë në përputhje me Kushtetutën e vendit”, është shprehur Kryeministri. Ai tha se nuk do të garojë për President.
Topi: Nuk i drejtohem Kushtetueses

Presidenti Bamir Topi tha se nuk do t’i drejtohet Kushtetueses për të interpretuar nenin e zgjedhjes së kreut të shtetit nëse në tri raundet e para duhet të marrin 71 apo 84 deputetë. “Sipas ligjit, sipas Kushtetutës, natyrisht që Presidenti ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por këtë të drejtë e kanë edhe palët politike. Meqenëse ky debat ka lindur te palët politike, ato kanë edhe mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Për të qenë i drejtpërdrejtë me ju, unë nuk do ta shfrytëzoj si President këtë atribut të Presidentit, për sa kohë e kanë të tjerët”, deklaroi kreu i shtetit.
© Panorama.al











