
Ka qenë fundi i janarit ‘83, kur në seancat hetimore ndaj Kadri Hazbiut është zbuluar një fakt i panjohur më parë: Në vitet ‘54-‘57, Sigurimi i Shtetit ka ndërprerë veprimtarinë agjenturore kundër Jugosllavisë!
Gati 30 vjet më vonë, kjo ngjarje, me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare, siç cilësohej për kohën, artikulohej si akuzë për njeriun që në atë periudhë ka pasur detyrën e ministrit të Brendshëm. Grupi i hetuesve pretendon se ka siguruar prova që këtë urdhër e ka dhënë Kadri Hazbiu. Madje, duke e interpretuar më tej, njerëzit e akuzës bëjnë të njohur qëllimet që fshiheshin pas ndërprerjes së punës agjenturore me Jugosllavinë. Për ta, as më pak dhe as më shumë, kjo ka qenë një tradhti e hapur. I vëmendshëm ndaj akuzës, Kadri Hazbiu mohon në mënyrë kategorike të ketë qenë protagonist i kësaj sjelljeje që ka pasuar me jo pak andralla për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe për fatin e bashkëkombësve në Kosovë në veçanti, duke pohuar se ka qenë Enver Hoxha ai që ka orientuar për të spostuar Kundërzbulimin nga gjurmimi i UDB-së në përshtatje me koniunkturën politike të kohës, kur nga Beogradi nuk pritej ndonjë kërcënim real. Në procesverbalet që “Panorama” zbardh sot nga libri i studiuesit Kastriot Dervishi, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, zbulohen arsyet e ndërprerjes së punës agjenturore ndaj UDB-së dhe stafit diplomatik deri në vigjilje të Konferencës së Tiranës, si dhe porositë e Enver Hoxhës për problemet që do ngrite kreu i Sigurimit në mbledhjen e ministrave të Punëve të Brendshme në Pragë.
27.1.1983
Pyetje: Nga të dhënat që kanë organet e Hetuesisë del se në vitet 1954–1956, kur ju keni qenë ministër i Punëve të Brendshme, është ndërprerë puna agjenturore-operative e organeve të Sigurimit në drejtim të veprimtarisë armiqësore të zbulimit jugosllav kundër vendit tonë. Na jepni shpjegime pse keni vepruar kështu dhe ç’pasoja kanë ardhur si rrjedhim i kësaj pune?
Përgjigje: Është e vërtetë se në këtë periudhë është ndërprerë puna agjenturore–operative si jashtë shtetit dhe brenda kundër Jugosllavisë, ndërkohë që janë marrë një seri masash të tjera për përsosjen e regjimit të kufirit. Se kur kanë filluar këto masa dhe kur janë hequr, si dhe kur janë marrë të plota apo të pjesshme, unë nuk jam në gjendje të jap shpjegime të hollësishme. Për këtë të shihen dokumentet përkatëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por këto dokumente duhet të merren në tërësinë e tyre dhe në tekst të plotë. Këto masa janë marrë me orientim dhe miratim të K.Q të Partisë dhe me interesimin e Udhëheqësit të Partisë. Ato janë zbatuar nën kontrollin dhe drejtimin e Partisë, në organet e punëve të brendshme dhe Komiteteve të Partisë të rretheve nga vareshin këto organe, si dhe të aparatit të K.Q të Partisë. Prandaj, në qoftë se del nevoja për këtë problem, të shihen dokumentet e Partisë në qendër e në rrethe. Masat në fushën e zbulimit kanë konsistuar në ndërprerjen e veprimtarisë së grupeve që përdoreshin nëpërmjet kufirit; në heqjen e punëtorëve operativë dhe të rezidenturës nga Beogradi, si dhe të çdo lloji veprimtarie zbulimi në drejtim të Jugosllavisë. Po ashtu, me sa më kujtohet, u ndalua dhënia e strehimit politik për shtetasit jugosllavë, si dhe emigracionit politik jugosllav që ishte në Shqipëri, iu dha e drejta të riatdhesohej, po të dëshironte. Në fushën e Kundërzbulimit u ndërpre ndjekja e aktivitetit kundërrevolucionar me prirje jugosllave. Në këtë kontekst u rishikuan përpunimet, duke i diferencuar ato, u rishikuan kontingjentet, si dhe vlefshmëria e agjenturës së profilizuar në drejtimin jugosllav. Po ashtu, u ndërpre ndjekja dhe survejimi i përfaqësisë diplomatike jugosllave në Tiranë. Njëkohësisht, në strukturë u shkri drejtimi jugosllav dhe materialet iu shpërndanë sektorëve të tjerë ose u arkivuan, ndërsa ato që ishin pa vlerë, u asgjësuan. Kompleksi i këtyre masave janë rrjedhim i qëndrimit taktik që mbajti Partia dhe shteti ndaj Jugosllavisë në atë kohë duke e konsideruar një vend të demokracive popullore, sipas vendimit unanim të partive komuniste e punëtore që e cilësonin Jugosllavinë të tillë. Kjo ndërprerje e punës së organeve të Sigurimit të Shtetit ndaj veprimtarisë armiqësore të Jugosllavisë pati pasoja negative në punën e organeve të Sigurimit të Shtetit në këtë drejtim, por këto pasoja ishin të parashikuara nga partia dhe ishin minimale, në krahasim me interesat e mëdha politike që kishte partia me këtë qëndrim taktik, për të mos mbetur vetëm në lëvizjen komuniste për këtë problem, për të mos u prishur me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e demokracisë popullore kur me ta, veç interesave politike, na lidhnin edhe interesa të mëdha ekonomike e ushtarake dhe kur nuk ishte përgatitur akoma opinioni i brendshëm i partisë dhe i popullit për një betejë kundër të gjithëve. Masat për të cilat bëhet fjalë në këtë proces janë zbërthyer nga unë në Ministri, në disa raste me kuadrot kryesorë të Sigurimit të Shtetit. Një gjë e tillë është bërë edhe në raportin analitik të vitit 1955. Me sa duket, këshilltarët sovjetikë nuk ishin të kënaqur nga marrja e këtyre masave dhe kryekëshilltari sovjetik, Grebenik, kishte ngritur para udhëheqjes së partisë se marrja e masave vete ngadalë dhe se në këto rrethana ata nuk mund të jepnin këshilla për veprime kundër Jugosllavisë. Mbi këtë bazë, unë i kam raportuar udhëheqësit për masat e marra, të cilat ai i gjeti të drejta dhe dha porositë e rastit. Mbi këtë bazë është bërë mbledhje me kuadrot kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më vonë për këtë problem ka ardhur si i deleguar i Komitetit Qendror tradhtari Mehmet Shehu (Në vitin 1956).
28.1.1983
Pyetje: Dje, ju i pandehur shpjeguat rrethanat në të cilat u ndërpre puna zbuluese dhe kundërzbuluese kundër Jugosllavisë në vitet 1954–1956. Na thoni si u realizua ky veprim me agjenturën e Zbulimit dhe të Kundërzbulimit dhe cilat masa u morën më parë e u hoqën më parë?
Përgjigje: Në fillim, në vitin 1954, është ndërprerë aktiviteti i zbulimit kundër Jugosllavisë. Se kur ka rifilluar ky aktivitet më vonë, duhen parë dokumentet përkatëse, sepse mua nuk më kujtohet koha. Agjentura e zbulimit nuk mund të përdorej kundër Jugosllavisë, por kundër çdo lloj aktiviteti tjetër armiqësor që mund të vinte nëpërmjet Jugosllavisë dhe emigracionit reaksionar në Jugosllavi. Megjithatë, edhe kësaj agjenture nuk i ndërpriteshin mundësitë. Sidoqoftë, kjo agjenturë u orientua që ne nga Jugosllavia nuk prisnim ndonjë rrezik dhe se ajo konsiderohej si vend i demokracisë popullore. Për sa i përket agjenturës së Kundërzbulimit, shpjegimet i kam dhënë në procesin e djeshëm, por shtoj se këto masa, me sa kujtoj, janë zbatuar gjatë vitit 1956, deri pas Konferencës së partisë së Tiranës, ku u vërtetua qartë veprimtaria subversive e jugosllavëve. Për sa i përket njerëzve që ndiqeshin nga organet e Sigurimit të Shtetit për veprimtari në favor të Jugosllavisë, në kuadrin e këtyre masave që u morën, ata duhet të neutralizoheshin nëpërmjet shpjegimit të përgjithshëm që bëhej nga partia për situatën e re të krijuar në marrëdhëniet me Jugosllavinë, nëpërmjet një diferencimi individual, sipas llojit të aktivitetit që kishin kryer, nga i cili mund të dilnin njerëz që duheshin këshilluar, siç ishin bazat e diversantëve, ata që zhvillonin agjitacion e propagandë ose kishin tendencë arratisjeje, por që ishin të shtresave tona. Forma e këshillimit përcaktohej rast pas rasti. Për të tjerët që ishin kompromentuar më rëndë dhe që nga origjina ose e kaluara nuk mund të pritej ndryshim i qëndrimit, është dhënë orientimi të vazhdojë përpunimi duke i ndërruar drejtimin, pa e cilësuar si veprimtari të mirëfilltë të jugosllavëve. Në ato raste kur kjo veprimtari vërtetohej e tillë, duhej paraqitur në mënyrë të posaçme në Ministri dhe në mënyrë të organizuar t’u bëhej e njohur edhe këshilltarëve sovjetik për Sigurimin, për të dokumentuar vazhdimin e veprimtarisë jugosllave kundër nesh. Në rast goditjeje të këtyre elementëve, përcaktohej në mënyrë individuale cilësimi juridik i fajit. Për rastet kur zbulohej veprimtari e mirëfilltë, zbulimi i jugosllavëve i raportohej KQ të Partisë dhe veprohej sipas rastit, por në çdo rast kjo u duhej bërë mirë e qartë këshilltarëve sovjetik pranë Sigurimit.
31.1.1983
Pyetje: A i favorizoi jugosllavët ndërprerja e punës agjenturore–operative në organizimin e komplotit të Konferencës së Tiranës?
Përgjigje: Patjetër që jugosllavët i favorizoi ndërprerja e punës agjenturore–operative në organizimin e komplotit të Konferencës së Tiranës, për arsye se Sigurimi mund të kishte fiksuar lidhjen e jugosllavëve me këtë çështje dhe ndonjë gjë mbi organizimin, pavarësisht se si mund të trajtoheshin edhe këto. Kjo për faktin se në rrugë partie për problemet që do të ngriheshin në Konferencën e Tiranës, këto diheshin siç doli atëherë. Dhe këto u nënvleftësuan nga aparati i K.Q të Partisë, njerëzit që merreshin me problemet e jetës së brendshme të partisë, kurse i deleguari i K.Q të Partisë, si armik që ishte, tradhtari Beqir Balluku, tradhtarja Fiqrete Shehu etj, këta i vunë këmbë me qëllim të dhënave, informatave që kishin për Konferencën e Tiranës. Më kujtohet se ka pasur komente nga elementi armik se do të flitej hapur në Konferencën e Partisë, se pritej diçka prej saj. Këto të dhëna të këtij elementi sigurisht kanë qenë të dala nga organizatat e partisë. Sidoqoftë, për këto çështje duhet t’i referohemi dokumenteve, informacioneve apo buletineve dërguar e disponuar në K.Q të Partisë. Për sa i përket këshilltarëve sovjetikë, këta ishin për ndërprerjen e punës agjenturore-operative sipas qëndrimit zyrtar të tyre dhe vendimeve të Kongresit të 20-të që e konsideronin Jugosllavinë, një vend mik, i njëjtë me vendet e tjera të demokracisë popullore. Ky qëndrim i tyre puqej me qëndrimin taktik të partisë për ndërprerjen e punës agjenturore me Jugosllavinë. Më kujtohet që në vitin 1958 ka pasur një çarje në mendimin e këtyre këshilltarëve për vlerësimin e veprimtarisë së jugosllavëve kundër nesh, ku tre prej tyre me kryekëshilltarin Sokolov na jepnin neve të drejtë. Këta tre këshilltarë, nën pretekste të ndryshme i larguan nga vendi ynë dhe më vonë mësova se këta ose ishin nxjerrë në lirim ose ishin vënë në vende të parëndësishme. Qëndrimi ynë në marrëdhëniet me këshilltarët sovjetikë për çështjen jugosllave ishte i pandryshuar deri në fund. Por, edhe i tyre ishte i pandryshuar. Vazhdimësia e veprimtarisë së jugosllavëve kundër nesh u bë edhe tema kryesore e diskutimit tim në mbledhjen e ministrave të Punëve të Brendshme në vitin 1960, në Pragë. Me porosi të udhëheqësit të partisë, e lamë mënjanë raportin lidhur me koordinimin e veprimeve kundër zbulimeve kapitaliste dhe u përqendruam kryesisht në veprimtarinë subversive të jugosllavëve. Ky diskutim bëri shumë përshtypje te të gjithë pjesëmarrësit, megjithëse jo i shkruar, por me teza të zgjeruara se nuk arritëm dot, disa nga ministrat e Punëve të Brendshme jashtë tekstit të diskutimit të tyre iu referuan këtij problemi duke prurë mjaft shembuj dhe argumente, si hungarezi, polaku, çeku që tregonin se edhe ndaj tyre jugosllavët zhvillonin veprimtari armiqësore subversive. Kurse të tjerët, si rumuni, bullgari që kishin diskutuar para nesh, thanë se ne nuk dinim që do të diskutohej për këtë çështje. Nuk folën për këtë problem sovjetiku dhe gjermani. Çështjen e jugosllavëve e rrahëm edhe në bisedimet bilaterale që evidentonin faktin se jugosllavët vepronin edhe kundër tyre. Kjo punë e delegacionit tonë u vlerësua e mirë nga partia kur ne raportuam. Me përjashtim të çështjes jugosllave, për të gjitha problemet e tjera marrëdhëniet me këshilltarët sovjetikë vazhdonin sipas kritereve të ndjekura që nga fillimi dhe porosia e Komitetit Qendror të Partisë ka qenë që të ishim të kujdesshëm, që ata të mos dyshonin në çiltërsinë e marrëdhënieve tona me ta. Edhe kur është folur në ndonjë rast për mosqenien, largimin e tyre, na është thënë që kjo do të tingëllonte keq politikisht, prandaj duhej të vazhdonim me kujdes marrëdhëniet me ta. Dhe kështu u bë. U reduktua numri i tyre nga viti në vit, por filluam të mos u japim të dhëna që nga gushti i vitit 1960, mbas arrestimit të Teme Sejkos, kur u porositëm nga partia (Enver Hoxha) që për këtë të mos u thuhet asgjë, derisa përfundimisht të largohen.
Pyetje: A keni pasur sinjale për elementin armik para Konferencës së Partisë të Tiranës dhe ç’qëndrim keni mbajtur? Fjala është për organizimin e komplotit të Konferencës së Tiranës?
Përgjigje: Nuk më kujtohet ekzakt çfarë komentesh ka pasur dhe çfarë të dhënash, por ato që janë disponuar ndodhen në buletinet dhe informacionet përkatëse. Në drejtim të organizimit të komplotit nuk ka pasur të dhëna të drejtpërdrejta, veç atyre që shpjegova në këtë proces. Nuk më kujtohet që në ngarkim të Liri Gegës e të ndonjë tjetri të më kenë ardhur tek unë të dhëna për organizimin e komplotit.
Pyetje: Nga të dhënat konkrete që disponohen në procesin hetimor të Hulusi Spahiut, ndërmjet të tjerave në deponimin e tij thuhet se: “Pikëpamjet antiparti ia kam shprehur Beqir Ballukut para Konferencës së Partisë të Tiranës se marrëdhëniet me Jugosllavinë duhet të përmirësoheshin, t’i hiqet akuza Koçi Xoxes si agjent jugosllav etj.” Ç’qëndrim keni mbajtur ju për këtë fakt? A ia keni denoncuar partisë?
Përgjigje: Unë nuk di gjë për diçka të tillë, nuk më kujtohet të më jetë raportuar. Në qoftë se vërtetohet e kundërta, me siguri i është raportuar partisë sipas rregullit, pra Enver Hoxhës që për anëtarët e Plenumit dhe të qeverisë procedohej në këtë mënyrë, duke i raportuar dhe marrë porositë përkatëse. Tjetër gjë nuk kam.
vijon…
“Përgjimin e UDB-së e hoqëm nga objekti me urdhër të Moskës”
“As Mehmet Shehu dhe as Beqir Balluku nuk e kanë orientuar ndërprerjen e punës agjenturore ndaj UDB-së. Gjithçka është bërë me urdhër të Enverit, sipas premtimit që u kishte bërë këshilltarëve sovjetik”. Më shumë se për t’u mbrojtur, Kadri Hazbiu gjatë procesit gjyqësor detyrohet më në fund të zbardhë të vërtetën. Në kohën që trupi gjykues këmbëngul me dokumentet që ka administruar në dosje, ish-ministri i Brendshëm kujton bisedën që ka bërë në atë kohë drejtpërdrejtë me Enver Hoxhën, duke vënë në vëmendjen e të pranishmëve porosinë e tij për spostimin e agjenturës nga Beogradi. Pikërisht në këtë moment, Kadri Hazbiu shtrëngohet të zbulojë një detaj disi të shkëputur, por mjaft domethënës për dilemën e çështjes në shqyrtim. “Kur i raportova për ndërprerjen e kundërspiunazhit me Beogradin, kujton ish-kreu i Sigurimit, Enveri më porositi që këtë veprim t’ua bënim prezent edhe këshilltarëve sovjetikë, me qëllim që të informojnë aty ku duhet.” As më shumë e as më pak, për aq sa pohon Kadri Hazbiu për këtë në proces, urdhri për ndërprerjen e punës agjenturore ndaj Jugosllavisë nuk është dhënë nga Tirana, por nga Moska. Pavarësisht dilemës për këtë, ish-ministri i Brendshëm duhet të përgjigjet për pasojat e kësaj veprimtarie që vlerësohet si një tradhti e hapur. Kështu, Kadri Hazbiu duhet të përgjigjet pse nuk është reaguar nga strukturat që drejtoheshin prej tij për takimet agjenturore që Dhora Leka bënte në mes të Tiranës me zbuluesit jugosllav. Ai duhej ndëshkuar për kontaktet e dyshimta të agjentëve të huaj me Tuk Jakovën e Bedri Spahiun për ndërprerjen e gjurmimit të personelit të Ambasadës së Beogradit në Tiranë….
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











