“Polici që vrau kolegun tentoi vetëvrasjen, s’kishte fishekë”

Jul 13, 2012 | 13:17

TIRANE – E ka mbajtur armën të mbushur poshtë kapelës së uniformës dhe sa e ka parë “rivalin”, e ka qëlluar pa thënë asnjë fjalë. Dy karikatorë nuk i kanë mjaftuar për të nxjerrë mllefin dhe për këtë e ka qëlluar viktimën disa herë me qytë pistolete në kokë. Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e fajësisë së ish-efektivit të Policisë, Genc Domi, i dënuar me 14 vjet burg për “vrasjen me paramendim” për motive xhelozie të kolegut të tij Bashkim Memia, në janar të këtij viti në Tiranë. Në vendim rrëfehet me detaje se si Domi qëlloi me plumba mbi Meminë, efektiv i FNSH-së, pas dyshimeve se i ndjeri kishte një lidhje intime me bashkëshorten e tij. I pandehuri Domi u shpall i fajshëm nga Gjykata e Tiranës më 11 qershor të këtij viti. Ai u dënua me 21 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Në vijim paraqitet ngjarja, sipas vendimit të Gjykatës. “Domi ka treguar se në datën 12.01.2012, rreth orës 12:30, ka shkuar në lagjen ‘Kombinat’, Tiranë, për te kioska e shtetasit Bashkim Memia. Pasi ka shkuar aty, i pandehuri Genc Domi i ka dalë nga pas kioskës me qëllim që i ndjeri Bashkim Memia të mos e shihte dhe ndërkohë në dorë ka pasur pistoletën e tij të mbushur dhe të fshehur poshtë kapelës së policit. Sapo ka hyrë te dera e pasme e kioskës, duke u ndodhur përballë me të ndjerin Bashkim Memia, i pandehuri Genc Domi ka drejtuar pistoletën dhe pa thënë asnjë fjalë ka qëlluar tri herë në drejtim të tij. Në këtë moment, i ndjeri ka arritur të dalë nga sporteli i kioskës, por i pandehuri Genc e ka ndjekur nga pas dhe dy herë të tjera. Pasi i ndjeri Bashkim është rrëzuar në tokë, i pandehuri Genc Domi i është afruar dhe ka tentuar ta qëlloje sërish, por nuk kishte më fishekë. Në këto kushte, ai ka qëlluar me pjesën fundore të pistoletës të ndjerin Bashkim disa herë në kokë. Më pas ka nxjerrë karikatorin rezervë dhe, si e ka mbushur sërish armën, ka qëlluar në drejtim të të ndjerit. Gjithashtu, i pandehuri Genc Domi tregon se pasi ka arritur të vrasë të ndjerin, e ka drejtuar pistoletën nga vetja e tij, por ajo tashmë nuk kishte fishekë. I pandehuri Genc Domi ka treguar se arsyeja e vrasjes se shtetasit Bashkim Memia ka qenë për motive xhelozie, pasi ai dyshonte se i ndjeri kishte marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij, V. Domi”, thuhej në vendimin e Gjykatës.                       ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura