Policia e Tiranës po e heton si “kanosje me armë” ngjarjen ku mbeti i plagosur shtetasi Dino Leli, ishavokat i Nehat Kullës. Ndryshe nga versioni fillestar
i ngjarjes, ku mbeti i plagosur avokati Dino Leli, pas rimarrjes në pyetje për disa orë, grupi hetimor ndryshoi klasifikimin e ngjarjes nga
“tentativë vrasje” në “kanosje”. Burimet nga Policia thanë se ngjarja u klasifikua si “tentativë vrasje”, por pas deklarimeve që ai dha paraditen e
djeshme në Komisariatin Nr.1 të kryeqytetit, rrethanat e treguara prej tij flisnin më shumë për “kanosje me armë”. Oficerët e policisë gjyqësore që
hetuan ngjarjen e mbrëmjes së të martës tek Rruga e Elbasanit, ku mbeti i plagosur ishavokati i “gjeneralit” Nehat Kulla, dërguan dje materialet
në Prokurori, me akuzën “kanosje me armë”. Ndërsa në një prononcim për gazetën “Panorama”, avokati Dino Leli hedh poshtë idenë e një atentati
ndaj tij, duke u shprehur se plagët në kokë i ka pësuar nga përplasja në trotuar, pasi është rrëzuar, kur ka dëgjuar disa krisma. Sipas tij të shtënat
nuk kanë pasur lidhje me të dhe nuk ka parë asnjë njeri duke qëlluar. Në fakt, në polici ai ka dhënë disa deklarime të ndryshme, duke zbehur disi
atë çfarë i kishte ndodhur realisht. Burime nga grupi hetimor thanë se në dëshminë e parë që ka dhënë në polici avokati Leli, është shprehur se
ka qenë duke folur në celular me një klientin e tij, të cilin po e priste për të pirë një kafe pranë lulishtes “1 Maji”, tek kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit.
Në një moment ai ka dëgjuar krisma arme e është rrëzuar në tokë dhe dikush e ka goditur me shqelma dhe me diçka të fortë që ai nuk ka arritur
ta kuptojë se çfarë ka qenë. Sipas Policisë, mund të jetë goditur me tytë pistolete. Nga të dhënat hetimore dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,
rezulton që të shtënat kanë qenë shumë pranë vendit ku ndodhej avokati, pasi aty është gjetur dhe është sekuestruar një gëzhojë arme, që dyshohet
se i përket një arme sportive të kalibrit të vogël. Fillimisht avokati ka dyshuar se është plagosur në vesh me armë, por pasi është mjekuar dhe i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, ka rezultuar që plaga në vesh dhe në
pjesë të tjera të kokës janë shkaktuar nga një objekt i fortë, por jo nga plumbi. Në bazë të kësaj, dëshmia dhe provat e siguruara nga vendi i ngjarjes,
është saktësuar se ngjarja është “kanosje me armë”, e cila mund të ketë ndodhur edhe për shkak të detyrës, por kjo ende nuk është përfundimtare.
Reagon avokati: U rrëzova në rrugë
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, ish-avokati i të fortit të Tiranës, Nehat Kulla, Dino Leli, tregon se të shtënat me armë që ai ka dëgjuar mbrëmjen e së martës nuk kishin lidhje me të. Avokati shprehet se është trembur kur ka dëgjuar krisma dhe është rrëzuar në trotuar ku ka pësuar edhe dëmtimin fizik. Pikërisht nga përplasja me tokën ka pësuar disa plagë në kokë, por, sipas tij, këto plagë nuk janë bërë me armë zjarri. “Kam qenë në trotuar duke folur në telefon, sepse po prisja një mik. Diku dëgjova të shtëna
që nuk e di se nga vini dhe ku po qëllohej saktësisht, sepse nuk pashë njeri. Në atë moment u tremba dhe u rrëzova në tokë. Mesa duket në atë moment kam përplasur kokën, ku kam pësuar disa plagë të cilat i mjekova. Por ngjarja nuk kishte asnjë lidhje me mua, ishte aksidentale”, ka treguar avokati Leli.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











